Shkup, 15 qershor 2021 – Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut thonë se partitë në pushtet, me zvarritjen e bisedimeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, po dëshmojnë mungesën e gatishmërisë së tyre për demokratizimin e procesit zgjedhor, qoftë të drejtuesve të komunave apo edhe të përfaqësuesve në institucionin ligjvënës.
Flakron Bexheti nga partia shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët, thotë se këtyre partive më tepër iu intereson modeli aktual, pasi nuk duan që populli të bëjë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.
Nga partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE thonë se mbeten në kërkesën për lista të hapura dhe zgjedhjen e kryetarëve të komunave me një rreth zgjedhor.
Reagimi i opozitës vjen pas një paralajmërimi nga ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, se në rast se partitë nuk arrijnë konsensus, zgjedhjet lokale në vjeshtë do të mbahen me modelin aktual zgjedhor.
“Kohë të mjaftueshme ka pasur, por për fat të keq qeveria nuk I ka dhënë prioritet kësaj çështjeje. Ne e dimë se vendet evropiane praktikojnë model zgjedhor me lista të hapura dhe kjo është në të mirë pasi ka të bëjë me hapjen e partisë, me demokratizimin e brendshëm, mundësia që qytetarët të mund të zgjedhin të preferuarit e tyre që kanë autoritet, dhe jo të zgjedhin njerëz të imponuar nga liderët e partive apo të kryesisë së ngushtë. Ne si koalicion kemi qenë të gatshëm, kemi qenë pjesë e bisedimeve, por vlerësojmë se zvarritja bëhet me qëllime të caktuara sepse kësaj shumice i konvenon sistemi aktual zgjedhor”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Flakron Bexheti nga koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Ndryshimin e vetëm që deri më tani kanë pranuar partitë ka të bëjë aplikimin në zgjedhje të identifikimit biometrik apo përdorimin e gishtërinjve gjatë votimit.
Ligji për këtë risi në procesin e votimit është miratuar në kuvend dhe tani në rrjedhë është procedura për pajisjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve me aparatet që identifikojnë votuesit.
Nga VMRO-ja thonë se qëndrimin final mbi ndryshimet që janë pjesë debatit do ta thonë pasi të jenë shterur të gjitha mundësitë për arritjen e marrëveshjes, që siç thonë, do të ishte në dobi të qytetarëve dhe forcimit të demokracisë.
“Ne kërkojmë një rreth zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të komunës, lista të hapura për zgjedhjen e këshilltarëve, ndërsa çështjet tjera janë të definuar në grupet e punës. Ka bisedime dhe gjithçka që ka të bëjë në drejtim të forcimit të demokracisë ne jemi për, por mbetet të shihet se çfarë do të vendosin grupet e punës dhe më pas do të dalim me qëndrimin tonë përfundimtar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq tha të hënën, më 14 qershor, se bisedimet janë në rrjedhë e sipër, por për shkak të afateve kohore ato duhet të përfundojnë brenda disa ditëve dhe në rast të dështimit, zgjedhjet do të mbahen me modelin që aktualisht është në fuqi, zgjedhje me dy rrethe zgjedhore dhe lista të mbyllura për këshilltarë me një rreth zgjedhor.
“Nëse kjo periudhë apo këtyre ditëve nuk arrijmë një marrëveshje për të ndryshuar modelin zgjedhor, që zgjedhje të mbahen me lista të hapura të kandidatëve dhe zgjedhje të kryetarëve të komunave ndryshe nga deri tani, atëherë modeli aktual do të mbetet. Ne vetëm do t’i përfshijmë rekomandimet e OSBE-së, dhe do të vazhdojmë me dialogun për ciklet e tjera zgjedhore”, ka deklaruar Mariçiq.
Në raportin e publikuar pas zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut të vitit të kaluar, OSBE/ODIHR doli me shtatë rekomandime që duhet të zbatohen në afat sa më të shkurtër kohor. Ato veç tjerash kanë të bëjnë me harmonizimin e Kodit Zgjedhor me ligjet e tjera përkatëse, me angazhimet e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira.
OSBE-ja kërkon që ndryshimet të bëhet në një procedurë publike dhe në kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të ardhshme. Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve duhet të përcaktohet qartë dhe të bëhet në mënyrë transparente. Gjithashtu kërkohet rishikimi i procedurave të regjistrimit të votuesve ndërsa nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Enti Shtetëror për Revizion kërkohet që të pajisen me burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. Një tjetër kërkesë ka të bëjë me rishikimin e rregulloreve për reklamat e paguara politike në media, në mënyrë që të lejohet qasja e papenguar në media mbi baza jodiskriminuese.
(Isuf Kadriu, REL)