Prishtinë, 14 qershor 2021 – Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, është dënuar me një vit burgim efektiv.
Rugova akuzohej për konflikt interesi, pasi, si kryetar i komunës, e ka nënshkruar një kontratë me një firmë të cilën e drejtonte vëllai i tij, Gani Rugova.
“Në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes të Komunës së Istogut dhe kompanisë ‘Ma-Con’ sh.p.k. dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro”, thuhej në aktakuzë.
Kontrata kishte të bënte me ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Besnik Berisha, avokat i Rugovës, ka deklaruar se, bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, për kontratat e mesme nuk ishte e nevojshme nënshkrimi i kryetarit. Sipas tij, kontrata për të cilën është akuzuar Rugova ka qenë e tillë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Haki Rugova ishte zgjedhur për herë të tretë kryetar i komunës së Istogut.
(r.m.)