A do të ketë Qeveri të re në Maqedoninë e Veriut pa parti shqiptare?

Shkup, 12 qershor 2023 – Pas Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), edhe Aleanca për Shqiptarët do të vendosë për dalje nga Qeveria, për të plotësuar, kushtin që ka vënë partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, e ka kushtëzuar pjesëmarrjen e partisë së tij në një qeveri me bazë të gjerë, në të cilën nuk do të përfshihej BDI-ja. Ai ka kërkuar përjashtimin e BDI-së nga një qeveri e re e mundshme, me arsyetim se kjo parti shqiptare është e përfshirë “në korrupsion dhe në krim të organizuar”.

Ndonëse Mickovski nuk e ka përmendur Aleancën për Shqiptarët, kryetari i kësaj partie, Arben Taravari, tha të hënën se ka informacione se VMRO nuk e do që në qeverinë e re të jetë edhe partia që ai e drejton.

“Sa i përket kushtit të VMRO DPMNE-së për daljen e partive shqiptare nga Qeveria, dua të theksoj se neve na intereson përmbyllja e procesit të integrimeve evropiane dhe perspektiva e qytetarëve e jo llogaritë elektorale. Aleanca për Shqiptarët hyri në qeveri për hir të procesit, por do të adaptohet varësisht prej rrethanave të reja, qoftë në qeveri apo jashtë saj”, deklaroi Taravari.

Më parë, BDI-ja ka marrë vendim të mos marrë pjesë në qeverinë kalimtare nëse ky do të jetë kushti i VMRO-së për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.

“Bashkimi Demokratik për Integrim është i gatshëm që të vendosë BE-në para çdo interesi tjetër partiak, politik apo të Qeverisë. Prandaj, jemi të gatshëm të mbështesin Qeverinë, në të cilën nuk do të ishte BDI-ja nëse kjo do të mundësonte që para formimit të saj, të arrijnë ndryshimet kushtetuese në fuqi”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

(r.m.)