A e di Ali Ahmeti që fati i rinisë është në duart e matrapazëve partiakë?

Dijana TOSKA

Fëmijët e milionerëve partiakë sot e luajnë rolin e bossave në sytë e të rinjëve, duke shetitur me vetura të shtrenjta e me veshje firmato përbuzin të drejtat e fëmijëve tjerë, mbyllin restorante e diskoteka, përdhunojnë vajza, thyejnë ligjin, abuzojnë me narkotikë, dhe, fatkeqësisht, për të gjitha keqpëdorimet nuk dënohen, sepse janë pjellë e të fortit dhe për ta vlera e vetme janë paratë që i bën të fortë, duke dhënë shembullin më të poshtër që mund të japë një politikan shqiptar bashkë me familjen e tij politike.

 

Pajtohem me ty Ali se brezat e shekullit të ri duhet të marrin përgjegjësi për ndryshimet që ka sjellë shekulli i ri, por çfarë përgjegjësie mund të kërkojmë nga kjo rini kur me veprimet tona të përditshme e kemi shpërfytyruar çdo vlerë.

Rinia është produkt i një shoqërie, andaj çfarë përgjegjësie mund të kërkojmë nga ata kur si shoqëri fillimisht nuk i kemi edukuar, nuk i kemi ndërgjegjësuar as nuk u jemi dëshmuar si model për rolin që kemi patur në ndërtimin e një shoqërie demokratike, aq më parë kur asnjëherë për këto 30 vite, rinia nuk është përfshirë si partnere e denjë në qeverisje, por është llogaritur vetëm si një makineri votuese për kusuritje brenda korpusit propagandues politik-partiak.

Kjo rini u rrit në një ambient të tensionuar, të kriminalizuar e të korruptuar, me afera e hajdutllëqe nga më të ndryshmet, deri në vrasje, ku protagonist kryesor janë njerëzit e politikës, të cilët vendosin për fatin e tyre.

Ju ia dëshmuat rinisë se jeni mbi ligjin, se marrja me politikë është privilegj, se paria e partive nuk mund të dënohet sepse drejtësia korruptohet brenda institucioneve ditën kur nënshkruhet marëveshja për koalicionim qeveritar.

Çfarë mesazhi u dërguat të rinjve kur mbi njëmijë e kusur të rinj i shndërruat në parazitë që marrin rroga duke ndenjur shtrirë në shtëpi, në vend që të ishte e kundërta – të shkojnë në punë, të mësojnë se si funksionon administrata publike e shtetit të tyre, të profesionalizohen dhe të fitojnë para me ndershmëri.

Ky primitivizëm e hesap partiak vuri në lajthitje e mashtroi një pjesë të madhe të rinisë për të zgjedhur rrugën më të lehtë për ndërtimin e karrierës, në vend që të fokusoheshin në arsimim sa më cilësor e të bëheshin zot të vetvetes, ata zgjodhën mosdijen, dëgjueshmërinë, përkuljen dhe, duke futur një librezë partiake në njërin xhep, në xhepin tjetër e futën edhe dinjitetin e tyre.

Shumë familje investuan në edukimin dhe në arsimimin e fëmijëve të tyre, duke ndarë nga kafshata e gojës për një të nesërme më të mirë. Por, në konkurset e hapura nga institucionet e ndryshme shtetërore, këtyre fëmijëve, edhepse i plotësonin kushtet, nuk iu mundësua kurrë të punësohen, sepse u kërkohej si kusht edhe libreza partiake. Këta të rinj sot ndjehen inferiorë dhe kërkojnë modalitete të tjera jetësore për të rigjetur veten e tyre, sepse kushtëzimet partiake ua kanë shkurtuar ardhmërinë.

Me vite të tëra, në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare, niveli i diturisë së nxënësve dhe studentëve tanë renditet kah fundi, një përqindje e madhe e nxënësve të shkollave të mesme nuk dijnë as shkrim-lexim, studentë që diplomojnë ndonëse nuk kanë as njohuri elementare dhe të tjerë që magjistrojnë e doktorojnë, por e shkruajnë gabimisht edhe emrin e vet. Nga anketa e bërë në Tetovë, më se 90 për qind e të rinjve deklarojnë se fenomeni i blerjes së notave është biznesi më fitimprurës në arsim. Ne e derdhëm edhe gjakun tonë për arsimim të lartë, për të prodhuar kuadro të reja akademike, njerëz që me dijen e tyre do ta ndriçonin udhën e kombit tonë, port ani po ndodh e kundërta, sepse vatrat e arsimit po keqpërdore nga partitë, të cilat punësojnë në arsim militantë partiakë dhe emërojnë në poste të rëndësishme drejtuese bodigardë e turli mafiozi.

Në anën tjetër, fëmijët e milionerëve partiakë sot e luajnë rolin e bossave në sytë e të rinjëve, duke shetitur me vetura të shtrenjta e me veshje firmato përbuzin të drejtat e fëmijëve tjerë, mbyllin restorante e diskoteka, përdhunojnë vajza, thyejnë ligjin, abuzojnë me narkotikë, dhe, fatkeqësisht, për të gjitha keqpëdorimet nuk dënohen, sepse janë pjellë e të fortit dhe për ta vlera e vetme janë paratë që i bën të fortë, duke dhënë shembullin më të poshtër që mund të japë një politikan shqiptar bashkë me familjen e tij politike.

Rinia po largohet nga ky vend jo nga standardi i ulëti jetesës, por nga zullumi dhe padrejtësia nga injoranca.Po ikin nga milionerët hajdutë, nga nëntoka partiake, nga pleshtat politikë dhe nga tregtarët politikë që edhe vetë Zotin e trajtojnë si biznes.

Ne, si gjeneratë, duhet t’u kërkojmë falje fëmijve tanë e brezit të ri, sepse dështuam në edukimin e rinisë, e trasuam një rrugë pa fije ideali, ishim një shembull i keq për ta. U treguam qyqarë e frikacakë, i larguam dhe i tëhuajsuam nga çdo vlerë njerëzore e kombëtare. Prandaj, sot nuk kemi kurçfarë të drejte t’u kërkojmë kurrfarë përgjegjësie për zhvillimin e të ardhmes.

Pajtohem me ty, Ali, se brezat e shekullit të ri duhet të marrin përgjegjësi për ndryshimet që ka sjellë shekulli i ri, por vetëm me kusht që atyre t’u sigurohet pavarësi veprimi. Pa një revolucion rrënjësor në fushën e arsimit e edukimit kurrë nuk do të mund t’i arrijnë vlerat e standardet e shoqërive europiane. Procesi i arsimit e edukimit nuk është një proces që zhvillohet paralalisht me vitet e moshën. Ai ndryshon me zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, ekonomik e teknologjik të një shoqërie që ndërtohet mbi vlerat, kombëtare e universale.

Shkup, 3 shkurt 2023