Prishtinë, 15 qershor 2021 – Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e saj nga kjo pozitë është në kundërshtim me kushtetutën dhe i pa mbështetur në ligj.
Ajo ka thënë se do të ndjekë rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj.
“Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur”, ka thënë Daka në një konferencë për media.
Daka pretendon se vendimi ka qenë i përgatitur më herët dhe përmes tij presidentja e “ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim”.
“Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen”, ka thënë Daka duke shtuar se “kjo gjuhë dhe sjellje është e papranueshme”.
Më 14 qershor presidentja Osmani ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe në këtë pozitë ka emëruar Kreshnik Radoniqin, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.
Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kundërshtuar vendimin duke thënë se ai rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.
Një ditë pas shkarkimit të Dakës, presidentja Osmani shpalli 17 tetorin si datë kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.
(REL)