Bruksel, 15 qershor 2021 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se takimi i së martës në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq nuk ka qenë i lehtë, mirëpo është e rëndësishme që ka ndodhur.
“Të dy liderët kanë pasur deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan palët nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak pas takimit.
Sipas tij, si Kurti, ashtu edhe Vuçiq janë pajtuar për normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut.
Lajçak ka thënë se Bashkimi Evropian, si edhe qytetarët e Kosovës dhe ata Serbisë, kanë pritshmëri të larta nga të dy liderët, që të tejkalojnë trashëgiminë e së kaluarës dhe ta shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane.
Ai ka deklaruar se procesi i dialogut do të vazhdojë para fundit të korrikut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë pas takimit se në tavolinë ka prezantuar ide të reja, njëra ndër të cilat ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes, përmes së cilës Kosova dhe Serbia do të zotoheshin se që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.
“Në këtë mënyrë do t’i kontribuojmë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka thënë Kurti.
(r.m.)