Prishtinë, 19 qershor 2021 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, i cili të premten e ka cilësuar Marrëveshjen e Ëashingtonit si dokument “juridikisht të pavlerë”.
Haradinaj, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se kryeministri Kurti “e merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën”, nëse nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij.
Haradinaj thekson se partneriteti strategjik me Amerikën “është jetik për Kosovën”.
“Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë! Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër!”, ka shkruar Haradinaj.
Të premten, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se Marrëveshja e Uashingtonit, e cila ishte nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka vlerë juridike.
“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se, së pari, ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje, për shkak se asnjëherë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar e as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe, si i tillë, me të drejtë, është quajtur si një dokument me zotime të njëanshme të një qeverie, e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar edhe se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Andaj kjo është vlera e atij dokumenti. Përtej asaj, ne jemi në kontakt me SHBA-në, për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, ka deklaruar Kryeziu për EkonomiaOnline.
(r.m.)