Insistimi për të rikthyer Serbinë në Kosovë duke bosnjizuar atë, është një shkelje fragrante e rregullave që vendosi bashkësia ndërkombëtare me fuqinë e bombave të aeroplanëve të NATOs në muajt mars-qershor të vitit 1999. Se çfarë ka ndodhur në Ballkan, kur kjo fuqi nuk ka ardhur në shprehje, e kemi të feskët shembullin e Bosnjës e Hercegovinës, e cila u shkërmoq nga brenda sipas kufinjve etnik, duke i dhuruar serbëve një entitet që s’e kishin patur kurrë më parë. Republika Srpska në BeH është produkt i pavendosmërisë së bashkësisë ndërkombëtare për të imponuar zgjidhje të qëndrueshme dhe i presioneve direkte të Serbisë. A ka rrezik që pavendosmërie e bashkësisë ndërkombëtare (sidomos e BE-së) të reprizohet edhe në Kosovë?
Serbia nuk e njeh Pakon e Ahtisarit, sepse sipas Gjykatës Kushtetuese të saj, Kosova nuk ekziston si shtet dhe për rrjedhojë nuk janë të zbatueshme marrëveshjet ndërkombëtare që bëhen me Kosovën.
Në anën tjetër, Kosovës i bëhet presion nga Beogradi, nga Brukseli, por çudirëisht edhe nga opozita në Prishtinë, që ta jetësojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe – derivat i Pakos së Ahtisarit e nënshkruar dy herë më 2013 dhe 2015.
Tani, duhet sqaruar një paqartësi.
Si qenka e mundur që Kosova të mos njihet si shtet nga Serbia, por kur janë në pyetje interesat nacionale të saj, atëherë Kosova duhet të sillet si shtet në arenën ndërkombëtare dhe të formojë Asociacionin e komunave serbe?!
Pra, Kosova si shtet, sipas Serbisë, duhet kuptuar vetëm si servis i interesave të pakicës serbe, por jo edhe si shtet që buron nga sovraniteti i popullit shqiptar – shumicë, një aspiratë kjo shekullore e ujitur me gjak e lot.
Me fjalë të tjera, Kosova është dhe nuk është shtet, varësisht prej kandarit të Beogradit.
Si është e mundur që Serbia të mohojë shtetësinë e Kosovës dhe madje atë ta përfshijë në Kushtetutën e saj, për interesa të saj, kurse Kosova – në anën tjetër, nuk paska të drejtë të mbrojë shtetësinë e saj, duke zbatuar vendimin e Gjykatës së saj Kushtetuese e cila pat kontestuar disa pika të Marrëveshjes së 2015-tës, që ishin në kundërshtim të plotë me Kushteutën?!
A ka në Bruksel jurist dhe ekspert të fushave që ua sqarojnë këto finesa dhe paqartësi Borellit dhe Lajçakut, apo ata po sillen sikur gjithçka është normale në raportet Kosovës-Serbi, por sikur po mungon vetëm vullneti i Prishtinës zyrtare për të plotësuar orekset hegjemoniste të Serbisë. Sipas kësaj logjike, Kosova për të arritur kompromisin me Serbinë, duhet të heq dorë nga një pjesë e sovranitetit të saj në dobi të pakicës serbe, sepse, fundja, këtë shteg e kishin trasuar edhe paraardhësit e Kurtit, të cilët pranuan që të rinegocojnë statusin e Kosovës, pa ua kërkuar askush nga bashkësia ndërkombëtare.
Sikundër dihet Kosova dhe Serbia kishin zhvilluar që nga viti 2006 negociata në Vjenë për formën dhe përmbatjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, ndonëse shumica e këtyre negociatave ishin zhvilluar për statusin e serbëve brenda shtetit të Kosovës. Trajtat çoroditëse të këtyre negociatave ishin bërë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (2008), gjegjësisht pas mendimit të GJND-së (2009) mbi rregullshmërinë e pavarësisë së Kosovës, atëherë kur udhëheqja kosovare, pas vitit 2013, kishte pranuar të futet në aranzhmane të rrezikshme për Ahtisarin plus, që do të fuste në derë të vogël bosnjizimin e Kosovës.
Kjo i hapi pastaj udhë Beogradit që të angazhohet në një fushatë ndërkombëtare në pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, në njërën anë, dhe të fuqizojë praninë në komunat në veri të Kosovës, në anën tjetër, duke i mbështetur ato financiarisht, me logjistike dhe me resurse njerëzore.
Fatkeqësisht BE nuk përgatiti kurrfarë mekanizmash që do të parandalonin bllokimin e Beogradit ndaj progresit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Nëse ekipi negociator i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Kurti, insiston në respektimin e realitetit politik, e institucional, i krijuar pas vitit 1999 në Kosovë, kjo i bie që udhëheqja shqiptare e Prishtinës po respekton vullnetin dhe gatishmërinë e bashkësisë ndërkombëtare (SHBA, NATO, BE) për përzënien e Serbisë nga Kosova dhe për rrjedhojë dizajnimin infrastrukturës shtetërore në frymën e këtij realiteti të ri.
Insistimi për të rikthyer Serbinë në Kosovë duke bosnjizuar atë, është një shkelje fragrante e rregullave që vendosi bashkësia ndërkombëtare me fuqinë e bombave të aeroplanëve të NATOs në muajt mars-qershor të vitit 1999.
Se çfarë ka ndodhur në Ballkan, kur kjo fuqi nuk ka ardhur në shprehje, e kemi të feskët shembullin e Bosnjës e Hercegovinës, e cila u shkërmoq nga brenda sipas kufinjve etnik, duke i dhuruar serbëve një entitet që s’e kishin patur kurrë më parë. Republika Srpska në BeH është produkt i pavendosmërisë së bashkësisë ndërkombëtare për të imponuar zgjidhje të qëndrueshme dhe i presioneve direkte të Serbisë, prandaj synimet grabitqare të Beogradit sot janë shprehje e kësaj pavendosmërie dhe çfarëdo përpjekje politike të bëhet për ta ruajtur Bosnjën e Hercegovinën nga shkërmoqja e mëtejshme, gati janl të pamundura.
A ka rrezik që pavendosmërie e bashkësisë ndërkombëtare (sidomos e BE-së) të reprizohet edhe në Kosovë, duke i hapur udhë bosnjëzimit të saj dhe a do të ndërhyjë Washingtoni që ta pengojë këtë proces të rrezikshëm?
Shkup, 11 korrik, 2021