Ministrja Gjonaj flet për reformën në drejtësi, veprimet e SPAK-ut dhe ndihmën amerikane

Intervista në emisionin “Kjo Javë” NEWS 24

                                                                                       

https://www.youtube.com/watch?v=kdxJNc5-J-g&t=1s

 

Nisida Tufa: Mirëpres në studio Ministren e Drejtësisë zonjën Etilda Gjonaj. Zonja Ministre përshëndetje mirëseerdhët në studio.

Etilda Gjonaj: Përshëndetje dhe ju falenderoj për ftesën.

 

Nisida Tufa: Edhe sipas Kronikave që kemi transmetuar gjatë ditës së sotme SPAK ka bërë arrestime në prokurorinë e Sarandës, OPGJ , një arbitër dhe zyrtarin ë një klubi futbolli. Çfarë është ky operacion zonja minister, cili është komenti juaj lidhur me këtë?

Etilda Gjonaj: Nuk më takon të shprehem për raste të veçanta, raste që janë pjesë e organit të prokurorisë dhe është SPAK. Por unë besoj që përvec këtij rasti ka patur edhe shumë raste të tjera të cilat janë bërë publike që SPAK ka filluar hetimin dhe ndërkohë ka marrë masat për çështje të caktuara dhe unë besoj që SPAK përtej pritshmërisë shumë të madhe që kanë njerëzit, përtej pritshmërisë tonë të lartë i ka treguar me hapa konkretë dhe bësoj ka hedhur hapa pozitivë, në hetimin e cështjevë të cilat lidhen me korrupsionin apo me krimin e organizuar. SPAK sot e ka të gjithë mundësinë e kuadrit ligjor edhe me disa ndryshime që janë miratuar në fund të majit ku i është lënë e gjithë mundësia që të fokusohet në cështjet e mëdha të korrupsionit të zyrtarëve të lartë ashtu si edhe të krimit të organizuar. Kemi parë një sërë cështjes të vjetra të cilat janë rihapur. Nga ana tjetër SPAK ka patur një mbështetje të jashtëzakonshme nga qeveria, qoftë për pjesën financiare, për pjesën e infrastrukturës. Pra, sot është brenda të gjithë mundësive të saj për të patur sukses. Por mos harrojmë se SPAK ka vetëm një vit që ka filluar funksionimin e tij, ndërkohë është ende në mënyrë të pjesshme funksioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të duhet të përfundojë të gjithë procesin e rekrutimit të hetuesve që padyshim me plotësimin dhe funksionimin tërësor të Byrosë Kombëtare të hetimit, ky institucion do të jetë tërësisht funksion që ne të presim sukseset.

 

Nisida Tufa: A keni besim se SPAK dhe BKH do të ketë rezultate e rendiment të shpejtë?

Etilda Gjonaj: Në një vit që SPAK ka filluar të funksionimin duke mbajtur në konsideratë që ka patur një numër shumë të lartë të cështjeve të mbartura nga Krimet e Rënda, dhe një numër shumë të lartë të atyre që janë regjistruar që shkon rreth 500 e ca vetëm për vitin 2020 të paktën kjo është edhe nga raportimi që ne kryem edhe me prokurorin e përgjithshëm dhe drejtuesin e SPAK do të thotë që ka një ngarkesë shumë të madhe. Por hapat konkretë që janë treguar edhe publikisht jo vetëm në rastet e korrupsionit por edhe në rastet e kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë që vjen si rezultat i një veprimtarie të paligjshme, të gjitha këto tregojnë premisat se SPAK, do të jetë rezultativ në të gjithë funksionin e tij dhe unë kam besim që në përiudhën në vijim ne do të shohim rezultate shumë të mira të SPAK-ut për sa i përket këtyre dy kompetencave kryesore që SPAK ka.

 

Nisida Tufa: Hetimet, dënimet penale, sekuestrimet e gjyqtarëve të shkarkuar apo të dorëhequr nga vettingu, çfarë e pengon këtë?

Etilda Gjonaj:  Duhet të kuptojmë që procesi i vettingut në momentin që komisionet shqyrtojnë dosjet dhe shikojnë që ka prova apo fakte që gjyqtari apo prokurori i cilë është në këtë proces ka kryer korrupsion apo ka vënë pasuri të paligjshme, atëherë do të duhet që t’i drejtohet kjo dosje SPAK-ut. Është një detyrim ligjor i gjithë funksionarëve publikë, i gjithë zyrtarëve, të cilët në momentin që bien ndesh me një fakt penal janë të detyruar që ta referojnë. Por padyshim kërkon një bashkëpunim mes institucioneve të SPAK dhe komisioneve të vettingut, me qëllim që në të gjitha rastet kur ka fakte dhe prova për sa i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve të merren masa si për hetimin e mëtejshëm dhe padyshim nëse është e nevojshme edhe sekuestrimin apo konfiskimin e pasurisë dhe ne kemi parë disa raste që SPAK i ka filluar duke përfshirë këtu ish prokurorin e përgjithshëm disa ish anëtarë të gjykatës kushtetuese, të gjykatës së lartë, për të cilët ka drejtuar kërkesa për sekuestrimin e pasurisë edhe gjykatës.

 

Nisida Tufa: Ecuria në këto 5 vite të Reformës në Drejtësi, cilat do të konsideroni ju si arritje dhe a jeni e kënaqur?

Etilda Gjonaj: Tashmë jemi futur në pjesën e 5 vjecarit të reformës në drejtësi, dhe që nga ndryshimet kushtetuese, nëse mund ta marrim atë si bazën kryesore kohore dhe besoj që pavarësisht vonesave të gjithë e kuptojmë se ka qenë një reformë e cila ka bërë ndryshimin e shtyllave kryesore të sistemit të drejtësisë. Nuk mund të mendonim kurrësesi që këto rezultate të vinin menjëherë, por sot përvec se institucionet janë ngritur ne shikojmë që institucionet kanë filluar funksionimin e tyre normal. Patjetër Gjykata Kushtetuese që të arrijë të ketë një zhvillim  të proceseve me një numër më të lartë, më të shpejtë, do të duhet të plotësojë të gjithë numrin e anëttarëve të Gjykatës  kushtetuese, por sot me kuorumin që ka, ka ecuar me thuasje 200 cështje të cilat janë shqyrtuar, ku vetëm 25 cështje janë shqyrtuar në seancat e tyre publike. Nga ana tjetër kemi Gjykatën e Lartë, është e vërtetë që në mars të 2020 u emëruar 3 gjyqtarët e parë dhe disa muaj më parë 4 të tjerë, por kanë ecur mjaft mirë me cështjet. Dhe me gjithë ndryshimet ligjore që në kryem me paketën, në mënyrën si do kryhen disa cështje, do bëjë të mundur që edhe me plotësimin e anëtarëve të tjerë, të jetë më eficente me qëllim që qytetarët mos presin me vite të tëra në Gjykatë të Lartë. E njëjta situatë me SPAK, ose me procesin e vettingut. Ne sot shohim rezultate konkrete me procesin e vettingut, ku është e vërtetë që janë shqyrtuar 400 dosje apo kanë kaluar këtë proces rreth 400 subjekte, por më shumë se 60% prej tyre janë shkarkuar apo janë larguar me dorëheqje, që do të thotë është një rezultat i jashtëzakonshëm, për të mos foluar më pas për institucionet e tjera që sot duhet ta kuptojnë mjaft mirë që ndikimi politik, që nuk është më në sistem sjell një pavarësi ndryshe për sistemin. Tashmë duhet të punojmë bashkë në mënyrë të koordinuar, sidomos institucionet sepse tashmë është përgjjegjësi e tyre tashmë, për të rritur eficensën e sistemit.

 

Nisida Tufa:  Përtej arritjeve dhe rezultateve, cila është sfida e vërtetë me të cilat haset reforma në drejtësi dhe cfarë problematike është hasur?

Etilda Gjonaj: Sot një ndër sfidat kryesore është numri i lartë i vakancave në sistem. Pra, numri i lartë i vakancave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sidomos në nivel apeli, e cila ka sjellë një shqetësim, dhe një diskutim shumë të madh midis nesh. Dhe përtej faktit të rritjes së numrit të magjistratëve që ndjekin shkollën e magjistraturës, ne kemi arritur që të shtojmë disa njësi këshillimi, ku këta këshilltarë do të asistojnë gjyqtarët që të evadojnë më shpejt dosjet për të plotësuar deri dikur këtë vakum që është krijuar për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por besoj fort që edhe riorganizimi i ri i drejtësisë i gjykatave dhe prokurorive do të sjellë një ndryshim për të plotësuar pak këtë pjesën e mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem.

 

Nisida Tufa:  Projeksioni për Drejtësinë me strategjinë Shqipëria 2030 ku mendoni se duhet synuar që arkitektura e sistemit te ri të plotësohet pa futur duart përsëri?

Etilda Gjonaj: Unë nuk besoj që do të konsiderohet edhe ndërhyrje që ne kemi realizuar futje e duarve në reformën në drejtësi. Sepse edhe gjatë ndryshimeve të ndryshme që ne kemi prekur paketën e  reformës në drejtësi, kanë qenë ato të cilat janë munduar të sjellin më shumë efektshmëri të sistemit, po duke ruajtur e duke garantuar që shtyllat parimet kryesore që solli reforma në drejtësi, pavarësia, transparenca, paanësia e të gjithë sistemit të mos preket. Unë jam e bindur që edhe nëse do të ketë ndonjë ndryshim, apo ndonjë përcaktim të ri ligjor, në mënyrë absolute nuk do të preken shtyllat kryesore që ka vendosur reforma në drejtësi. Dhe pavarësisht se ka një sërë problematikash që janë vënë re, ne për c’ka kemi përjetuar edhe në axhendën Shqipëria 2030 na intereson që të konsolidojmë të gjitha rezultatet e reformës në drejtësi. Të kemi një drejtësi më eficente ku qytetarët mos presin shumë kohë për të marrë vendimin, drejtësinë. Të kenë mundësinë për të marrë drejtësi të pavarur nga gjyqtarët dhe prokurorët, që të kemi mundësinë për të luftuar pandëshkueshmërinë. Dhë padyshim duke shtuar edhe disa elementë të tjerë që rrisin eficensën duke përfshirë dixhitalizimin e shërbimeve administrative gjyqësore, duke përfshirë krijimin e një sistemi për menaxhimin unik të cështjeve gjyqësore, por duke vendosur një theks edhe te infrastruktura gjyqësore që tashmë nevojitet sidomos për ato gjykata që do të jenë më të mëdha.

 

Nisida Tufa:  Ju jeni shprehur se deri në fund të muajit besoni të gjeni gjuhën e përbashkët me KLGJ për hartën e re të gjyqësorit. Ku jemi tani?  

Etilda Gjonaj: Harta gjyqësore ka qenë një proces shumë i gjatë, që ne kemi zhvilluar me KLGJ dhe asistencën teknike të partnerëve ndërkombëtarë. Padyshim kemi qenë bashkë në momentin që kemi kryer analizën dhe jemi ndarë për shkak të një qasje të ndryshme që kemi patur të dy institucionet te mënyra e organizimit të sistemit të ri gjyqësor. KLGj përtej faktit që duhej ta shihte ta shihte pak më gjerë, e ka parë cështjen në atë problematikën që përballen cdo ditë lidhur me vakancat që kanë në sistemin e drejtësisë, duke menduar që harta gjyqësore do të ishte një zgjidhje për ktë mungesë. Nga ana tjetër qasja jonë ka qenë pak më e gjerë, sepse ne kemi interes që aksesin e qytetarëve në organet e drejtësisë të respektohet dhe duke parë vështirësitë edhe infrastrukturore, kemi menduar që shkurtimi i gjykatave të rretheve gjyqësore, në 12 apo i Apelit në një të vetëm, në këtë moment që ende kemi procese tranzitore që po zhvillohen sic është procesi i vettingut, ne mendojmë që nuk është e vlefshme për momentin në të cilin jemi. Padyshim, ky do të ishte një variant ideal në momentin që do të kishim edhe infrastrukturën e nevojshme, pro duke e parë edhe me një këndvështrim pak më të gjerë. Sepse harta gjyqësore është e vërtetë që lidhet me gjykatat por nga ana tjetër lidhet edhe me prokuroritë, dhe nëse do shkurtohen gjykatat do shkurtohen prokuroritë. Në një kohë që kërkesë llogaria për prokuroritë është shumë e lartë. Nga ana tjetër lidhet edhe me sistemin e burgjeve, sepse janë organizuar në tërritor në nivel të rretheve gjyqësore, sic është përmbarimi shtetëror shërbimi i provës. Do të ketë pasoja edhe për një sërë procesesh të tjera që ndiqen nga isntitucionet ligjzbatuese. Ne do të kryejmë disa procese konsultimi këto ditë, për të gjetur variantin më të mirë të mundshëm për të përmbushur këtë pjesën e mirë të qasjes pak më të gjerë edhe për garantimin e aksesit të qytetarëve në organet e drejtësisë.

 

Nisida Tufa: Efektet e pandemisë?

Etilda Gjonaj: Në fakt që në momentet e para ne e ndërmorëm këtë reformë në sistemin e burgjeve, nuk them që është përfudnuar ka ende shumë, përfunduam kuadrin ligjor tërësor, kemi bërë një ndryshim tërësor për pjesën e burimeve njerëzore, garancitë që janë dhënë trupës policore, pjesa e trajtimit financiar. Tërmeti, pandemia ishin dy fatkeqësi që vërtetë sollën vështirësi në shumë sektorë  por në sistemin e burgjeve u ndje më tepër, sepse thuajse kemi më shumë se një vit e gjysmë që ne jemi thuajse në gjendje të jashtëzakonshme, që do të thotë në një nivel sigurie më të lartë në burgje, për hir të të vërtetës është menaxhuar shumë mirë, në mënyrë të suksesshme, duke mbajtur në konsideratë angazhimin, sakrificat përkushtimin në radhë të parë të stafit shëndetësor, por edhe të trupës policore apo drejtuesve. Kemi nisur vaksinimin e punonjësve të efektivëve të policisë së burgjeve. Janë vaksinuar deri më tani 2770 punonjës, pjesa tjetër është shtyrë për shkak të situatave të tyre personale me kalimin e Covidit. Sot kemi nisur vaksinimin e të burgosurve, duke u bërë ndër vendet e para në rajon që kemi filluar këtë proces për personat e dënuar. E kemi nisur me gratë, ka patur një numër të mirë vaksinimi. Është në interes të të gjithëve që të burgosurit të vaksinohen, sepse kjo do të na japë lehtësi që ashtu sikundër lehtësuam masat para disa ditësh për kufizimet që ishin vendosur sidomos me takimet, të kemi një mundësi hapje më shumë për të hequr të gjitha kufizimet që kemi vendosur në sistemin e burgjeve dhe për t’iu kthyer normalitetit.

 

Nisida Tufa: Ka patur raste të të burgosurve në gjendje kritike si pasojë e Covid?

Etilda Gjonaj: Në kemi patur rreth 250 raste të infektimit me covid, në institucione të ndryshme penitenciare. Ka vështirësinë e tij, se në momentin që hyn një rast brenda ke vështirësi  në izolimin e një pjesë të mirë të personave që ndodhen aty, por kemi tentuar që në të gjitha rastet kur ka patur komplikacione shëndetësore, të gjitha rastet janë trajtuar në qendrën spitalore të burgjeve ku kishim dedikuar dhe vijon ende një pavion i posacëm vetëm për Covid.

 

Nisida Tufa:  Ka patur humbje jete?

Etilda Gjonaj: Fatkeqësisht kemi patur dy humbje jete. Nga persona të dënuar, të cilët kanë qenë edhe me sëmundje shoqëruese. Kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë edhe me strukturat shëndetësore publike, që në rastet e komplikacioneve të rënda, janë trajtuar në spitalet publike. Sic ka ndodhur edhe jashtë, kanë qenë dy raste ku nuk mund të shmangeshin pasojat fatale të jetës. Mjeket e qendrës spitalore të burgjeve shëtistin nga një burg në burgun tjetër edhe për të matur një temperaturë të një personi me simptoma. I kam shprehur falënderimet stafet për sakrificat e jashtëzakonshme që kanë bërë.

 

Nisida Tufa:  Cfarë komenti keni për shpalljen non grata të zotit Berisha nga DASH?

Etilda Gjonaj: Ky është një vendim që nuk ka nevojë për komente të askujt prej nesh, sepse unë respektoj vendimin e DASH dhe besoj që në këtë kuadër vetë DASH ka ndjekur një proces të gjatë të thellë, për sa kohë që ka dalë në këtë vendim dhe besoj se nuk është vendi për të komentuar.

 

Nisida Tufa:  A duhet të ishte i pari z. Berisha?

Etilda Gjonaj: Ju thashë që përsa kohë që DASH ka ndjekur një proces të gjatë e të thellë për të dalë në një vendim të tillë, që është një vendim goxha i rëndë besoj që kanë patur arsyet e tyre për ta nxjerrë këtë e për ta bërë publike.  Por ajo c’ka është shumë e rëndësishme, dhe besoj që nuk kanë interes komentet aq sa ka interes qasja e partisë e cila mbështet ose jo raste të tilla, nëse i referohem korrekt fjalimit të kryeministrit në kongres, e tha qartësisht që partia nuk do të shërbejë për asnjë deputet asnjë ministër apo anëtar partie, nëse do të ketë probleme me ligjin, korrupsionin apo problem paligjshmërie. Ndërsa fatkeqësisht nga ana e PD, pamë një qasje tërësisht ndryshe duke e marrë në mbrojtje z.Berisha. Dhe unë besoj që nuk është normale të kemi dy standarde. Kur në momentin që SHBA na mbështesin ne, ne themi që ata janë më të mirët, dhe kur japin një vendim të tillë, themi që ‘jo ky nuk është një vendim i drejtë’. Besoj se ky është komenti im në këtë gjë.

 

Nisida Tufa:  A mund të pasohet kjo edhe në emra të tjerë? Si e lexuat urdhrin e Biden?

Etilda Gjonaj: Ishte një urdhër që prek më shumë se sa Shqipërinë. Është më i gjerë, dhe ne e kemi parë në shumë raste që kanë qenë publike nga DASH që mund të kenë patur situata të ngjashme. Por ne kuptojmë që me vendimin e presidentit Biden, janë vendosur disa standarde të reja, është vendosur një kufi për sa i përkes atyre që ushtrojnë funksione publike me të gjitha vendet dhe jo e lidhur detyrimisht me SHBA.

 

Nisida Tufa:  A mund të krijojë kjo një formë frike apo hezitimi te politikanët shqiptarë?

Etilda Gjonaj: Unë nuk besoj të krijojë një ndjenjë frike. Kur ti je një politikan, një funksionar që vepron në respekt të ligjit në respekt të qytetarëve, duke mbajtur integritetin si cështjen kryesore në cdo veprim që kryen besoj që nuk ka asnjë vend për frikë apo për t’u intimiduar nga vendime të tilla.

 

Nisida Tufa:  A do të kemi vërtetë ‘peshq të mëdhenj’ nga SPAK?

Etilda Gjonaj: SPAK ka nisur të japë sinjale pozitive për cështjet që po ndjek. Për sa kohë po ndjekin cështje, janë sinjale që do të tregojnë që SPAK nëse do të ketë prova dhe fakte për cështje të caktuara, edhe për politikanë do të jenë absolutisht pjesë e procesit të tyre.

 

Nisida Tufa: Komisioni Hetimor për Shkarkimin e Presidentit Meta … a duhet të shkarkohet Presidenti i Republikës?

Etilda Gjonaj: Ky nuk është më një vendim apo qëndrim politik, sepse qëndrimi u dha dhe u konkretizua me një vendim nga Kuvendi për shkarkimin e Presidentit. Tashmë kemi të bëjmë jo thjesht me një qëndrim të PS me presidentin, por me një qëndrim sa i përket shkeljeve kushtetuese, që është një vendim që Gjykata Kushtetuese do duhet ta japë lidhur me shkeljet, bazuar edhe në raportin që është dorëzuar, se sa përbëjnë ato shkelje kushtetuese.

 

Nisida Tufa: Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të kundërtën?

Etilda Gjonaj: Ne do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një demokraci ku kemi pranuar që pushtetet të jenë të ndara dhe të respektohen në mënyrë luajale kompetencat dhe përgjegjësitë e secilit pushtet, jam e bindur se padyshim që ne do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 

Nisida Tufa: Sa besim keni te Gjykata Kushtetuese? Nisur dhe nga vendimi për mosdekretimin e ministrit Gent Cakaj…

Etilda Gjonaj: Gjykata Kushtetuese me vendimin e mosdekretimit të ministrive nga ana e presidentit dha dhe konfirmoi ekzaktësisht atë që Kushtetuta sot mban, për sa i përket përgjegjësive që ka secili institucion, secila palë, në një proces të emërimit dhe shkarkimit të ministrave. Duhet të kuptojmë qartësisht se Gjykata Kushtetuese, është e vërtetë që ka konfirmuar rolet për secilin në këtë proces, por ka thënë shprehimisht që presidenti nuk duhet të jetë pjesë e jetës politike, nuk mund të marrë vendime politike. Kushtetuta e ka dhënë në këtë proces se çfarë kryen Presidenti dhe brenda një afati ligjor të caktuar, që në fund duhet të dalë me dekretimin e tij. Më pas, është Kuvendi që kontrollon procesin e kryer për emërimin apo shkarkimin e një ministri. Në fund të fundit, në një Republikë Parlamentare, zemra e luanit, për sa i përket këtyre proceseve, i jepet Kuvendit, kontrolli kryhet nga Kuvendi. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese është shprehur qartësisht dhe ka konfirmuar pastër atë që është në Kushtetutë. Qartësisht kërkohet që presidenti të mos marrë pjesë në jetën politike, që besoj do t’i shërbejë edhe për çështjen e radhës, që ka lidhur me kërkesën që i ka drejtuar Kuvendi për shkarkimin e presidentit Meta në rastet e shkeljeve të Kushtetutës. Por, lihet po prapë me vendim se kryeministri ka diskrecionin e emërimit apo shkarkimit të ministrave, se kush do të jetë pjesë përbërëse e kabinetit të tij qeveritar.

 

Nisida Tufa: E shihni sërish veten ministre?

Etilda Gjonaj: Kjo nuk është një gjë që më shqetëson, pasi në fund të fundit është kryeministri që ka përgjegjësinë dyfishe, edhe si kryeministër, edhe si kryetar partie, për të vendosur se kush do të jetë pjesë e kabinetit të tij qeveritar. Unë i jam shumë mirënjohëse që më dha besimin të jem në funksionin e ministrit të Drejtësisë për këto katër vjet, sidomos në një moment shumë të rëndësishëm, që kishte të bënte me zbatimin e Reformës në Drejtësi, besoj se kam bërë maksimumin tim në ushtrimin e kësaj detyre. Nëse unë do të jem apo jo, kjo nuk është një çështje që me preokupon, pasi nuk është qëllim në vetvete pozicioni i ministrit për mua.

 

Nisida Tufa:  Gjithsesi, ju jeni një figurë e votuar në 25 prill…

Etilda Gjonaj: Kryeministri do duhet të vendosë për të dyja skuadrat, atë qeverisëse dhe atë legjislative. Aty ku ai do të shohë që i shërben gjithë asaj që ne kemi si objektiv, si agjendë, çdo person, çdo njëri nga ne, besoj që do të vendosë nëse do të jemi, apo kush do të jetë pjesë e ekzekutivit apo legjislativit, sepse në fund të fundit të dyja këto skuadra kanë një rëndësi shumë të madhe në këtë katër vjeçar.

 

Nisida Tufa:  Sa i takon opozitës, Lulzim Basha i zgjedhur edhe njëherë në krye të PD, ju i keni shtrirë dorën e bashkëpunimit, ai refuzon, mbi ç’bazë e bëni këtë? Si e shihni ju opozitën dhe Lulzim Bashën?

Etilda Gjonaj: Në çdo vend, opozita është shumë e rëndësishme dhe i shërben konsolidimit të demokracisë, qeverisjes më të mirë, sidomos kur është një opozitë konstruktive. Askush nuk e mohon që një opozitë e shëndetshme e bën më të shëndetshme qeverisjen. Por, duhet të kuptojmë që agjenda ka disa çështje shumë më prioritare, se thjesht në atë që konsiderohen qeverisja e vendit, janë agjenda kombëtare, çështjet e integrimit, çështjet e reformës në drejtësi, që sot janë top agjendat e PS për t’u ndjekur. Pikërisht për këto, por edhe për të tjera çështje, është kërkuar dhe i është shtrirë dora e bashkëpunimit opozitës.

 

Nisida Tufa:  Ndiheni komodë me opozitën, apo ndiheni të sfiduar?

Etilda Gjonaj: Nuk besoj se ka vend për të parë se ka të sfiduar apo sfidues, por besoj se një bashkëpunim për çështje që kanë interes, më shumë se thjesht qeverisja, janë më të rëndësishme se sa për të parë rolet apo pozicionet e secilës parti.

 

Nisida Tufa:  Ndihma ligjore falas, çfarë zgjidh kjo në të vërtetë?

Etilda Gjonaj: Ndihma juridike falas është pjesë e Reformës në Drejtësi, është tërësisht një skemë e re, i jep mundësi çdo qytetari në pamundësi financiare të marrë shërbimin ligjor falas, duke përfshirë dhe përfaqësimin në gjykatë me avokatë të specializuar. E përfitojnë drejtpërdrejt avokatin falas, të mbuluar nga buxheti i shtetit. Skema ka filluar të funksionojë vitin e kaluar dhe ne jemi thuajse me trefishin e çështjeve, që kanë të bëjnë me ofrimin e ndihmës ligjore dytësore apo avokatin falas për çdo qytetar, sepse sot ky vendim merret nga gjykata, ekzekutohet nga ne, por nga ana tjetër është një rrjetëzim, që ka të bëjë me bashkëpunimin që kemi me shoqërinë civile, 10 klinikat private arsimore, si dhe me 10 qendra që ne kemi hapur në të gjithë territorin, për të qenë sa më të aksesueshme nga qytetarët. Për një çështje shkon gati në 2.5 milionë lekë të vjetra shpenzimet, që mbulohen nga buxheti i shtetit. Kemi gati shpenzuar dyfishin e buxhetit, krahasuar me vitin e kaluar, vetëm për përfaqësimin në gjykatë. Dua ta them që është konsideruar si një ndër rastet më të mira të funksionimit të ndihmës ligjore falas në rang rajonal.

 

Nisida Tufa:  Si po ecet për një shkollë riedukimi për të miturit, që mos të përballen menjëherë me burgimin?

Etilda Gjonaj: Pjesa penale për të miturit ka qenë dhe është pjesë e Reformës në Drejtësi. Çdo akt nënligjor është përgatitur dhe miratuar gjatë kësaj kohe, me mbështetjen e ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile, ku promovimi i një drejtësie miqësore e rehabilituese ka qenë qëllimi kryesor. Gjëja e parë që kam bërë kur erdha në pozicionin e ministres së Drejtësisë ishte përfshirja e të gjithë të miturve në një institucion, siç ishte ai i Kavajës. Numrat sot janë shumë të pakta, kemi vetëm një të dënuar të mitur dhe rreth 22 të mitur të paraburgosur, por ajo që kemi si synim për të ndryshuar tërësisht është që të miturit të mos shkojnë më në burgje, të mos përballen me burgun, por të ngrihet instituti mutlidisiplinar i trajtimit të të miturve, ku gjithë të miturit që do të dënohen nga gjykata apo do jenë të paraburgosur të qëndrojnë në këtë institut. Ne kemi filluar funksionimin e qendrës së parandalimit të të miturve, që shërben për t’i riintegruar ata pasi mbarojnë burgimin, dhe pothuajse kemi përfunduar projektimin e godinës së re, që do të jetë një institucion i hapur, ku të miturit do të takohen me familjarët, do të ndjekin arsimin si moshatarët e tyre, por do të kenë dhe mundësinë e trajtimit social, me qëllim që mos i kthehen më rrugës së krimit. Jemi në momentet që po ngremë fondet për ndërtimin e këtij institucioni.

 

Nisida Tufa: A keni pasur ndonjë moment të vështirë në krye të detyrës si ministre?

Etilda Gjonaj: Është vërtet shumë e vështirë dhe momente të vështira ka pafund. Është shumë e vështirë, sidomos kur nuk ke mundësinë që t’i kushtosh kohën familjes, qoftë edhe detyrimet familjare, në konceptin e familjes më të gjerë, por në rastin konkret familjes më të ngushtë, bashkëshortit dhe djalit, të cilët në fakt kanë qenë gjithmonë mbështetës të pozicionit tim, të detyrës sime, por ka pasur shumë vështirësi, pasi ti nuk je dot pjesë e të gjitha kënaqësive familjare, që i ke pasur dikur. Nga ana tjetër, mund të mungosh, sidomos në jetën e tim biri, që po rritet dhe ka nevojë shumë më shumë për të folur e për të pyetur për gjërat që e shqetësojnë. Kam tentuar që orët e mbrëmjes apo fundjavat t’ua kushtoj atyre dhe familejs sime.

 

Nisida Tufa: Zonja Gjonaj unë ju falenderoj për intervistën.

Etilda Gjonaj: Faleminderit juve.