Podgoricë, 22 janar 2022 – Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, njëherit kryetar i lëvizjes qytetare URA, ka reaguar lidhur me ofendimet dhe fyerjet që iu bënë nga një grup mbështetësish të kryeministrit Zdravko Krivokapiq, të premten në mbrëmje në Podgoricë.
Në një postim në Facebook, Abazoviq ka shkruar se ai nuk është i zemëruar për ofendimet, por me inspiruesit dhe nxitësit e protestës. Ai ka thënë se e mbron të drejtën e qytetarëve për të protestuar, ndërkaq atyre që nxisin urrejtje në Mal të Zi ka thënë se do t’ua tregojë vendin.
Abazoviq ka shprehur bindjen se nisma e tij për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe për formimin e qeverisë së pakicës do të kalojë në Kuvend dhe Mali i Zi do të ecë përpara në rrugën e zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
“Të ecim rrugës së pajtimit dhe të dalim nga matrica e së shkuarës.
Unë nuk i arsyetoj fjalët e pista qytetarëve, por e mbroj të drejtën e tyre për të protestuar dhe për t’i shprehur pakënaqësitë. Me kalimin e viteve është grumbulluar shumë padrejtësi, andaj një reagim i tillë është logjik.
Ndërkaq atyre që nxisin urrejtje dhe ulen në kolltuqe unë do t’ua tregoj vendin gjithmonë.
Nëse kemi mundësi të formojmë një qeveri, kjo do të jetë një qeveri e pajtimit!
Të gjithë janë të mirëpritur: malazezët, serbët, boshnjakët, shqiptarët, kroatët, ortodoksët, katolikët, muslimanët,… Është ideja ajo që ka rëndësi, nuk është përkatësia!
Le të dalim nga matrica – të pajtohemi me Malin e Zi dhe të shikojmë përpara!
Jini të sigurtë se Mali i Zi mundet!”, shkruan Abazoviq.
Ky reagim vjen pas fyrjeve dhe ofendimeve që iu bënë nga një grup mbështetësish të kryeministrit Krivokapiq, të cilët protestuan kundër Abazoviqit para televizionit publik të Malit të Zi. Nga turma e protestuesve janë dëgjuar fyerje të shumta, përfshirë edhe fyerje dhe kërcënime në baza etnike. Ndër të tjera është dëgjuar edhe thirrja “Nuk do të lejojmë të na komandojnë shqiptarët”.
Abazoviq, gjatë intervistës në televizionin publik, ka thënë se Mali i Zi ka përpara vetëm dy opsione.
“Qeveria aktuale ka përfunduar misionin e saj dhe në periudhën e ardhshme do të duhet të zgjedhë mes dy koncepteve: qeverisë së pakicës apo qeverisë teknike dhe shkurtimit të mandatit të Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka thënë ai.
Lëvizja qytetare URA që drejtohet nga Abazoviqi e ka dërguar në Kuvend nismën për rrëzimin e Qeverisë së Malit të Zi, në mënyrë që t’i hapë rrugë formimit të një qeverie të pakicës. Kjo nismë ka hasur në mbështetjen e partisë të më madhe opozitare, Partisë Demokratike të Socialistëve, si dhe të disa partive të komuniteteve pakicë, por është kundërshtuar nga koalicioni i partive në pushtet, të cilatkonsiderohen si parti pro-serbe dhe pro-ruse.
Kryeministri Zdravko Krivokapiq, i cili gëzon mbështetjen e subjekteve proserbe, e ka cilësuar si “mashtrim” përpjekjen e lëvizjes qytetare URA për formimin e qeverisë së pakicës. Ndërkaq, zëvendëskryeministrin Abazoviq e ka akuzuar për “tradhti”.
Krivikapiq e ka proceduar në Kuvend propozimin për shkarkimin e Abazoviqit nga pozita e zëvendëskryeministrit dhe të ministrave të caktuar nga lëvizja URA.
Kuvendi i Malit të Zi ka caktuar tri seanca të jashtëzakonshme për muajin shkurt: për shkarkimin e Abazoviqit, për shkurtimin e mandatit të Kuvendit dhe për votëbesimin e Qeverisë aktuale.
(r.m.)