Palmer: Njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë i vë pikë gjithë çështjes

Beograd, 4 qershor 2021 – Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Mattheë Palmer, ka thënë të premten, më 4 qershor, se qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne besojmë se vetëm njohja reciproke i vë pikë gjithë çështjes. Ne kemi vision për të ardhmen. Vizioni ynë është që Serbia dhe Kosova të integrohen plotësisht në familjen e popujve evropianë, të jenë anëtare të unionit. Si mund të jenë dy shtete anëtare të BE-së nëse nuk e njohin njëra-tjetrën? Kjo (njohja e ndërsjellë) do të hapte rrugën evropiane për të dyja vendet. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara e shohin njohjen e ndërsjellë si rrugën më të mirë për ta arritur këtë. Në kushte ideale, konsiderojmë se njohja e ndërsjellë do të duhej të jetë në qendër të marrëveshjes së ardhshme për normalizim”, ka thënë Palmer për televizionin N1 të Serbisë.

Megjithatë, ai e ka lënë të hapur mundësinë që Uashingtoni të pranojë edhe modalitete të tjera të marrëveshjes, nëse për to pajtohen të dyja palët. Në pyetjen nëse ekziston një “Plan B” apo mundësia që të arrihet një marrëveshje që nuk do të përfshinte njohjen reciproke, diplomati amerikan është përgjigjur:

“Marrëveshje mund të jetë gjithçka për të cilën pajtohen të dyja palët. Qëllimi ynë është që t’i nxisim palët të ulen në tryezë dhe t’i paraqesin vijat e tyre të kuqe, çfarë mund të bëjnë dhe çfarë nuk mund të bëjnë (…). Ne nuk e përcaktojmë agjendën, as nuk e përcaktojmë rezultatin. Kjo është çështje e palëve”, ka thënë ai.

Palmer ka thënë se Uashingtoni dhe Brukseli janë të një mendimi dhe se këtë mesazh e kanë përcjellë në Prishtinë dhe në Beograd ai dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Kam qëndruar edhe në Prishtinë edhe në Beograd, bashkë më mikun tim, Miroslav Lajçak, për të treguar se Bashkimi Evropian  dhe Shtetet e Bashkuara janë bashkë dhe e mbështesin normalizimin e marrëdhënieve (mes Kosovës e Serbisë)”, ka theksuar ai.

Palmer ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, insiston në formimin  e Asociacionittë komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ne e kemi të qartë që për Presidentin Vuçiq është shumë e rëndësishme çështja e Asociacionit të komunave serbe, që kjo të zbatohet”, ka thënë ai.

Palmer ka thënë se Uashingtoni dëshiron të zbatohen marrëveshjet të cilat janë nënshkruar nga të dyja  palëtnë Bruksel.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel kah mesi i muajit qershor.

(r.m.)