Beograd, 4 qershor 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi do të vazhdojë brenda një afati të shkurtër kohor.
Një ditë pas takimit me Zëvendës-ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, dhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, Vuçiq ka thënë se vazhdimi i dialogut “është çështje ditësh dhe jo javësh”.
Vuçiq ka thënë se gjatë bisedës me z. Palmer dhe z. Lajçak e ka përsëritur qëndrimin se “Serbia nuk është në favor të një konflikti të ngrirë” me Kosovën.
Ai ka thënë se në takim është biseduar edhe për temat e dialogut, ndërsa e ka përmendur vetëm çështjen e personave të zhdukur.
“Serbia është e gatshme të zhvillojë dialog për çështjen e personave të zhdukur”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se Serbia e ka dëshmuar këtë gatishmëri dhe i ka përmendur gërmimet që janë bërë në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë nga komisionet për personat e pagjetur nga Serbia dhe nga Kosova, me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe të EULEX-it.
Sipas tij, Serbia ka informacione për vendet ku janë varrosur ushtarët dhe civilët serbë në Kosovë.
(r.m.)