ÇKA I BËN SERBËT E KOSOVËS SUPERIORË KUNDREJT SHQIPTARËVE NË MAQEDONI DHE NË JUG TË SERBISË?

Nga Emin AZEMI

Rajoni ndodhet para fazës finale të përmbylljes së proceseve, ndërkohë që dikimi rus në Ballkan ende është prezent. Në Serbi ky ndikim manifestohet edhe ushtarakisht, përmes pajisjes me armët më të sofistikuara dhe, politikisht, përmes nxitjes së Beogradit që të shkojë deri në fund me bosnjizimin e Kosovës, projekt ky që po paketohet si Asociacion i komunave me shumicë serbe. Nëse bashkësia ndërkombëtare, sidomos BE-ja dhe Washingtoni, këto favorizime për serbët e Kosovës i bëjnë për të neutralizuar ndikimet ruse në rajon, ky është hap tepër i gabuar, sepse me këtë çelet “Kutia e Pandorës” që favorizon formula etnike (ekstraterritoriale) në shtetet multietnike, ku bëjnë pjesë edhe Serbia dhe Maqedonia.

 

Shoqëria shqiptare në Maqedoni shumë butë e qetë po sillet kundruall zhvillimeve në Kosovë. Kjo qetësi epike të bën shumë përshtypje, me një shije të hidhur në fund, sepse po dëshmohet (fatkeqësisht) se nervi i reagimit qytetar në këtë pjesë të shqiptarisë është këputur dikund. Për pasojë, çka do që të ndodhë në Kosovë, madje edhe kur atje serbët kërkojnë bashkësi komunash një etnike, kur në çdo fshat pa asnjë serb ka tabela edhe në gjuhën serbe, kur policia speciale e Kosovës duhet të merr leje për t’u futur në disa enklava serbe etj.etj. këtu në Maqedoni shoqëria shqiptare, përfshi zërat opozitarë e jo opozitarë nga politika e inteligjencia, nga shoqatat e asociacionet, nga universitetet e nga kokat që kanë dëshirë të (vetë)quhen të mençura, po tregohet tepër apatike, për të mos thënë diçka më keq….Kjo i bie që shqiptarët në Maqedoni janë shumë rehat e mirë, e kanë rrumbullakuar statusin e tyre shtetformues, janë të barabartë në të gjitha sferat dhe nivelet me maqedonasit, s’kanë arsye të ikin jashtë për të kërkuar punë, dhe tani s’kanë pse të krahasohen me serbët e Kosovës, të cilët, ndonëse as 5 %  nuk janë, megjithatë po kërkojnë bashkësi komunash me kompetenca ekzekutive.

Në diskursin publik të Maqedonisë, politika ka futur Marrëveshjen e Ohrit si modelin  më të përkryer në rajon  të zgjidhjes së problemeve etnike, ndonëse këtë marrëveshje në praktikë e kanë refuzuar me të madhe, përmes obstruksioneve të ndryshme,  koniukturat maqedonase. Lehtësia për të promovuar Maqedoninë si model të një shteti multietnik (por që ende nuk i ka zgjidhur problemet e veta identitare)  burimin e ka tek pamundësia për ta dëshmuar të kundërtën e këtij argumenti, se, megjithatë, ka një model tjetër – Kosova, që me Pakon e Ahtisarit, i thyen të gjitha parametrat e mundshëm të analogjisë.

Nëse i bëhet një krahasim sipërfaqësor të dy dokumenteve – Marrëveshjes së Ohrit dhe Pakos së Ahtisarit, do të mund të vërejmë një dallim kuantitativ e kualitativ të dimensioneve që rregullojnë raportin në mes të shumicës dhe pakicës, që rregullojnë çështjen e statusit të gjuhëve, statusit të bashkësive fetare, lidhjeve me shtetet amë, financimin dhe autonominë e komunave, funksionalitetin e institucioneve shtetërore në tërë territorin, karakterin unitar të shtetit etj.

AHTISARI DO TË MUND T’I PËRSHTATEJ MË SHUMË MAQEDONISË

Realiteti institucional në Kosovë, përmes Pakos së Ahtisarit, nuk e shpreh realitetin faktik në terren, sepse Kosova promovohet si shtet multietnik me një pakicë të papërfillshme serbe që në asnjë konventë ndërkombëtare nuk ka bazë argumentuese dhe analogjike. Ajo që në Pakon e Ahtisarit evidentohet si obligim për shumicën për ta lejuar përdorimin e gjuhës së pakicës, sepse gjuha serbe ka shtrirje territoriale në tërë Kosovën, ndoshta do të mund të gjente aplikim në Maqedoni, ku shqiptarët numerikisht dhe territorilialisht kanë një prezencë dhe shtrirje më të madhe se serbet në Kosovë, por që fuqia e tyre demografike e territoriale është e papërfillshme. Këtu, zaten bie edhe parimi i ekskluzivitetit dhe pakrahasueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit, si gjoja extra-model i vetëm që e ka rregulluar statusin e përdorimit të gjuhës shqipe, për arsye se Pakoja e Ahtisarit është treguar një model edhe më i përkryer që i jep garanci të pakufizueshme pakicës për ta destabilizuar shumicën. Insistimi për të krijuar Bashkësi me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, e dëshmon këtë argument.

Në Kosovë kishat dhe manastiret kanë status ambasade, madje edhe mijëra hektarë toke përreth. Ekstraterritorialiteti i tyre promovon një model të paparë, që cenon jo vetëm kompaktësinë territoriale dhe karakterin unitar të Kosovës, por krijon parakushte të tmerrshme të segregimit të komuniteteve fetare, si një hap që më tepër e shkërmoq mozaikun ndëretnik se sa që e afron dhe e integron në një filozofi unike politike e institucionale. Ky ekstraterritorialitet, të cilin po e kërkojnë me këmbëngulje serbët në dialog, është paradhoma e Republika Srpska.

Në Marrëveshjen e Ohrit vetëm Kisha Ortodokse Maqedonase njihet si bashkësi fetare zyrtare dhe me këtë formulim, sërish kjo marrëveshje nuk paraqet kurrfarë modeli për botën tjetër jashtë Maqedonisë.

KU NDESHEN BADENTERI DHE AHTISARI?

Ushtria dhe policia e Maqedonisë kontrollon çdo cep të territorit, gjë që kjo nuk ndodhë në Kosovë. Jofunksionaliteti institucional i shtetit të Kosovës në tërë territorin po ndodhë për shkak të mangësive që prodhon modeli defektuoz i Pakos së Ahtisarit, i cili në parim ka lënduar rëndë karakterin unitar të Kosovës, duke i dhënë kompetenca të pamerituara pakicës serbe, e cila në çfarëdo situate dhe konfigurimi demografik i ka të garantuara 20 vende në parlament, me tendencë të bosnjizimit të Kosovës.

Në Maqedoni, funksionon një mekanizëm tjetër –Badenteri, që parandalon majorizimin e pakicës nga shumica, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, shqiptarët nuk e kanë keqpërdorur këtë mekanizëm dhe nuk e kanë kuptuar si dhuratë, por, përkundrazi si produkt i një lufte të gjatë për demokraci e barazi. Megjithatë, keqpërdorimet kanë ardhur nga maqedonasit në disa komuna shqiptare, të cilët ende mbajnë të bllokuar disa nisma e projekte, duke e lexuar mbrapsht parimin e Badenterit (!)

AHISTSARI NUK E PARANDALOI AGRESIONIN KUSHTETUES TË SERBISË MBI KOSOVËN

Marrëveshja e Ohrit dhe Pakoja e Ahtisarit kanë prejardhje të ndryshme sa i përket shkak-pasojave që prodhuan finalizimin e këtyre dokumenteve. Marrëveshja e Ohrit erdhi si epilog i një lufte që bënë shqiptarët për të siguruar status të barabartë në Maqedoni. Pakoja e Ahtisarit erdhi si rezultat i kompromisit që bëri bashkësia ndërkombëtare për të kompensuar “fajin” që tregoi me rastin e pavarësimit të Kosovës. Derisa në Maqedoni kompromisi (Marrëveshja e Ohrit) ishte i brendshëm, në rastin e Kosovës kompromisi (Pakoja e Ahtisarit) ishte me Serbinë për të neutralizuar ambiciet e saja kundër shtetësisë së Kosovës, por jo edhe për të garantuar mosndërhyrjen e saj në sovranitetin juridik e territorial të Kosovës.

Sipas kushtetutës serbe, Kosova është ende pjesë e Serbisë dhe këtë agresion kushtetues nuk ka mundur ta parandalojë Pakoja e Ahtisarit, ashtu siç ka bërë Marrëveshja e Ohrit e cila shqiptarët i trajton (në preambulë) si pjesë e popullit shqiptar, që me automatizëm përjashton karakterin e autoktonisë dhe shtetfomësisë së  shqiptarëve në Maqedoni, përfshi edhe standardet e dyfishta në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe ( e cila njihet si 20%), pastaj mungesa e rajonizimit dhe decentralizimit fiskal, përfaqësimi jodinjitoz në nivelet e ndryshme të pushtetit, refuzimi kategorik i shqiptarëve në disa segmente të jetës institucionale etj.

Rajoni ndodhet para fazës finale të përmbylljes së proceseve. Ndikimi rus në Ballkan ende është prezent. Në Serbi ky ndikim manifestohet edhe ushtarakisht, përmes pajisjes me armët më të sofistikuara, dhe  politikisht, përmes nxitjes së Beogradit që të shkojë deri në fund me  bosnjizimin e Kosovës, projekt ky që po paketohet si Asociacion i komunave me shumicë serbe.

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë nevojë ta kundërshtojnë Marrëveshjen e Ohrit, por të kërkojnë që ajo të mos trajtohet si model i përkryer, sepse është Pakoja e Ahtisarit një model tjetër që i bën serbët të kenë shtetin e tyre brenda shtetit të Kosovës. Për rrjedhojë, shoqëria shqiptare në Maqedoni  dhe në jugun e Serbisë duhet të kërkojnë reciprocitet. Ajo çka u jepet serbëve të Kosovës, t’u jepet edhe shqiptarëve në Maqedoni dhe në jug të Serbisë.

Pse po dashka të favorizohen serbët e Kosovës, duke ua mundësuar atyre formimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe?

Nëse bashkësia ndërkombëtare, sidomos BE-ja dhe Washingtoni, këto favorizime për serbët e Kosovës i bëjnë për të neutralizuar ndikimet ruse në rajon, ky është hap tepër i gabuar, sepse me këtë çelet “Kutia e Pandorës” që favorizon formula etnike (ekstraterritoriale) në shtetet multietnike, ku bëjnë pjesë edhe Serbia dhe Maqedonia. Për rrjedhojë, Rusinë e ke me dy këmbët në rajon, madje duke e fuqizuar edhe më tepër ndikimin e saj në këtë pjesë të Evropës Juglindore!

Çfarë garancie kanë BE dhe Washingtoni se të njëjtën formulë të serbëve të Kosovës, nuk do ta kërkojnë nesër edhe shqiptarët në jug të Serbisë dhe ata në Maqedoni?