A mund të shmangë Meloni një luftë tregtare mes SHBA-së dhe BE-së?

Romë, 17 prill 2025 – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, do të takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Uashington. Në takim pritet të diskutohet për tarifat e paralajmëruara nga Trump për produktet që importohen nga Bashkimi Evropian.

“Është e qartë se vendosja e tarifave të reja do të kishte pasoja të rënda për prodhuesit italianë. Dhe unë jam e bindur se ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar një luftë tregtare që nuk do të përfitonte as SHBA dhe as Evropa.” Kështu është shprehur më parë Meloni.

Marrëdhënia e Melonit me Trump konsiderohet shumë e mirë, prandaj, mbështetësit e saj shohin atë si lideren e re të fortë në BE. Por, plitikani i opozitës dhe ish-kryeministri Matteo Renzi i sheh gjërat ndryshe.

“Propaganda e qeverisë italiane në muajt e fundit ka qenë: “Do ta shihni, do të vendosin tarifa për të gjithë, përveç Italisë”. Pikërisht për shkak të ‘marrëdhënies speciale’, për shkak të marrëdhënies speciale mes Melonit dhe Trump-it”. Por e kemi parë që nuk është kështu, thotë Renzi.

“Ne evropianët jemi të gjithë në të njëjtën varkë”, shtoi ai.

A mundet Meloni të kuptohet kaq mirë me Trumpin dhe të parandalojë një luftë tregtare midis BE-së dhe SHBA-së?

Piero Ignazi, një studiues politik në Universitetin e Bolonjës, dyshon për këtë. Ai thekson se takimi i Melonit me Trumpin nuk është gjë tjetër veçse një takim kortezie.

“Në fund të fundit, ajo nuk është negociatore zyrtare për gjithë BE-në, edhepse Meloni është në koordinim të ngushtë me presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, siç raportohet nga Brukseli”, thotë ai..

Ignazi beson se Meloni do të përfaqësojë kryesisht interesat italiane gjatë kësaj vizite dhe shpreson ndoshta të përdorë marrëdhëniet e saj të mira me Trump për të siguruar që Italia të marrë trajtim preferencial. Kjo mund të kthehet në problem, thekson eksperti.

“Meloni mund të tundohet të veprojë e vetme në vend që të negociojë me partnerët evropianë. Kjo do të ishte shumë e vështirë për Italinë, sepse do të shkaktonte shumë reagime – jo vetëm nga BE-ja në tërësi, por edhe nga shtetet evropiane më vete”, thekson ai.

Në BE, Meloni paraqitet si një partnere e besueshme dhe një evropiane e bindur. Në fund të fundit, ajo ka nevojë për para nga BE, pasi borxhi kombëtar i Italisë është i madh. E kjo nuk e lehtëson veprimin e saj balancues midis Trumpit dhe BE-së. 

Por, pavarësisht se si do të përfundojë biseda mes Trump dhe Melonit, kryeministrja mund të rifillojë negociatat menjëherë pas vizitës. Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance vjen në Romë për një vizitë gjatë Pashkëve.

(DW)

Comment

*