Qe edhe zgjedhjet parlamentare shumë të pritura të 23 qershorit, 2013 në Shqipëri erdhën e shkuan. Fitoi aleanca e majtë e kryesuar nga Partia Socialiste. Koalicioni i majtë ka marrë 84 mandate deputetësh, ndërsa koalicioni i djathtë ka siguruar 56 mandate në Kuvendin e ri të Shqipërisë, që fillon nga puna në Shtator.
Kryeministri i deritanishëm, Dr. Sali Berisha dhe njëherazi edhe personi që dominoi politikën shqiptare gjatë 20 vjetëve të kaluara, pranoi burrërisht humbjen, mori vet përgjegjësinë për ‘të dhe njoftoi se do të tërhiqet nga funksionet e Partisë Demokratike.
Duke folur dje nga selia e partisë së tij, në një fjalim emocional, kryeministri Berisha tha se, “Qytetarët tanë votuan me shumicë projektin e kundërshtarit tonë”, dhe uroi kundërshtarin e tij politik, zotin Edi Rama për fitoren e tij me fjalët: “Duke njohur rezultatin, i uroj atij punë të mbarë”.
Edhe fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i ardhëshëm Edi Rama, në fjalimin e tij të fitores, njohu kontributet e kundërshtarit të tij politik, Kryeministrit Berisha, për të cilin tha se, “Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Por, sonte unë dua ta falenderoj atë për çdo gjë të mirë që historia, mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se timin sot, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”.
Duke qenë dëshimtarë të këtyre deklaratave qytetëruese midis dy politikanëve kryesorë shqiptarë pas një fushate tepër të ashpër midis tyre, përfituan nga rasti dhe reaguan shpejtë edhe ndërkombëtarët, të cilët përgëzuan koalicionin e majtë për fitoren dhe vlerësuan punën e Kryeministrit Sali Berisha për tetë vitët e qeverisjes së tij.
Komisioneri i Baskimit Europian për Zgjërimin, Z. Stefan Fyle përgëzoi koalicionin a majtë që fitoi në zgjedhjet e së dielës duke thënë se pret që qeveria e ardhëshme do të vazhdojë të zbatojë reformat e nevojshme për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Duke folur për arritjet e qeverisë Berisha, përfaqsuesi europian tha se, “Tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë reformash të rëndësishme dhe të rritjes ekonomike. Shqipëria ka arritur përparim të dukshëm në rrugën e integrimit evropian. Liberalizimi i vizave, si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për statusin e kandidatit janë dëshmi për këtë, tha ai. Stefan Fyle tha gjithashtu se megjith sfidat e shumëta me të cilat përballet sot Shqipëria, “Kjo është koha që shqiptarët të shikojnë përpara me besim, të bashkuar, drejt të ardhmes së tyre evropiane”, ka thënë Fyle.
Edhe Shtetet e Bashkuara reaguan nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, me të njëjtin ton, duke përgëzuar shqiptarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e të djelës që kaloi, dhe njëkohsisht u bëhet thirrje udhëheqësve shqiptarë, që pas formimit të qeverisë së re të riangazhohen për thellimin e reformave që nevojiten për integrimin europian të vendit. Ambasada amerikane në Tiranë, në emër të Uashingtonit zyrtar falënderon Kryeministrin në largim, Z. Sali Berisha, duke vlerësuar mbështjetjen e tij qëndrueshme për marrëdhënjet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Humbja në politikë nuk është kurrë e këndshme, për askënd. Por maturia dhe profesionalizmi politik, e pse jo edhe burrëria shqiptare, e treguar kësaj radhe nga dy forcat kryesore të vendit, kanë tërhequr vëmendjen e shumë vërejtësve, si diçka shumë pozitive për politikën shqiptare, diçka që nuk është venë re në zgjedhjet e më parëshme, të cilat gjithmonë kanë qenë të kontestuara nga humbësi, ose humbësit.
Deklaratat pasqyruan një atdhedashuri që, të pakën, tani për tani, duket se tejkalon interesat vehtjake e partiake. Një atdhedashuri e thjeshtë, e pa bujë, por një atdhedashuri që i sjellë Shqipërisë dhe kombit shqiptar dobi, tani dhe në të ardhmen. Në këtë moment të historisë së kombit shqiptar, kjo është edhe një dëshirë edhe e të gjithë shqiptarëve të përhapur anë e mbanë botës, përfshirë edhe diasporën e fortë dhe urë-lidhëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin strategjik të kombit shqiptar. Megjithëse larg Atdheut, dhe për arsye historike, pa të drejtë vote, shqiptarët kudo ia duan të mirën Shqipërisë. Duam ta shohim atë të lavdëruar, të përparuar dhe të nderuar jo vetëm në sytë e vetë shqiptarëve, por edhe para botës së qytetëruar. Gjatë shekullit të kaluar, kombi shqiptar u gjënd—kundër vullnetit të tij – në shtigje të papritura dhe shkatërruese. Por jeta dhe rrethanat e historisë ndryshojnë çdo ditë, për shqiptarët dhe për njerëzimin, e të cilat sot kërkojnë një kulturë të re politike. Një kulturë, mbi të gjitha, të atdhedashurisë për fatin e Atdheut. E kjo dashuri pikëspari qëndron dhe lulëzon, në mos në dashurinë për njëri tjetrin, atëherë në respektin për njëri tjetrin – për ndryshe mohohet mundësia e një bashkjetese mbrenda shtëpisë së përbashkët. Kundërshtarët dhe armiqtë e kombit shqiptar, historikisht, kanë pretenduar se Shqiptarët nuk mund të qeverisin vetveten. Ata gjithmonë do të thonë këtë, por të pakën, klasa politike shqiptare të mos u japë municion në mbështetje të këtij pretendimi.
Deklaratat e protagonistëve kryesorë të politikës shqiptare, pas zgjedhjeve të të djelës së kaluar, të japin shpresë për një tranzicion të qetë dhe për një të ardhme demokratike të Shqipërisë. Le të shpresojmë se deklaratat e Kryeministrit në largim, Z. Sali Berisha dhe ato të Kryeministrit të ardhëshëm Z. Edi Rama, pas numërimit të votave, të pasqyrojnë edhe mendimet dhe pikpamjet e tyre dhe të partive që ata përfaqësojnë. Për ndryshe këto deklarata politike, nga të dyja palët, do të konsiderohen si një mashtrim dhe lojë e radhës, që mund të kënaqin vetem ata që angazhohen në to, por njëkohsisht vështirëson jashtë mase shkuarjen përpara të kombit shqiptar në rrugën fatale të tij që i ka caktuar historia.
Unë flas kështu, jo për të mbrojtur njërën ose tjetrën parti, ose njërin ose tjetrin udhëheqës politik, por flas kështu, nga Amerika e largët, nga një urgjencë që ndjej si shqiptar, se kombi shqiptar ka nevojë për një bashkim të të gjitha forcave të tij për të kapërcyer sfidat dhe krizat, të cilat duket se ende e trazojnë dhe rëndojnë mbi kombin shqiptar, madje edhe pas 20-vjetë të rënjes së komunizmit. Të shpresojmë se të gjithë Shqiptarët, e sidomos klasa politike shqiptare, me një marrëveshje vëllazërore, gjithmonë do të “sjellin ujin në mulli të Atdheut”, për triumfe të reja të racës arbërore. Kjo është porosia e heroit kombëtar dhe prijsit të të gjithë Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbe, por edhe dëshira e të gjithë Shqiptarëve kudo. Me bashkpunim, vëllazërim dhe tolerancë politike dhe njerëzore ndaj njëri tjetrin për të mirën e vendit dhe të kombit të tyre, Shqiptarët do të kenë mbështetjen jo vetëm të aleatëve të tyre perëndimorë, por edhe bekimet e të Madhit Zot për agime të reja të kombit tonë shumë të vuajtur.
Tani gjithçka varet nga mënyra se si koalicioni i majtë to të menaxhoj fitoren dhe si koalicioni i djathtë do të menaxhoj humbjen. Deklaratat e Zotërinjve Berisha dhe Rama japin shpresë se diçka mund të ketë ndryshuar në Shqipëri, në krahasim me të kaluarën. Mirëpo, kjo mbetet për tu parë në ditët, javët, muajtë dhe vitet e ardhëshme.