Abazi: Ka videoregjistrime të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, Prokuroria të intervistojë Kurtin e Haxhiun

Prishtinë, 16 shkurt 2023 – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se ka video-incizime ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, nga laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Abazi, në një konferencë për medie, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se lidhur me këtë skandal Prokuroria Speciale duhet të marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti, Albulena Haxhiun, Dejona Mihalin, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj-Bajramin.

“IML-ja është në monitorim me kamera 24 orë. Dhe thash që prokuroria duhet të marr në pyetje Albin Kurtin, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj Bajrami. Rasti i Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve që kërkojnë drejtësi. Dhe platforma e LVV-së ka qenë që drejtësia duhet të dal në dritë”, ka thënë Abazi.

Ai ka pyetjen se si është e mundur të zhduken mostrat e Deharit të ndjerë dhe kryeministri Kurti mos të thotë asnjë gjë.

“Ne as si shoqëri, si qytetarë e as si deputet nuk mund të rrimë të heshtur përball një procesi të këtillë. Të gjithë duhet ta kryejmë punën që na takon. IML-ja është e monitoruar 24 orë prej kamerave. Dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi se kush i ka nxjerr mostrat dhe janë zhdukur, rrjedhimisht porosia ime për Haxhiun është që të kryej punën e saj si ministre, që ka obligim si ministre para Kuvendit të Kosovës “, ka thënëai.

Abazi ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka vendosur ta shkarkojë nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe ta heqë nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë. Ai ka thënë se, pavarësisht kësaj, ai do të vazhdojë të jetë anëgtar i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

“Nuk do të largohem nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. E thash në fillim që nuk kam votë kundër e as dalje nga Lëvizjas Vetëvendosje. Nuk kam asnjë agjendë prapa, në kuptimin që do të kem dalje në partitë e tjera”, ka thënë ai.

(r.m.)