Londër, 5 qershor 2021 – Grupi i shtatë vendeve me të industralizuara të botës (G-7) ra dakord të shtunën të mbështesë një normë minimale takse në rang botëror prej të paktën 15% ndaj korporatave shumëkombëshe. Vendimi synon t’i parandalojë këto kompani që të shmangin taksat dhe sigurojnë fitime të mëdha në vendet me taksa të ulta.
Takimi i ministrave të Financave të vendeve të G-7-s, që po zhvillohet në Londër, miratoi gjithashtu propozimin që kompanitë më të mëdha në botë, përfshirë gjigandët e teknologjisë me bazë në SHBA, të paguajnë taksa në vendet ku ata kanë shumë shitje, por pa patur fizikisht një zyrë aty.
Ministri britanik i Financave Rishi Sunak tha se marrëveshja do të “reformojë sistemin global të taksave për ta bërë atë të përshtatshëm për epokën dixhitale globale dhe është thelbësore për të siguruar drejtësi, në mënyrë që kompanitë e duhura, të paguajnë taksat e duhura, në vendet e duhura”.
Sekretarja amerikane Thesarit Janet Yellen tha se marrëveshja “siguron një moment të rëndësishëm dhe drejtësi për klasën e mesme dhe punonjësit amerikanë në gjithë botën”.
Miratimi i marrëveshjes nga G-7 hedh bazat për një marrëveshje më të gjerë në bisedimet e më shumë se 140 vendeve që mbahen në Paris, si dhe ministrave të Financave të Grupit të 20-s që do takohen në Venecia, në muajin korrik.
Diskutimet ndërkombëtare mbi çështjen e taksave morën një hov të ri pasi Presidenti amerikan Joe Biden e mbështeti idenë e vendosjes së një takse globale minimale prej të paktën 15 për qind për fitimet e korporatave.
(Zëri i Amerikës)