Prishtinë, 5 qershor 2021 – Në Kosovë deri në fund të këtij viti pritet të hapet ‘Muzeu i Fëmijërisë së Luftës’, një projekt i Nismës së të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut. Në këtë muze pritet të përfshihen rrëfime dhe objekte të të rinjëve që e kanë kaluar një pjesë të fëmijërisë së tyre në luftën e viteve 1998-‘99 në Kosovë.
Ismajl Sherifi nga fshati Verbicë e Zhegocit, në komunën e Gjilanit, nuk i kishte mbushur ende gjashtë vjet kur në Kosovë filloi lufta.
Megjithëse i ri në moshë, ai thotë se ka plot kujtime të asaj periudhe, kur bashkë me familjen e tij u detyruan ta linin shtëpinë në kërkim të një vendi më të sigurt.
“Ashtu siç kemi qenë me rroba të lehta, pra rroba të gjumi, zbathur, është një emocion që nganjëherë kur e kujtoj edhe sot më jep trishtim. Si shumë të rinj dhe shumë familje të cilat kanë pësuar një depresion reaktiv ta quaj, sepse ka qenë një moment shumë i hidhur kur e len shtratin, e len shtëpinë, i len lodrat”, thotë ai.
Ismajli kujton se me familjen e tij kishin kaluar një natë në qiell të hapur në një fshat në afërsi, prej nga të nesërmen kishin ecur 45 kilometra deri në qytetin e Ferizajt për t’u strehuar në shtëpinë e një miku të familjes
“Aty këtu banorët e fshatrave përreth filluan të na ofronin sandale, çizme, të cilat kanë qenë më të thjeshtat vetëm sa për ta kaluar disi rrugëtimin. Nuk do ta harroj asnjëherë atë moment kur në fshatin Plitkoviq del një banor i fshatit dhe na ofron bukë me djathë. E mbaj mirë në mend atë ushqim ndoshta edhe për shkak të etjes, urisë, lodhjes dhe mërisë të madhe”, rrëfen Ismajli.
Pasi qëndron për një kohë në Ferizaj, familja e Ismajlit vazhdon rrugën për në Maqedoni të Veriut, ku do të qëndrojë për dy muaj e gjysmë. Gjatë qëndrimit atje, marrin vesh se xhaxhai i Ismajlit, atëbotë pjesë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, ishte vrarë nga forcat serbe.
“Derisa ishim në Maqedoni marrim informacionin se Sherif Sherifi ka rënë dëshmor dhe se për të, përkatësisht kufomën e tij janë kujdesur bashkëvendësit të cilët e kishin marrë dhe e kishin varrosur”, thotë ai.
Rivarrimin e xhaxhait, Ismajli thotë se e kanë kryer si familje pasi u kthyen në Kosovë…
“Me hyrjen e trupave të forcave të NATO-s ne kthehemi në Kosovë, mirëpo kthehemi në gjendjen që ishim kur u shpërngulëm pasi që shtëpia ishte djegur tërësisht dhe nuk kishim se ku të strehohemi”, thotë ai.
Rrëfimi i Ismajlit, sot 27 vjeç, jurist i diplomuar, do të jetë pjesë e “Muzeut të Fëmijërisë së Luftës”, një projekt i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i cili pritet të realizohet deri në fund të këtij viti.
“Përmes këtij muzeu ne synojmë t’i ekspozojmë për publikun e Kosovës dhe më gjerë storjet, përjetimet, rrëfimet e fëmijëve gjatë luftës. Pra fëmijë të cilët e kanë përjetuar luftën dhe që tash janë në një moshë më të rritur. Kjo do të bëhet përmes audio incizimeve, objekteve të ndryshme që ne jemi duke i mbledhur në teren nga kushdo që është i interesuar të kontribuojë në krijimin e këtij muzeu”, thotë Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, në një bisedë me Zërin e Amerikës.
Ajo thotë se synimi i këtij muzeu është kujtesa mbi të kaluarën e vendit si rrugë për të pasur paqe e siguri të qëndrueshme në të ardhmen.
“Pa e kuptuar çfarë ka ndodhur, arsyet përse ka ardhur deri konflikti, cfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, gjithë ato masat opresive të cilat janë ndërmarrë nga regjimi i Millosheviqit ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve të ’90-a e që kanë çuar mandej në shpërthimin e luftës, pra krejt këto elemente ne provojmë që t’i plasojmë te të rinjtë në mënyrë që t’u japim informacion për viktimat, të mbijetuarit, masakrat e kështu me radhë, në mënyrë që këto krime të mos përsëriten”, thotë ajo.
Në Kosovë sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës janë vrarë 1 mijë e 133 fëmijë. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e rreth 100 prej tyre.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)