Përfundon operacioni anti-drogë në Krujë, 16 të arrestuar, 24 në kërkim

Tiranë, 30 maj 2021 – Policia e Shqipërisë njoftoi se është finalizuar aperacioni policor anti-kanabis, i koduar “Agimi”. Gjatë operacionit janë arrestuar 16 persona, janë shpallur në kërkim 24 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona.

Operacioni. në të cilin janë angazhuar forca të shumta të policisë, përfshirë dhe njësitë speciale, është zhvilluar në zonën e Niklës, Halil dhe Arramerras. Mes të arrestuarve janë dy gra, kryeplaku i fshatit Halil dhe dy punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. Këta dy të fundit dyshohet se kanë lidhje me një laborator të kultivimit të marihuanës me ngrohje me llampa.

Policia bëri të ditur se, përveç këtij laboratori, ka sekuestruar edhe disa kubikë fidanë të cannabis sativa. Në total, janë zbuluar e shkatërruar afër 17 mijë rrënjë të bimëve narkotike, që janë zbuluar në plantacione të hapura dhe në serra.

Operacioni “Agimi” ka nisur pas informacioneve të mbledhura nga burimet policore dhe nga monitorimet me dronë, të kryera nga policia shqiptare, dhe me avionë të Guardia di Finanza-s italiane, të cilët kanë nisur monitorimet nga ajri prej mesit të muajit maj.

Dy vitet e fundit, më 2019 dhe 2020, kultivimi i cannabis sativa në Shqipëri ka shënuar rritje, pas tkurrjes së ndjeshme që ishte regjistruar në vitin 2018, kur shifrat kishin rënë në minimumet historike.

Njoftimi i plotë i policisë:

Strukturat e Policisë së Shtetit, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të canabisit kanë zhvilluar me sukses operacionin policor të koduar “Agimi”, në zonën e Niklës, Halil dhe Arramerras të rrethit Krujë.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga monitorimet me drone të kryera nga Policia e Shtetit dhe nga ajëri të kryera me avion nga GDF, si dhe mbi bazën e informacioneve policore të marra më parë, shërbimet e policisë kanë kontrolluar sera, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.

Si rezultat u sekuestrua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa, kubikë dhe fidanë canabis, 5 automjete dhe prova të tjera materiale.

Janë vënë në pranga për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim, shtetasit Xh.K., dhe D.K., banues në Halil,(babë e bir) pasi gjatë kontrollit të ushtruar në pronën e tyre, u konstatua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa.

Gjatë operacionit policia gjeti fidanë canabis të kultivuar në sera dhe në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A.D., 27 vjeç, banues në Nikël; M.L., 20 vjeç, banues në Larushkë;

E.K., 18 vjeç, banues në Qerekë; I. K., 33 vjeç, banues në Arrameras; D.D., 49 vjeçe, banuese në Nikël; M.V., 16 vjeç, banues në Halil; F.K., 34 vjeç, banues në Halil; E.A., 30 vjeç, banues në Halil; F.K., 56 vjeçe, banuese në Halil; R.D., 53 vjeç, banues në Halil; E.D., 26 vjeç, banues në Halil.

Në pranga janë vënë edhe Kryeplaku i fshatit Halil, shtetasi F.H., 61 vjeç.

Si dhe dy punonjës të OSHEE, shtetasit E. P., 32 vjeç, dhe S. K., 32 vjeç, banues në Halil për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës i shtetasve:

E.L., 17 vjeç, banues në Larushk ; G.C., 70 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Halil dhe H.Xh., 78 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Nikël.

Janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 24 shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitetin kriminal të sipërpërmendur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.

(r.m.)