SHBA do të ndajë 80 milionë doza të vaksinës për vende tjera

Uashington, 3 qershor 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të shpallë së shpejti detajet e një plani për dërgimin e 80 milionë dozave të vaksinës në vendet tjera, ka njoftuar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Blinken ka thënë se plani do të hartohet në bashkërendim me programin COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

“Ne do të angazhohemi shumë për rritjen e kapacitetit prodhues në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën”, ka thënë  Blinken, gjatë vizitës në Kosta Rika.

Sekretari amerikan i Shtetit kathënë se plani i presidentit Biden bazohet në shkencë dhe në nevojën për vaksina të vendeve të varfra dhe “nuk ndërlidhet me asnjë çështje politike”.

Presidenti Biden ka thënë se synon që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin luftën globale kundër pandemisë, duke theksuar përpjekjet e Kinës dhe të Rusisë për të dhuruar vaksina në mënyrë që të rrisin ndikimin në botë.

Shumë vende kanë kërkuar nga SHBA-ja që t’ua dhurojë vendeve tjera tepricën e vaksinave kundër koronavirusit.

COVAX ka marrë premtime nga vendet dhe donatorët privatë ndihmë prej 2.4 miliardë dollarësh.

Premtimet janë bërë gjatë një samiti online të organizuar nga Japonia dhe Aleanca e Vaksinave GAVI, e cila kryeson strukturën e COVAX ,së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

GAVI ka thënë se këto fonde do të mundësojnë që COVAX të sigurojë 1.8 miliardë doza për vendet me të ardhura më të ulëta, mjaftueshëm për të mbrojtur 30 për qind të të rriturve në ato vende.

“Fondet e reja e rritën financimin e përgjithshëm të COVAX në 9.6 miliardë dollar”, kathënë Jose Manuel Barroso, kryetari i GAVI-t.

Që nga muaji shkurt, COVAX ka dorëzuar 77 milionë doza të vaksinës në 127 vende, por është bllokuar nga India, e cila e kufizoi eksportin e vaksinave, pasi situata epidemiologjike atje u përkeqësua.

(r.m.)