Podgoricë, 12 qershor 2021 – Parlamenti i Malit të Zi e miratoi të premten ligjin për kthimin e pronave në Valdanos të komunës së Ulqinit.
Ligji u miratua me 49 vota të deputetëve të partive në pushtet dhe të disa deputetëve të opozitës, në mesin e të cilëve ishin edhe dy deputetët e partive politike shqiptare. Në votim nuk mori pjesë Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit në parlament dominoi qëndrimi se ky ligj është një fitore e madhe për pronarët dhe për komunën e Ulqinit, si edhe për mbrojtjen e të drejtës së pronës në Mal të Zi.
Valdanosi është një gji bregdetar në periferi të qytetit të Ulqinit, me një bukuri të rrallë natyrore, me rreth 18 mijë rrënjë ullinj qindravjeçarë.
Kjo ullishte kap një sipërfaqe mbi 100 hektarësh, pronë e mbi 200 familjeve që jetojnë në Ulqin. Në vitin 1978 kjo zonë u shtetëzua për nevoja të ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Aty ishte planifikuar të ndërtohej një bazë e madhe ushtarake, por ky plan dështoi, për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Disa prej pronarëve u kompensuan me shuma të papërfillshme parash.
Qeveritë e Malit të Zi ndër vite nuk ua kthyen këtë pasuri ish-pronarëve. Disa herë bënë përpjekje t’ua shesin investitorëve të huaj përturizëm, gjë që ka nxitur protesta të mëdha të organizuara nga pronarët dhe shoqëria, poredhe të partive politike shqiptare.
(r.m.)