A do ta ndryshonin trajektoren e luftës sulmet e Ukrainës thellë në Rusi?

Këtë vjeshtë, për pak gjëra mund të brohoritej në Ukrainë.

Rusia pushtoi territore në lindje – me ritmin më të shpejtë që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të vendit në vitin 2022 – derisa Koreja e Veriut e ndihmoi me mijëra trupa të reja në front.

Shtetet e Bashkuara, që janë mbështetëset më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj me Rusinë, zgjodhën ndërkohë presidentin e ri, Donald Trump, i cili vazhdimisht ishte kritik i ndihmave të mëdha për Ukrainën.

Pikat brenda Rusise që mund t'i godasë Ukraina me armë balistike të Perëndimit

Pikat brenda Rusise që mund t’i godasë Ukraina me armë balistike të Perëndimit

Kjo edhe rriti frikën se zvogëlimi i mbështetjes nga SHBA-ja mund ta detyrojë Kievin të heqë dorë nga disa territore, në këmbim të paqes.

Ka, gjithashtu, shqetësime se partnerët evropianë të Ukrainës janë të ndarë sa i përket plotësimit të boshllëkut, që do të mund ta linte SHBA-ja.

Por, me afrimin e dimrit dhe të gjasave që Rusia të nisë një kundërofensivë të re, Ukraina – mesa duket – ka siguruar një prej kërkesave të saj më të mëdha ushtarake.

Sipas raporteve të shumta të mediave amerikane, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i dha më në fund dritën jeshile Kievit për të goditur brenda Rusisë me armë të fuqishme amerikane, që kanë rreze të gjatë veprimi.

“Ky është mesazh për Kremlinin se ne nuk po i mbyllim tendat tona dhe po presim për Trumpin. Shtetet e Bashkuara nuk janë dorëzuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë gjenerali amerikan, Ben Hodges, i cili nga viti 2014 deri më 2017 komandoi forcat e ushtrisë amerikane në Evropë.

Ky veprim do të hapte gjithashtu derën për Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën që ta ndiqnin shembullin, duke i mundësuar Ukrainës që t’i jepte një goditje potenciale Rusisë në një moment kritik të luftës.

Ukraina po përpiqet t’i ruajë fitoret e saj territoriale në rajonin Kursk të Rusisë, të cilat mund të jenë vendimtare për negociatat e ardhshme.

Kievi, për muaj të tërë, ka kërkuar nga administrata e Bidenit t’i jepte leje për sulme të thella në Rusi, për t’i shkatërruar aeroportet ku vendosen bombarduesit dhe avionët luftarakë rusë, që terrorizojnë Ukrainën.

Më herët këtë vit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia është duke gjuajtur deri në 3.000 bomba në Ukrainë çdo muaj.

Këto bomba shkatërruan forcat e Ukrainës dhe infrastrukturën e saj dhe i mundësuan ushtrisë ruse të kapte territore.

Administrata e Bidenit, e cila qysh në fillim të luftës ishte e kujdesshme sa i përket dërgimit të sistemeve të fuqishme të armëve në Ukrainë, e refuzoi më herët kërkesën e Kievit, për shkak të shqetësimeve se do ta tërbonte Rusinë.

Në këtë mënyrë, administrata Biden e pengoi edhe Britaninë që t’i jepte leje Ukrainës për sulme të thella, sepse raketat e saj lundruese, Storm Shadow, përdorin gjithashtu pjesë të SHBA-së.

Disa ekspertë thonë se Biden ishte i shqetësuar edhe për faktin se fushata e Trumpit do ta përdorte çështjen e lejes për sulme të thella, për të nxitur frikë për një luftë më të gjerë, përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

Trump premtoi se do t’i japë fund luftës menjëherë pas marrjes së detyrës.

Vendimi i raportuar i Shtëpisë së Bardhë për t’i lejuar sulmet e thella erdhi një ditë pasi Rusia lëshoi 210 raketa dhe dronë në Ukrainë.

Ishte ky një nga sulmet më të mëdha ajrore ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë.

Ai erdhi po ashtu pas raporteve se Rusia ka dislokuar rreth 50.000 njerëz për ta rimarrë Kurskun – në mesin e tyre mijëra trupa nga Koreja e Veriut.

Analistët ushtarakë thonë se Putin dëshiron ta rimarrë kontrollin e plotë të rajonit përpara se Trump ta marrë detyrën më 20 janar, me qëllim forcimin e pozicionit të tij negociues.

Ndikimi në fushëbetejë i lejes për sulme të thella do të varet prej numrit të ATACMS-ve – raketa me rreze deri në 300 kilometra – dhe të raketave të tjera me rreze të gjatë veprimi, që do t’i jepen Ukrainës, si dhe kufizimeve që do të vendosen për përdorimin e tyre.

Gazetat amerikane, New York Times dhe Washington Post, raportuan se Ukraina është e kufizuar në goditjen e rajonit të Kurskut.

Pas njoftimit të administratës Biden, e përditshmja franceze, Le Figaro, raportoi se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë thënë, gjithashtu, se do ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë raketat e tyre Storm Shadow dhe SCALP, për të goditur brenda Rusisë. 

Raketa lundruese Storm Shadow, në ekspozitën ajrore në Paris

Raketa lundruese Storm Shadow, në ekspozitën ajrore në Paris

Një gjë e tillë do të ushtrojë presion mbi Gjermaninë, e cila deri më tani ka refuzuar t’ia dërgojë Ukrainës raketat e saj Taurus.

Colby Badhwar, analist i mbrojtjes me bazë në Kanada, i cili ka shkruar gjerësisht për raketat ATACMS, thotë se Shtetet e Bashkuara kishin rreth 2.400 raketa me rreze të gjatë në magazinë në dhjetor të vitit 2023 – afërsisht gjysma e të cilave ishin me afat të skaduar.

Sipas tij, më shumë se 500 ATACMS i janë shtuar stokut gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, shton ai, Pentagoni ka hezituar t’i dërgojë Ukrainës numër të madh të tyre.

Gjenerali i pensionuar, Hodges, thotë se Ukraina mund ta minojë kundërofensivën e vazhdueshme të Rusisë në Kursk me një furnizim të mirë me raketa.

“Ju mund ta mposhtni masën nëse keni armë të mjaftueshme precize, që mund t’i shkatërrojnë selitë, logjistikën dhe artilerinë”, thotë ai.

Më herët këtë vit, kur flitej për mundësinë që SHBA-ja ta lejonte Ukrainën t’i përdorte raketat ATACMS brenda Rusisë, Kremlini filloi t’i lëvizte disa prej aseteve të tij ushtarake jashtë rrezes së tyre.

Badhwar shkruan në X se ka ende shumë asete ushtarake ruse në distancë goditëse.

Megjithatë, edhe sulmet e suksesshme me raketa ATACMS nuk do të mund ta adresojnë problemin kryesor të Ukrainës në fushën e betejës: fuqinë njerëzore – gjë në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s vërtet nuk mund të ndihmojnë.

Ukraina me vonesë përshpejtoi rekrutimin dhe tani po lufton për të mobilizuar dhe për të trajnuar burra, që do t’i zmbrapsin sulmet e vazhdueshme të trupave ruse.

Edhe pse Rusia është duke humbur deri në 1.500 burra në ditë – më shumë se Ukraina – Kremlini ka ende mundësi t’i plotësojë forcat e tij.

(Radio Evropa e Lirë)