Presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar se është gati të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur Rusinë, ndërsa vazhdon agresionin në Ukrainë. Ai paralajmëroi se nuk po bën blof. SHBA-të dhe NATO-ja po e shqyrtojnë situatën me seriozitet, thotë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.
“Jam shprehur qartë. Presidenti Biden dhe administrata janë shprehur qartë, se ekziston një rrezik, duke patur parasysh bisedat pa dorashka të Putinit lidhur me përdorimin e armëve bërthamore. Ne jemi shprehur mjaft qartë se cilat do të ishin pasojat. Ua kemi komunikuar drejtpërdrejt rusëve”.
Kërcënimi bërthamor
Sipas doktrinës së Moskës për përdorimin e armëve bërthamore, ato aktivizohen pas një “agresioni kundër Federatës Ruse me armë konvencionale, kur kërcënohet vetë ekzistenca e shtetit”. Pretendimet e Kremlinit për 18% të territorit të Ukrainës e kanë shtuar rrezikun, pasi Moska mund të konsiderojë çdo sulm në këto territore si sulm ndaj vetë Rusisë.
Madje disa gazeta britanike sugjerojnë se Putini mund të jetë duke planifikuar një provë bërthamore në kufirin e Ukrainës. Kremlini i cilëson raportimet si “retorikë bërthamore”.
Arsenali bërthamor
Presidenti Putin kontrollon arsenalin më të madh bërthamor në botë, një gjeneratë të re armësh hipersonike dhe armë më të vogla bërthamore taktike. Rusia ka 5,977 mbushje bërthamore. SHBA-ja ka 5,428, Kina ka 350, Franca ka 290 dhe Mbretëria e Bashkuar ka 225, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.
Variantet e mundshme
Armët bërthamore taktike, të ndërtuara me qëllim përdorimi në fushëbetejë, kanë fuqi shkatërruese shumë herë më të vogël se mbushjet bërthamore strategjike. Ato mund të lëshohen nga deti, ajri ose toka, megjithëse efektiviteti i tyre është një çështje debati mes ekspertëve ushtarakë.
Por një armë bëthamore mund të aktivizohet mbi një zonë të largët, të pabanuar ose pellg ujor si Deti i Zi, si një demonstrim rrënqethës i qëllimit. Radiacioni bërthamore do të përhapej brenda një perimetri prej afro një kilometër.
Reagimi i Perëndimit
“Amerika është tërësisht e përgatitur për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Pra, zoti Putin mos i keqkuptoni ato që po them. Çdo pëllëmbë”, thaPresidenti Joe Biden.
NATO-ja dhe SHBA-të nuk kanë dhënë detaje se si do t’i përgjigjen një sulmi bërthamor rus ndaj Ukrainës, por Uashingtoni thotë se e ka sqaruar Moskën lidhur me “pasojat katastrofike” që do të pasonin.
Reagimet mund të varionin nga joushtarake, në një përgjigje ushtarake konvencionale të Uashingtonit ose NATO-s, që do të thotë luftë e drejtpërdrejt me Moskën, ose në një sulm bërthamor, që rrezikon përshkallëzime serioze dhe të menjëhershme.
“Mesazhi ynë është se çdo përdorim i armëve bërthamore është absolutisht i papranueshëm dhe do të ndryshojë tërësisht natyrën e konfliktit. Rusia duhet ta dijë se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe kurrë nuk duhet të fillohet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
(Zëri i Amerikës)