Nga Deborah Block
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios të premten do të nisë nën hijen e pandemisë, e cila nxiti shtyrjen në kohë të kësaj ngjarjeje sportive, krijoi probleme me garat përpara saj, si dhe pritet të mbajë larg spektatorët nga tribunat, e madje të pengojë disa atletë të garojnë.
Për vëzhguesit e rastësishëm në Shtetet e Bashkuara, entuziazmi duket i vështirë të gjendet para Lojërat Olimpike.
“Vështirë se kemi dëgjuar shumë për këtë aktivitet“, i tha Zërit të Amerikës, Kevin Watson një banor nga Aleksandria e shtetit të Virxhinias. “Ka më pak intervista me atletë apo reklama televizive për sportet“.
Edhe para pandemisë interesi mbi Lojrat Olimpike Verore ishin në rënie.
Të dhënat e mbledhura nga faqja “Zeta Global” me bazë në Nju Jork tregojnë se 60% e amerikanëve nuk ishin të interesuar apo të ngazëllyer rreth Lojërave të Tokios. Dhe madje rreth 45% nuk i prisnin fare me padurim.
Mungesa e spektatorëve
Sipas faqes në internet “Zeta Global” mes arsyeve për këtë mungesë interesi ishin shtyrja e lojërave të vitit të kaluar, rënia e dëshirës për t’u ulur para televizorit pas një viti bllokimi si dhe ndalimi i spektatorëve për të ndjekur nga afër këtë ngjarje sportive.
“Meqenëse nuk do të ketë spektatorë për të parë, brohoritur dhe bërtitur nga tribunat, kjo e bën ngjarjen e mërzitshme“, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, Alex Willman nga Karlsbadi i Kalifornisë. “Gjeja më e bukur e çdo ngjarjeje sportive me një audiencë të madhe është të shohësh reagimin e tyre ndaj rezultatit“, shton ai.
Eliot Greenwald thotë se ai nuk i ka kushtuar shumë vëmendje aktiviteteve sportive që i paraprinë Lojërave Olimpike. Marinari nga Bethesta i shtetit të Merilendit, thotë se ndoshta interesi do t’i ndizet me fillimin e tyre, veçanërisht për sportet ujore, si lundrimi e zhytja.
Nga të gjitha disiplinat sportive, gjimnastika për femra parashikohet të jetë më e ndjekura nga amerikanët. Zeta Global parashikon që 33% e njerëzve të interesuar për Lojërat Olimpike të përqendrohen tek ky sport.
Ashley Umberger, pronare dhe trajnere kryesore në Akademinë e Gjimnastikës North Stars në Boonton, të Nju Xhersit thotë se ekipi amerikan i femrave “duhet të jetë ai që duhet ndjekur”. Amerikanët thotë ajo do të përqëndrohen për të parë Simone Biles, gjimnasten kryesore “e cila po shënon arritje te mëdha”. (Zëri i Amerikës)