A mund të jetojë Evropa pa gazin natyror rus

Bruksel, 20 korrik 2022 – Evropa është përballur me krizën energjetike edhe para se gazsjellësi Rrjedha Veriore 1, që sjell gaz nga Rusia në Gjermani, të pezullonte punimet për t’iu nënshtruar një mirëmbajtjeje të rregullt.

Zyrtarët qeveritarë po përgatiten për mundësinë që ky gazsjellës kyç të mos rinisë punën të enjten, siç është paraparë, duke thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, po përdor energjinë si levë në konfrontimin e tij me Bashkimin Evropian mbi Ukrainën.

Rusia tashmë ka ulur dërgesat e gazit natyror në Evropë që përdoren për të furnizuar fabrikat e fuqishme, për prodhim të energjisë elektrike, për ngrohje të shtëpive gjatë dimrit, dhe Putin ka paralajmëruar se furnizimet mund të zvogëlohen edhe më shumë. Dërgesat përmes Rrjedhës Veriore 1 u reduktuan për 60 për qind para se të fillonin punimet e mirëmbajtjes.

Edhe nëse ky gazsjellës rinis punën me nivelet e reduktuara, Evropa do të ketë vështirësi që të ofrojë gaz të mjaftueshëm për ngrohjen e shtëpive dhe për industrinë gjatë këtij dimri.

A i ndërpreu Rusia dërgesat e gazit për në Evropë?

Rusia ka zvogëluar dukshëm furnizimet me gaz. Edhe para nisjes së pushtimit të Ukrainës, Rusia nuk shiste gaz përmes kontratave afatshkurta. Pasi BE-ja vendosi sanksione drastike ndaj bankave ruse dhe kompanitë filluan të dërgonin armë në Ukrainë, Rusia ndërpreu gazin për gjashtë shtete dhe zvogëloi furnizimet për gjashtë të tjera.

Dërgesat për në Gjermani – shteti me ekonominë më të madhe në BE – përmes Rrjedhës Veriore 1 u reduktuan për dy të tretat, teksa Rusia ia la fajin një pajisjeje që ishte dërguar në Kanada për riparim dhe nuk ishte kthyer për shkak të sanksioneve. Liderët evropianë hodhën poshtë këtë pretendim, duke thënë se kjo ishte një lojë politike e Moskës në përgjigje ndaj sanksioneve.

Por, kjo ka bërë që 27 shtetet anëtare të BE-së të përpiqen që të mbushin depot para dimrit, kur kërkesa rritet dhe kompanitë e shërbimeve ulin rezervat e tyre në mënyrë që të mund të ngrohin shtëpitë dhe të furnizojnë termocentralet, me qëllim që t’i mbajnë funksionale.

Qëllimi i BE-së është që tani të përdorë më pak gaz në mënyrë që të mund të kursejë për dimër. Rezervat e gazit të Evropës aktualisht janë të mbushura vetëm 65 për qind, krahasuar me objektivin e vendosur më herët që rezervat të ishin 80 për qind deri më 1 nëntor.

Pse është kaq i rëndësishëm gazi natyror rus?

Para luftës, Rusia furnizonte rreth 40 për qind të gazit natyror të Evropës. Kjo sasi ka rënë në rreth 15 për qind, duke ndikuar që çmimet të rriten dhe duke rritur presionin ndaj industrive që përdorin energjinë për të funksionuar.

Gazi përdoret për një sërë procesesh që shumica e njerëzve nuk i shohin kurrë: për të farkëtuar çelikun që përdoret për të prodhuar vetura, për të prodhuar shishe qelqi dhe për të pasterizuar qumështin dhe djathin.

Kompanitë kanë paralajmëruar se ato shpesh nuk mund të ndryshojnë brenda natës në burime të tjera të energjisë, sikurse nafta ose elektriciteti, për të prodhuar ngrohje. Në disa raste, pajisjet që mbajnë metal të shkrirë ose xham prishen kur nxehtësia fiket.

Çmimet e larta të energjisë veçse po kërcënojnë për shkaktimin e recesionit në Evropë përmes inflacionit rekord, me konsumatorët që kanë më pak para për të shpenzuar teksa janë rritur çmimet e ushqimit, karburanteve dhe shërbimeve. Një ndërprerje e plotë e gazit do të ishte një goditje edhe më e madhe ndaj ekonomisë, që veçse është në telashe.

Çfarë është gazsjellësi Rrjedha Veriore 1?

Ky është gazsjellësi kryesor në Evropë për gazin natyror, që kalon nën Detin Baltik nga Rusia në Gjermani dhe po ashtu paraqet burimin kryesor të Gjermanisë për gazin rus.

Analistët në Rystad Energy thanë se nëse Rrjedha Veriore 1 vazhdon të jetë jashtë funksionit, Evropa do të arrinte vetëm rreth 65 për qind të kapacitetit të deponimit të gazit, duke krijuar një rrezik real që gazi të harxhohet gjatë sezonit të ngrohjes.

Janë edhe tri tubacione që sjellin gazin rus në Evropë, por njëra që kalon përmes Polonisë dhe Bullgarisë është mbyllur. Një tubacion tjetër, që kalon përmes Ukrainës dhe Sllovakisë, pavarësisht luftës, po sjell vetëm sasi të reduktuara të gazit, sikurse edhe tubacioni tjetër që kalon nga Turqia për në Bullgari.

Cila është loja e Putinit?

Edhe pse eksportuesit rus të naftës dhe gazit po shesin më pak energji, rritja e çmimeve nënkupton se fitimet e Putinit faktikisht janë rritur, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Qëkur nisi pushtimi, të ardhurat e Rusisë nga eksportimi i naftës dhe gazit në Evropë janë dyfishuar mbi mesataren e viteve të fundit, në 95 miliardë dollarë, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Rritja e të ardhurave të Rusisë nga energjia vetëm në pesë muajt e fundit paraqet trefishin e fitimeve ruse nga eksporti i gazit në Evropë gjatë një sezone të dimrit.

Pra, Putin ka para në dorë dhe mund të llogarisë në faturat e dhimbshme të shërbimeve dhe një recesion i energjisë mund të minojë mbështetjen publike në Evropë për Ukrainën dhe të rrisë ndjenjën për një zgjidhje të negociueshme në favor të tij.

“Bazuar në atë që ne kemi parë gjatë vitit të fundit, nuk do të ishte gjë e mençur të përjashtohej mundësia që Rusia mund të vendosë të heqë dorë nga të ardhurat që merr nga eksporti i gazit në Evropë në mënyrë që të fitojë një levë politike”, tha drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.

Vërtetë, Putin ka deklaruar se sasia e gazit që dërgohet përmes Rrjedhës Veriore 1 do të bie nga 60 milionë në 30 milionë metër kubikë në ditë, apo në një të pestën e kapacitetit të gazsjellësit, nëse turbina që u dërgua për riparim në Kanada nuk zëvendësohet shpejt. Kanadaja ka deklaruar se e ka dërguar pajisjen, por Gjermania nuk ka dashur që të tregojë se ku ndodhet ajo.

“Partnerët tanë po tentojnë që ta zhvendosin fajin për gabimet që kanë bërë Rusia dhe Gazpromi, por kjo është absolutisht e pabazë”, tha Putin për gazetarët të martën gjatë bisedimeve që zhvilloi në Teheran me liderët e Iranit dhe Turqisë.

Çfarë mund të bëjë Evropa?

BE-ja është rikthyer nga gazi i lëngshëm natyror që është më i shtrenjtë, që transportohet përmes anijeve nga vende sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Katari. Gjermania me shpejtësi po ndërton terminale për importin e gazit të lëngshëm natyror në Detin e Veriut, por ndërtimi i terminaleve mund të marrë vite kohë. Njëra prej katër terminaleve pritëse lundruese do të bëhet funksionale më vonë gjatë këtij viti.

Por, vetëm gazi i lëngshëm natyror nuk mund të mbushë boshllëkun. Objektet e eksportit për gazin e lëngshëm në botë po funksionojnë me kapacitete të plota mes tregjeve të shtrënguara të energjisë dhe më nuk ka gaz. Një shpërthim në terminalin në Friport të Teksasit – që dërgonte shumicën e gazit në Evropë, apo 2.5 për qind të furnizimeve evropiane – bëri që terminali të mbyllej brenda natës.

Ruajtja e gazit dhe burimet e tjera të energjisë janë kyçe. Për shembull, Gjermania po përdor më gjatë termocentralet me qymyr, duke krijuar një sistem, që synon të inkurajojë ruajtjen e gazit dhe rivendosjen e termostateve në ndërtesat publike.

Bashkimi Evropian të mërkurën propozoi që shtetet anëtare vullnetarisht të ulnin përdorimin e gazit për 15 për qind gjatë muajve në vijim. Komisioni Evropian po kërkon që të vendosë kufizime të detyrueshme në mbarë bllokun nëse do të ketë për një mungesë më të rëndë të gazit ose rritje të jashtëzakonshme të kërkesës.

Shtetet anëtare të BE-së do të diskutojnë për masat e reja gjatë mbledhjes urgjente të ministrave të Energjisë, që do të mbahet të martën.

Shtetet janë përpjekur që të sigurojnë furnizime alternative të energjisë, me udhëheqësit e Italisë, Francës dhe BE-së që kanë nënshkruar marrëveshje gjatë kësaj jave me homologët e tyre nga Algjeria, Azerbajxhani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

A mund të mërdhijnë njerëzit gjatë këtij dimri?

Ka pak të ngjarë që shtëpitë, shkollat dhe spitalet të mbeten pa ngrohje, pasi qeverive u kërkohet që të vendosin racionim së pari për bizneset. Qeveria gjermane gjithashtu mund të kërkojë që furnizuesit e gazit menjëherë të kalojnë rritjen te konsumatorët.

Zgjedhjet mund të përfshijnë goditjen e industrive apo rritjen e çmimeve të energjisë për konsumatorët.

Nëse Rrjedha Veriore 1 rikthehet me nivele të reduktuara të importeve të gazit, Evropës do t’i duhet të kursejë 12 miliardë metër kubik gaz, që janë të barasvlershme me sasinë që bartin 120 tankerë që transportojnë gaz të lëngshëm natyror, në mënyrë që të mbushen depot mjaftueshëm për të kaluar dimrin. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka rekomanduar që shtetet evropiane të nisin fushatat që publiku të kursejë energjinë në shtëpi dhe të planifikojnë se si të ndajnë gazin shtetet mes vete, në rast të ndonjë emergjence.

Një ndërprerje e plotë do të nënkuptonte një nevojë më të madhe për të kursyer. Dhe koha po kalon shpejt.

“Liderët evropianë duhet të jetë të përgatitur për këtë mundësi tani dhe të shmangin dëmet potenciale që do të rezultonin nga një përgjigje e pakoordinuar dhe destabilizuese”, tha Birol. “Ky dimër mund të shndërrohet në një test historik – një test në të cilin nuk lejohet dështimi – me implikime shumë më të mëdha që shkojnë përtej sektorit të energjisë”.

(REL)