Dom Nikoll Kaçorri ka lindur në Krejë të Lurës në vitin 1862, në një familje babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna i përkiste besimit musliman.Dom Nikollë Kaçorri mund të ketë qenë i vetmi prift katolik që festonte Pashkë e Bajram. Siç është traditë për ata që duan të bëhen priftërinjë në Kishën Katolike, edukata e tij kishte për bazë studimet teologjike dhe në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko–teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kryen shkollën e rregullt të gërshetuar me kulturë të lartë perëndimore, duke mbaruar studimet në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Dom Kaçorri ka shërbyer si sekretar i Arkipeshkvisë së Durrësit, me qendër atë kohë në Delmnisht të Kurbinit, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ai është firmëtari i dytë i Deklaratës së Pavarsisë pas Ismail Qemalit dhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Më vonë, numri dy i qeverisë shqiptare të posa formuar është emëruar famullitar në Durrës. Dom Nikoll Kaçorri ka ndërruar jetë në sanatoriumin Würth, në Vjenë të Austrisë, më 29 maj të vitit 1917, pasi kishte vuajtur tre-katër muaj nga një sëmundje e rëndë. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në varrezat Zentralfriedhof të Vjenës. Ai është një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarsisë.
Prandaj me 29 maj kujtojmë këtë burrë të madh të kombit në përvjetorin e kalimit të tij në amshim — të Dom Nikollë Kaçorrit, priftit e patriotit shqiptar, ikonës së Pavarësisë së Shqipërisë, njërës prej figurave kryesore të lëvizjes kombëtare për pavarësi të shqiptarëve nga pushtuesi otoman. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, dom Nikollë Kaçorri, qe një personalitet i spikatur i Kishës Katolike të Shqipërisë, me detyra dhe misione të ndryshme në shërbim të Kishës dhe të Atdheut. Ai dallohej si një atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit të vet, por ai la gjurmë edhe si një intelektual i madh që dha kontribut të vyer në afirmimin e vlerave kulturore, fetare dhe patriotike të kombit shqiptar, në përgjithësi. Në një homazh të veçant kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit, me këtë rast, Radio Vatikani (RV) shprehet se, “Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikollë Kaçorrin që gjatë viteve 1910-1912 të bëhej drejtues i zjarrt i kryengritjes së Kurbinit me arritjen finale e sublime, të 28 Nëntor-it 1912, kur ai u gjënd në krah të Ismail Qemalit, në ngritjen e Flamurit në Vlorë. Megjithëse prift, për interesat e Kombit e të Atdheut, dom Nikollë Kaçorri nuk tërhiqet edhe mbas atij çasti të lavdishëm për detyrat e tjera që ja kërkon interesi i popullit dhe Atdheut, ndërsa emërohet nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare”.
Ai merr pjesë në shumë kuvende kombëtare, sidomos ndër ato për arsim-kulturë dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Ishte pjesëtar në Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit. Gjithmonë gjëndej aty ku e kërkonte interesi i Atdheut. Por më në fund, largohet burrërisht prej detyrave dhe tërhiqet nga politika, vetëm atëherë kur, me ndërgjegjen e tij të pastër sheh e kupton se në politikën e asaj kohe kishte papastërti e mos sinqeritet që rrezikonin fatet e popullit e të Atdheut të tij të dashur. Burrërisht, në rrezik e në pjesëmarrje në mbrojtje të interesave të Atdehut edhe më burrërisht kur vendosë të largohet nga politika, dom Nikollë Kaçorri mbetet përgjithmonë një figurë e shquar e Rilindjes shqiptare kombëtare, thuhet në komentin e RV.
Ndërroi jetë në Vjenë më 29 maj të vitin 1917, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 55 vjeçare. Në muajin shkurt të vitit 2011, eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit u këthyen në Atdhe, dhe me një ceremoni solemne, aty në Kishën e Shën Luçisë në Durrës ku ai kishte shërbyer për 30-vjetë, u rivarrosen eshtrat e tij në vendlindje, 94-vjet pas vdekjes. Me atë rast, i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, në atë kohë, Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij gjigandi të Kombit shqiptar. Ndonëse kanë kaluar 10-vjetë, fjalimi i Imzot Rrok Mirditës është një thirrje për reflektim edhe për aktualitetin e sotëm shqiptar politik, shoqëror dhe akademik. Dihet se emri i dom Nikollë Kaçorrit nuk ishte aspak i preferuar gjatë periudhës së komunizmit duke mos i dhënë vendin që meriton në historinë e Kombit — fatkeqësisht, as atëherë as sot — këtij kleriku katolik — në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar, prandaj mendova se është me vend që të ta kujtojmë Dom Nikollë Kaçorrin – në këtë përvjetor të kalimit në amshim – nepërmjet fjalëve të të ndjerit Mons. Rrok Mirdita:
*Në këtë përvjetor të vdekjes, ju sjellim pjesë nga fjalimi i të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit dhe rivarrimit të të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011:
…”Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të Kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një Atdhe të lirë dhe i cili ka vdekur në tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman dhe kjo bindje e ka shtyrë atë të angazhohej për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht, popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë në Nentor të 1912. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, (Dom Nikollë Kaçorri) bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës. Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet, gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që i historisë sonë të hershme dhe të vonë — me motivin e vetëm — që kujtesa historike kombëtare të bëhet një thesar i çmueshëm në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e shpirtit të Kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde…”
“…Pas shpalljes së pavarësisë, (Dom Nikollë Kaçorri) gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji atij edhe shtëpinë në Durrës, duke e kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë. Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë…”.
“Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar, si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë…”. Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për të dhënë dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik…”.
“…Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen.”
(*Lexuat pjesë të fjalimit të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011.)
Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të Dom Nikollë Kaçorrit kjo është edhe dëshira ime dhe besoj e gjithë shqiptarëve vullnetmirë, që Zoti i Gjithëfuqishëm t’ia shpërblej të gjitha kontributet historike të Dom Nikollë Kaçorrit dhe njëkohësisht ai të ketë, eventualisht, edhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se si janë sjellur me të bashkakombasit e tij dhe si e ka trajtuar atë historiografia marksiste sllavo-komuniste, por edhe harresa sot e këtij burri të madh të Kombit shqiptar nga historiografia e këytre 30-viteve post-komunizëm!
Mbetet për t’u parë se si Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta trajtojë figurën historike të Dom Nikollë Kaçorrit në të ashtuquajturin, “botimin e veprës madhore “Historia e Shqiptarëve”, të njoftuar kohët e fundit. Duke pasur parasysh bindjet ideologjike — të shfaqura publikisht me gojë kohët e fundit dhe me shkrimet e tyre gjatë dekadave — të disa prej këtyre antarëve aktualë të Akademisë Shqiptare e gjejë shumë të vështirë të bindëm dhe të jem optimist se diçka për mirë do të ndryshojë. Në atë Akademi ende ka “historianë” të cilët lëvizjen kombëtare të fillim shekullit të kaluar — periudhën pra kur jetonte dhe vepronte edhe Dom Nikollë Kaçorri – e kanë trajtuar sipas “konceptit marksist”, bazuar në veprat e Leninit dhe të Stalinit. Prandaj, nëqoftse më lejohet të parafrazojë fjalët e Imzot Rrok Mirditës me rastin e rivarrimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit 10-vjet më parë në Durrës, harresa historike për arsye ideologjike e të tjera — me të cilën ju e kini mbuluar gjatë dekadave personalitetin dhe kontributin e Dom Nikollë Kaçorrit — nuk rëndon mbi të, por mbi ju dhe fatkqësisht edhe mbi historinë e Kombit shqiptar.
Thuhet se edhe në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit në Krej të Lurës na qenka një pllakë që e identifikon atë objekt si “Monument Kulture” të Republikës së Shqipërisë! S’ka nevojë për koment. Fotografia flet vet.