Uashington,30 maj 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha sot se do të ushtrojë trysni ndaj presidentit rus Vladimir Putin që të respektojë të drejtat e njeriut, kur dy udhëheqësit të takohen në qershor.
“Unë do të takohem me presidentin Putin në Gjenevë dhe do t’ia bëj të qartë se nuk do të tolerojmë shkeljen nga ana e tij të këtyre të drejtave”, tha zoti Biden gjatë një fjalimi për nder të Ditës së të Rënëve në SHBA.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se do të vazhdojë përgatitjet për takimin e Presidentit Biden me Presidentin Putin, pasi Microsoft identifikoi një sulm kibernetik ndaj agjencive qeveritare amerikane nga “Nobelium”, grupi që depërtoi në sistemin e kompanisë “SolarWind”, vitin e kaluar, që erdhi nga Rusia.
Takimi i 16 qershorit realizohet në kohën që marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë janë të tensionuara për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, të cilat mohohen nga Moska, për shkak të sulmeve kibernetike në SHBA dhe për shkak të Ukrainës.
(r.m.)