Podgoricë, 11 korrik 2022 – Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kërkoi falje për deklaratën e tij mbi gjenocidin në Srebrenicë, e cila shkaktoi reagime të fuqishme në Bosnjë dhe në Mal të Zi.
“U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Gjenocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt”, shkroi Abazoviq në Telegram.
Kërkim-falja e tij erdhi pas reagimit të familjarëve të viktimave të gjenocidit, shoqatave dhe përfaqësuesve të partive politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi, të cilat thanë se Abazoviqi e relativizoi gjenocidin në Srebrenicë.
“Gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve dhe nuk u krye nga ushtritë, por nga politikanët, politika e së keqes, politika e vdekjes dhe politika e mashtrimit”, thuhej në deklaratën e pare të Abazoviq, me rastin e 27-vjetorit të gjenocidit të serbëve kundër boshnjakëve muslimanë në Srebrenicë.
Shoqata “Nënat e Srebrenicës” tha se Abazoviq duhet t’u kërkojë falje të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
“Fëmijët tanë u vranë vetëm sepse ishin boshnjakë, ata u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizim të krimit”, tha kjo shoqatë përmes Twitterit.
Qendra Memoriale e Srebrenicës i sugjeroi Abazoviqit të lexojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare.
“Megjithatë, ndaj boshnjakëve u krye gjenocid – sepse motivi i vrasjeve nuk ishte ‘vrasja e njerëzve’, por vrasja dhe shkatërrimi i një popullo. Këtë ju mësojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Lexoni ato”, shkroi kjo qendër në Twitter.
Shoqatat e familjarëve të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë kujtoi se termi “gjenocid” shpreh “synimin për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.
Ndaj deklaratës së Abazoviqit reagoi edhe Partia Socialdemokrate e Malit të Zi, e cila është pjesë e Qeverisë së Abazoviqit.
“Kryeministri i Malit të Zi po e relativizon gjenocidin në Srebrenicë? Turp për ty Dritan!”, ka shkruar deputetja e kësaj partie, Draginja Vuksanoviq-Stankoviq.
Në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari u varrosën eshtrat e 50 viktimave që janë identifikuar së voni.
Në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë forcat serbe ekzekutuan mbi 8,000 burra dhe djem muslimanë dhe i groposën në varreza kolektive.
Masakra e Srebrennicës është vlerësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.
(r.m.)