A mund të riktheheni në Shtetet e Bashkuara pasi ju kanë deportuar?

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Ajo që pritet prej kujtdo që është deportuar nga Shtetet e Bashkuara është që të mos rikthehet aty përpara se të kalojë një numër i caktuar vitesh – minimumi pesë vjet. Megjithatë egzistojnë kërkesa për përjashtime (waivers) për të cilat mund të aplikoni dhe që ju lejojnë të hyni në Shtetet e Bashkuara përpara se të mbushet koha e caktuar e pritjes.

Në shumicën e rasteve, me të kaluar koha e caktuar e pritjes, jeni të lirë të aplikoni për një vizë të re ose për green card. Por zyrtarët e emigracionit të SHBA-së sigurisht që do ta shohin më me kujdes arsyen pse ju kanë deportuar dhe nëse kjo arsye luan rol në mundësinë për t’u kualifikuar për vizë amerikane ose green card. Për shembull, dikush që ka kryer një krim jashtëzakonisht të rëndë do ta ketë të vështirë t’i bindë zyrtarët e emigracionit amerikan që ta lejojnë të hyjë në SHBA.

Pas largimit, sa vite duhet pritur përpara së të mund të aplikohet për të rihyrë në Shtetet e Bashkuara?

Nëse keni një urdhër dëbimi ose largimi në dosjen tuaj të imigracionit, ka mundësi që të mos ju lejohet të aplikoni për të hyrë në SHBA për pesë, dhjetë ose 20 vjet. Ligji që vihet në zbatim në këtë rast gjendet në Seksioni 212 të ligjeve të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë (I.N.A.). Në vijim po japim një përmbledhje të shkurtër:

Cilët nga personat e deportuar përballen me ndalim 5-vjeçar hyrjeje

Nëse me të mbërritur në një pikë hyrjeje të SHBA-së, u dëbuat pa shumë formalitete, pasi u kualifikuat si “i papranueshëm”, ose nëse erdhët në SHBA, por ju kaluan menjëherë në procedura deportimi dhe më pas ju dëbuan, atëherë mund të mos keni të drejtë të ktheheni në SHBA për pesë vjet. Ndalimi pesëvjeçar zbatohet edhe në rastet kur nuk jeni paraqitur në seancën dëgjimore me një gjyqtar të emigracionit në Shtetet e Bashkuara.

Cilët nga personat e deportuar përballen me ndalim 10-vjeçar hyrjeje

Nëse një gjykatës i emigracionit (IJ) në fund të seancës gjyqësore ju ka dhënë urdhër deportimi, atëherë nuk do të mund të ktheheni në Shtetet e Bashkuara pa kaluar dhjetë vjet nga dita që është caktuar që të largoheni.

Cilët nga personat e deportuar përballen me ndalim 20-vjeçar hyrjeje

Nëse jeni dënuar për një krim të rëndë ose keni marrë më shumë se një urdhër largimi, atëherë nuk do të keni të drejtë të riktheheni në SHBA për 20 vjet. Dhe nëse, pas largimit, keni hyrë në SHBA pa leje, ose keni rihyrë ilegalisht në SHBA pasi keni qenë më parë në SHBA në mënyrë të paligjshme për më shumë se një vit, ka të ngjarë që t’ju ndalohet të hyni në Shtetet e Bashkuara për 20 vjet ose përgjithmonë (rasti kur do t’ju duhet leje e posaçme për t’u rikthyer).

Opsionet për rikthim pas dëbimit

Nëse ju kanë dhënë urdhër të largoheni nga SHBA-ja, egziston një numër i kufizuar opsionesh që mund t’ju mundësojnë rikthimin aty në mënyrë të ligjshme.

Së pari, do t’ju duhet një arsye për të aplikuar për vizë amerikane ose green card. Askush nuk mund ta kthejë kohën pas dhe të rimarrë statusin e mëparshëm të emigracionit (nëse ka patur një të tillë).

Për shembull, sponsorizimi nga një punëdhënës ose një anëtar i familjes janë mundësitë më të zakonshme për t’u bërë “të pranueshëm”, pra për t’u kualifikuar për green card. Gjithashtu, në varësi të aftësive dhe planeve që keni, mund të kualifikoheni për vizë joemigruese që do t’ju lejonte një qëndrim të përkohshëm, si p.sh. vizë vizitori B-2 ose vizë studentore F-1.

Megjithatë, përpara se të mund të aplikoni për ndonjë nga këto forma hyrjeje në SHBA, do t’ju duhet të paraqisni një waiver dmth një kërkesë që t’ju “falet” urdhri i mëparshëm i deportimit dhe t’ju japet leje për të rihyrë në SHBA me vizë ose green card.

Nëse nuk ju lejohet të hyni për një periudhë 20-vjeçare, do t’ju duhet të prisni për të paktën dhjetë vjet jashtë SHBA-së, përpara se të mund të aplikoni për waiver.

Hidhni llotarinë amerikanë të vizave 2026: Periudha për t’u regjistruar për programin e vizave emigruese të shumëllojshmërisë (llotaria amerikane) DV-2026 nëpërmjet internetit filloi të mërkurën më 2 tetor, 2024 në orën 12:00 në mesditë sipas Eastern Daylight Time, EDT (GMT-4) (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë) dhe përfundon të martën, më 5 nëntor, 2024 në orën 12:00 në mesditë sipas Eastern Daylight Time, EDT (GMT-4) (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë).

Në shkrimin e javës së ardhshme do t’ju japim informacion më të detajuar lidhur me programin e “llotarisë amerikane”.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]