Ruben Avxhiu
Disa ditë më parë, mora pjesë në një nga diskutimet publike, nismë e organizatës Germin në Prishtinë, kushtuar pjesëmarrjes së Diasporës në politikën e vendit.
Në qendër të vëmendjes ishte e drejta dhe mundësia e mërgimtarëve për të votuar si dhe nevoja për një ligj për vende të rezervuara në parlament që do të përfaqësonin Diasporën ashtu si përfaqësojnë pakicat në Kosovë.
Kosova nuk është i vetmi vend në botë që po diskuton Votën e Diasporës. Nga Shqipëria fqinje çdo politikan që ka ardhur për vizitë në SHBA është treguar pozitiv ndaj idesë. Pak më poshtë, në lindje, Maqedonia ka eksperimentuar tashmë, me votën dhe me tre vende në parlament për deputetët nga diaspora. Italia gjithashtu e ka futur në praktikë prej vitesh. Në shumë vende të tjera debati vlon me energji.
Mirëpo, rrallë se mund të ketë ndonjë vend si Kosova ku diaspora e meriton më shumë të drejtën e votës dhe të përfaqësimit.
Nuk do të numëroj këtu listën e gjatë të kontributeve, po disa momente nuk mund t’i lë pa përmendur: Lobimin në Washington, financimin e sistemit paralel, remitancat që kanë sfiduar dështimin ekonomik, roli udhëheqës në investimet dhe prurjen e kapitalit nga jashtë si dhe të ardhurat nga vizitat e përvitshme. Në kohën e luftës, shqiptarët e diasporës blenë e dërguan armë e shkuan edhe vetë vullnetarë për të dhënë jetën për atdheun. Disa nuk u kthyen më kurrë.
Sigurisht që në shumë shtete, argumenti kryesor kundër votës së diasporës është se njeriu duhet të votojë për politikanët e vendit ku jeton. Po me Kosovën kemi rastin e jashtëzakonshëm që pa diasporën mund të mos kishte fare shtet.
Kosova vetë mund të përfitonte shumë nga vota e diasporës. Do të ishte një votë e mirinformuar sepse diaspora e ndjek si asnjëherë tjetër politikën dhe median në Kosovë. Do të ishte një votë e papërlyer sepse shumica e mërgimtarëve kanë një jetë të pavarur që preket nga matrapazët e politikës. Do të ishte një votë emancipuese sepse mund të sjellë në politikën e Kosovës përvojën e demokracive në vendet perëndimore ku jeton shumica e diapsorës.
Nga ana e tyre mërgimtarët do të fitonin më shumë besim te shteti që kanë ndihmuar e po ndihmojnë. Mund të marrin zemër që të investojnë më seriozisht, të përkushtojnë më shumë talente e burime në shtetin e ri. Ne jetojmë në fund të fundit në një botë globale dhe vota e diasporës vetëm sa do të normalizonte një kontekst politik që nuk mbaron më në kufijtë e shtetit.
Nëse të gjithë përfitojnë atëhere pse nuk ndodh?
Në debatin e lartpërmendur, e preka pak se megjithë me fjalë e ka mirëpritur me entuziazëm këtë ide, klasa politike e Kosovës nuk do të nxitojë që ta bëjë realitet. Po kështu edhe ajo e Shqipërisë.
Çdo vend në parlament është një pjesë e çmuar e tortës së pushtetit. Çdo vend administrate e mbushur me një njeri idealist nga Perëndimi është një kënd që rrezikon të sfidojë mentalitetin e kontrollit absolut, partiak, klanor e rajonal. Çdo votues që nuk mund të intimidohet, blihet apo gënjehet është një votues i bezdisshëm për ta ftuar në zgjedhje.
Kur skena politike copëzohet në shumë parti, si po ndodh në Kosovë, bëhet akoma edhe më e vështirë të pranosh ndarje të tjera që mund të sjellin të papritura të paparashikuara.
Ligjet mezi lëvizin në Kosovë edhe kur të gjithë duan dhe janë dakord se lojërat partiake, apatia tradicionale, përtesa e shpërqendrimi nuk lejojnë ecjen përpara. Nganjëherë ambasadorët e huaj detyrohen të joshin politikanët apo të ushtrojnë presion për të aprovuar reforma që janë jetike. Votën e diasporës e pranojnë të gjithë po që të sanksionohet me ligj duhet punë që nuk do të kryhet pa presionin e atyre që duhet ta duan më shumë: mërgimtarët.
Mërgimtarët ankohen shpesh me të drejtë se pa të drejtë vote mbeten të përjashtuar dhe të pavlerësuar. Nuk u jepet mundësia që të ndikojnë drejpërdrejt në fatin e vendit.
Po sa seriozisht e kemi ne në diasporë këtë shqetësim? Sepse vota në histori nuk i është falur askujt. Ajo gjithmonë është fituar. Nganjëherë edhe me gjak. Këtu për fat të mirë presioni politik do të mjaftojë, por diaspora duhet të organizohet e të ndikojë më forcë nëse dëshiron ta shohë ndryshimin të bërë realitet.
Dikush që e do vërtet votën e tij është i indinjuar dhe e shpreh pakënaqësinë me zë. Shqiptarët e diasporës nuk po e shfaqin sa duhet këtë sentiment. Më së paku Germin dhe politikanët, juristët dhe aktivistët që po punojnë për këtë në Kosovë duhet të mbështeten.
A është hartuar një projekt-ligj? Kush duhet ta propozojë, kush duhet ta shkruajë? Kush do të kualifikohet si votues i ligjshëm në diasporë? Kush deputet është gati ta mbështesë dhe votojë? Cilat janë hapat ku duhet të kalojë?
Diaspora duhet të formojë përfaqësi të saj për ta ndjekur çështjen. Të trajtojë në mënyrën e duhur politikanët që e pengojnë në praktikë procesin. Të injorojë fjalët e bukura dhe të pyesë se çfarë po bëhet në praktikë. Pas kaq vitesh fjalë boshe, një qendrim i ngjashëm duhet mbajtur edhe me politikanët nga Shqipëria.
Kështu vepron një komunitet që e do vërtet votën. Pa angazhim dhe presion politik, vota do të mbetet gjithmonë një premtim i bukur, një fantazi pa të cilën edhe mund të jetojmë, ashtu si kemi votuar deri tani. Ende nuk jam bindur se e kemi seriozisht këtë kërkesë. E kur nuk jam bindur unë, imagjino sa janë bindur politikanët e zyrtarët që do të duhet të lënë mënjanë punët që nuk po bëjnë, për të na dhënë diçka që mbase nuk e duam.
Në politikë ashtu si kudo në jetë, respekti nga tjetri kërkohet duke respektuar veten. Diaspora duhet të tregojë se jo vetëm e meriton por edhe e do votën në zgjedhjet politike të atdheut. Koha për ta kërkuar është tani.