Nga Ruben Avxhiu
Pak ditë më parë, dy aeroplanë, që po lëviznin nëpër Aeroportin e Hanedës, u përplasën në Japoni. Njëri prej tyre i mbushur me udhëtarë. Më bëri përshtypje që megjithë situatën me protencial katastrofik që të gjithë 367 pasagjerët dhe 12 anëtarët e ekuipazhit, arritën të shpëtojnë.
Avioni si mund ta shihni nga fotografia poshtë përfundoi shkrumb e hi.
A do të kishin shpëtuar të gjithë po të kishin qenë shqiptarë? Shpresoj që po, druaj që jo.
Teorikisht, një avion mund të evakuohet brenda 90 sekondave. Në praktikë, duhet shumë më tepër. Kush është mënyra më e shpejtë për ta zbrazur avionin? Pa dyshim ndjekja e udhëzimeve, sidomos respektimi i radhës. Njerëzit duhet të dalin sipas numrit të radhës ku janë ulur.
Nëse të gjithë përpiqen të dalin përpara njëri-tjetrit, nëse ngrihen të gjithë në këmbë dhe përpiqen të marrin njëkohësisht valixhet, dalja vetëm sa zgjat e procesi vonohet.
E bëj pyetjen më lart, nga që nuk ka pasur udhëtim me avion kur të mos kem parë bashkatdhetarët e mi që injorojnë udhëzimin e stjuardesave në fund të fluturimit. Vuajmë mesa duket nga virusi i padurimit. Jemi të gjithë kapitenë. Sa më me edukatë që të na flasësh aq më shumë të injorojmë. Na duket se vetëm idioti rri ulur dhe pret radhën.
Në fund, rezultati i zakonshëm është vonesa e të gjithëve. Autobusi që të çon në terminal nuk niset pa dalë të gjithë udhëtarët. Mirëpo, asgjë nuk e ndalon garën që ekziston vetëm në kokën tonë, që na shtyn të injorojmë rregullat e të rebelohemi. Sigurisht, kjo ndodh aty ku nuk duhet të jemi të rebelë. Në të kundërt, kur nevojitet vërtet protesta e shtylla kurrizore jemi zakonisht makarona të zbutura nga uji i nxehtë.
Në raste më pak të rrezikshme, ngritja në këmbë pa lejen e pilotit, mund të shkaktojë dëme fizike, nëse avioni bën një lëvizje të papritur.
Në momente si incidenti në Aeroportin Haneda të Tokios, kjo lloj sjelljeje do të kishte shkaktuar vdekje njerëzish. Shpërthimi dhe djegia masive pritej nga minuta në minutë. Për fat të mirë, pavarësisht prej situatës së pabesueshme, qetësia fitoi mbi panikun, rregulli mbi mosbindjen, solidariteti qytetar mbi agresivitetin dhe paturpësinë individuale.
Shpresoj se në raste jetë a vdekje, edhe shqiptarët do të dinë të tregojnë durim e qytetari. Shpresoj se nuk do të na jepet rasti për t’u vënë në provë. Ashtu si dhe do të dëshiroja që të mos prisnim raste ekstreme për të treguar pak durim e respekt për rregullat jo vetëm në dhé të huaj, por edhe aty ku zakonisht na kërcen damari marrisë, kur sapo kanë prekur rrotat tokën tonë.