“Arnautët është e pamundur të shtypen vetëm përmes kolonizimit gradual … Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm është dhuna brutale e një pushteti të organizuar shtetëror, për çka ne kemi qenë gjithmonë mbi ta… Mund të mbijetojë vetëm ai shtet që është i populluar nga populli i vet”
Nënshkruesi nuk është Hitleri, Goebbelsi apo ndonjë tjetër nga soji i tyre.
“Dëbimi i Arnautëve”, memorandumi i shkruar më 1937 nga Vaso Çubriloviq, atëherë docent në Fakultetin Filozofik në Beograd, për Klubin Kulturor Serb, i cili asokohe drejtohej nga Slobodan Jovanoviq dhe Dragisha Vasiq.
Ky tekst konsiderohet si një nga dokumentet themelore të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX, në të cilat paraqiten idetë që i përdorën autoritetet serbe gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve, myslimanëve dhe kroatëve.
Krime kundër shqiptarëve janë kryer edhe gjatë luftërave ballkanike, nga forcat ushtarake dhe policore të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi. Janë vrarë më se 120.000 shqiptarë, të të dy gjinive dhe të të gjitha moshave.
Qeveria e Milan Stojadinoviqit nuk arriti ta zbatonte memorandumin. Arsye ishte fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe rënia e Mbretërisë së Jugosllavisë.
Komunistët i refuzuan me ndrojtje idetë e Vaso Çubriloviqit, por Millosheviqi, në vitin 1999, e pranoi me të dy duart planin për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, të emërtuar “Operacioni Patkoi”.
Ky plan përfshinte një fushatë brutale të spastrimit etnik “en masse”, të cilin forcat serbe e zbatuan në Kosovë gjatë konfliktit, në vitet 1998 dhe 1999.
Sipas Çubriloviqit, kolonistëve duhet t’u jepeshin armë dhe të nxitej një konflikt i drejtpërdrejtë midis malazezëve dhe shqiptarëve në Kosovë.
Te populli shqiptar duhet të mbillej frikë e pasiguri. Me kërcënime ose me para ata duhet të detyroheshin të shpërnguleshin.
Futja e gjobave të mëdha në një jetë edhe ashtu të vështirë e të varfër, prerja e pyjeve, vrasja e qenve, detyrimi për punë të detyruar…
Mbledhja e pamëshirshme e taksave, konfiskimi i kullotave shtetërore dhe komunale.
Çubriloviq propozonte gjithashtu presion fetar, poshtërim të klerikëve, shkatërrim të varrezave, ndalim të poligamisë. Djegie të fshehta të fshatrave dhe të lagjeve shqiptare nëpër qytete.
Vaso Çubriloviq, akademik, historian, ministër i dyfishtë, profesor universiteti, fitues i çmimeve të Tetorit dhe Shtatë Korrikut, anëtar i organizatës revolucionare “Bosnja e Re” dhe pjesëmarrës në atentat, u bë njëri nga krijuesit përfundimtarë të lindjes së Mbinjeriut Serb.
Ky nuk do të ishte Übermensch-i (Mbinjeriu) i Niçes. Ky do të ishte abuzues, fals, i Hitlerit, i cili do t’i vinte në majë të hundës Gjermanisë, sikurse, tonës, Serbisë.
Rreth 10.000 shqiptare she shqiptarë të Kosovës u vranë gjatë atyre tre muajve të përgjakshëm dhe të çmendur në vitin 1999.
Ushtria dhe policia e RFJ-së së atëhershme, nën kontrollin e udhëheqjes së shtetit, i dëbuan nga Kosova mbi 850.000 shqiptarë të Kosovës.
Autoritetet kufitare ua konfiskonin qytetarëve të dëbuar dokumentet personale dhe dëshmitë tjera të shtetësisë duke bërë fshirjen sistematike të identitetit të tyre.
Millosheviqi urdhëroi të asgjësoheshin të gjitha kufomat në Kosovë që do të mund të ishin me interes për Gjykatën e Hagës.
Gjatë viteve 1998 e 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen shkatërrime të mëdha, masakra, zjarrvënie, helmime pusesh, përdhunime, grabitje, vrasje të civilëve…
Krimi më i tmerrshëm, të cilin nuk mund ta pranojë një mendje e shëndoshë njerëzore, u krye në vitin 1998, në Prekaz, në zonën e Drenicës.
Forca të mëdha ushtarako-policore serbe, të armatosura me tanke, autoblinda dhe artileri, e rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe për tri ditë e tri net rresht qëlluan mbi gratë, fëmijët, të moshuarit dhe civilët tjerë.
Helikopterët dhe automjetet ushtarake qëlluan çatitë e fshatit me breshëri dhe më pas forcat e policisë hynë në fshat, duke hapur zjarr ndaj shtëpive.
Forcat serbe të sigurisë, me ndihmën e ushtrisë serbe, i vranë 56 anëtarë të familjes së Adem Jasharit. Midis tyre ishin 18 gra dhe 10 fëmijë. Një familje u shua. Ndaj saj u krye gjenocid.
Pas gjithë këtyre krimeve monstruoze, imazhet e të cilave mund të krahasohen me imazhet e krimeve fashiste të Luftës së Dytë Botërore… A duhet Republika e Kosovës, në fund të fundit, ta njohë Republikën e Serbisë?
Secila kafshë dhe secili njeri në këtë botë të trishtuar ka të drejtë ta mbrojë veten kur sulmohet nga dikush. Ashtu edhe populli i një vendi. Apo do të duhej të priste që të vriteshin të gjithë, deri te i fundit.
Shumë shqiptarë që ishin përkrahës të politikës së padhunshme iu bashkuan rezistencës së armatosur pas krimit ndaj familjes Jashari.
Një numër i madh i oficerëve të policisë që morën pjesë në aksione kundër shqiptarëve në Kosovë ende në Serbi konsiderohen heronj të luftës.
Hetimet në Serbi zhvillohen ngadal, sepse shumë prej kryesve të veprave penale janë larguar nga vendi, kurse disa prej tyre gjenden akoma në radhët e policisë.
Duhet të rrëfehet kjo histori, historia e vërtetë, e krimeve të pakuptimta të një kombi ndaj një kombi tjetër dhe ndaj vetes.
Serbët kanë vrarë edhe serbë.
Dy sulmues të maskuar, të veshur me uniforma të zeza me shenja të UÇK-së, hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe i vranë me armë automatike gjashtë të rinj të nacionalitetit serb. Kjo ka ndodhur 22 vjet më parë. Masakrën e ka organizuar Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të Serbisë.
UÇK-ja duhet të paraqitej para opinionit ndërkombëtar si organizatë terroriste dhe të justifikoheshin veprimet e forcave serbe në territorin e Kosovës.
“I besoja vendit tim, Serbisë, luftëtarët e së cilës janë të drejtë, por duket se ajo krijoi monstra që ishin në gjendje të sakrifikonin fëmijë të pafajshëm. Ata mbollën urrejtje. Nuk e di se si është e mundur që Serbia të lindë monstra të tillë. Çfarë trurësh janë këta?”
Këto janë fjalët tronditëse të Milenës, nënës së njërit prej të rinjve të vrarë.
Në afërsi të vendit të ngjarjes nuk kishte shqiptarë, por vetëm forca të ushtrisë dhe policisë serbe.
E vranë Oliver Ivanoviqin. Tinëzisht, Nga prapa. Kështu vrasin vetëm frikacakët më të mëdhenj.
Edhe vdekja flet heshtazi … Të gjitha gjurmët e vrasësve dhe ideatorëve shpien në Beograd.
Kush e di edhe sa mizori të tjera janë kryer nga ushtria dhe policia serbe, të maskuar me uniformat e UÇK-së?
Kërkoj falje për të gjitha mëkatet e popullit tim ndaj popullit shqiptar.
Edhe ne do t’i falim mëkatet e tyre.
Dhe le të vijnë në Kosovë ata serbë që nuk kanë kryer krime dhe le t’u urojnë fqinjëve të tyre të parë jetë të lumtur e të pavarur në liri në Republikën e tyre të Kosovës.
Të urojmë të bëhen anëtarë me të drejta plota të OKB-së, BE-së, NATO-s, UNESCO-s, Interpol-it dhe të gjitha organizatave tjera të cilave u përket Republika e Kosovës.
Që serbët dhe shqiptarët të nisin të bëjnë bashkë jetë të qetë dhe të sigurt.
Pas të gjitha vuajtjeve që i kanë kaluar në historinë e tyre, si rrallë ndonjë popull tjetër në botë, shqiptaret dhe shqiptarët në Kosovë, i pret nisja e jetës të cilën e ëndërruan paraardhësit e tyre, kurse ata që do të vijnë që kurrë më s’do të trajtohen si një popull i racës më të ulët.
Nuk ka dallime midis nesh, nëse ato shfaqen do të jenë në dëmin tonë.
Zoran Gjingjiqi ka thënë: “Ju them, shikoni nga e ardhmja, shikoni të ardhmen dhe atje do të takohemi,Ju dhe unë…”
Besoj se nuk do të më hidhërohej që do të shkruaj: “Shikoni nga e ardhmja, shikoni të ardhmen dhe atje, në Bashkim Evropian, do të takohen sërish Kosova, Serbia dhe Shqipëria si edhe të gjithë ata që dikur ishin pjesë e të njëjtit vend, vendit të mirë, Jugosllavisë”.
Autori është artist i teatrit. Ky shkrim është marrë nga gazeta “Danas” e Beogradit.
(r.m.)