Londër, 12 qershor 2021 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, e kanë rikthyer reputacionin e vendit udhëheqës e bashkëpunues të botës së lirë.
“Është shumë mirë të kesh një president të SHBA-së që është pjesë e klubit dhe shumë i gatshëm të bashkëpunojë”, tha Macron, gjatë një takimi me presidentin Biden, në Londër.
Ndërsa presidenti Biden tha se beson që “gjërat po shkojnë mirë” dhe SHBA do të bashkëpunojë ngushtë me aleatët.
“Unë mendoj se Bashkimi Evropian është tepër i fortë dhe i gjallë, dhe kjo ka të bëjë shumë me aftësinë e Evropës Perëndimore jo vetëm për të trajtuar çështjet e saj ekonomike, por për të siguruar edhe mbështetjen për NATO-n”, tha Biden.
Para ardhjes së Bidenit në krye të SHBA-së, raportet mes shteteve evropiane dhe Amerikës kanë qenë të trazuara. Ish-presidenti Donald. Trump e kishte tërhequr SHBA-në nga traktati i klimës dhe i kishte kritikuar aleatët evropianë për çështje të ndryshme, përfshirë edhe kontributin e ulët financiar në kuadër të aleancës së NATO-s.
Macron e Biden u takuan në kuadër të samitit të grupit të shtatë vendeve më të pasura të botës, G7, që po mbahet në Britaninë e Madhe.
Pas samitit të G7-ës, që përfundon të dielën, më 13 qershor, Biden do të shkojë në Bruksel, për takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Më 16 qershor, Biden do të shkojë në Gjenevë, në Zvicër, ku do të takohetmepresidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
(r.m.)