Podgoricë, 19 gusht 2022 – Një grup deputetësh të parlamentit të Malit të Zi që mbështesin kryeministrin Dritan Abazoviq, kanë nënshkruar një nismë për ristrukturimin e qeverisë, që e kanë paraqitur në seancën rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij, kërkuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, dhe disa parti të tjera.
Pas më shumë se katër orë debatesh rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Dritan Abazoviq, në parlamentin e Malit të Zi u dha pushim me kërkesë të Frontit Demokratik për të zhvilluar një takim në përpjekje për arritjen e marrëveshjes për ristrukturimin e qeverisë aktuale, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020.
Pas takimit kryeministri Dritan Abazoviq tha se është arritur një marrëveshje për rindërtimin e qeverisë, me deputetët e listës “E Zeza mbi të Bardhë” dhe Partia Popullore Socialiste.
Marrëveshja shpreh gatishmërinë e këtyre dy forcave politike për rindërtimin e qeverisë në bazë të disa parimeve.
“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit; reformat dhe përgatitja e zgjedhjeve; një zgjidhje e përbashkët për emërimet në drejtësi; Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj kursit evropian dhe bashkëpunimit rajonal; si dhe shprehin gatishmërinë për të vendosur një moratorium për të gjitha çështjet e identitetit që përçajnë shoqërinë”, tha Abazoviq.
Zoti Abazoviq, vuri në dukje se ” rindërtimi i qeverisë nënkupton pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve politikë në qeveri, përveç kërkuesve të mocionit të mosbesimit Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Gjukanoviq, Partisë Social Demokrate, Partisë Liberale dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve.
Nënshkruesit e marrëveshjes kanë rënë dakorduar që të bëjnë korrigjime në përputhje me marrëveshjen.
Diskutimet për rindërtimin e Qeverisë së Malit të Zi do të fillonin menjëherë pas përfundimit të seancës së parlamentit të Malit të Zi.
“Seanca e parlamentit sigurisht që duhet të vazhdojë dhe do të shohim se cili do të jetë epilogu përfundimtar”, deklaroi Abazoviq dhe shtoi se mbetet të shihet nëse ka vullnet për zgjerimin e numrit të nënshkruesve të kësaj nisme.
Ai shtoi se dokumenti do t’u përcillet edhe forcave politike të pakicave.
Partitë që kërkuan votëbesimin e qeverisë, kanë thënë se e morën nismën për shkak të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimit të tensioneve ndëretnike në vend.
Ata thonë se në vend që të ndjekë rrugën evropiane, qeveria po kryen eksperimente politike.
“Pas qeverisë së ekspertëve dhe (qeverisë) së pakicës, Mali i Zi nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje për një qeveri legjitime”, tha Danijel Zhivkoviq, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Socialiste, të presidentit Milo Gjukanoviq.
Kryeministri Abazoviq thotë se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk ka të bëjë me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe. “Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe mos u fshihni pas evropianizmit tani”, tha zoti Abazoviq.
Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe shkaktoi përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse, theksuan se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze. Edhe shoqëria civile dhe opinionistë të pavarur patën vërejtje serioze për përmbajtjen e Marrëveshjes.
Në fillim të gushtit, kryeministri Abazoviq i refuzoi zyrtarisht të gjitha kundërshtimet e organizatave joqeveritare, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, si dhe institucioneve të tjera në vend.
Për të rrëzuar qeverinë, e cila deri tani funksiononte si qeveri pakice, nevojiten votat e të paktën 41 nga 81 deputetëve të parlamentit të Malit të Zi. Është e paqartë se cili do të jetë epilogu i seancës parlamentare, sepse Fronti Demokratik, si parti pro-ruse, apo Demokratët e Alekse Beçiqit dhe Partia Boshnjake, ende nuk janë shprehur se si do të votojnë. Një pjesë e votave të tyre, të paktën pesë, nevojiten për rrëzimin e qeverisë.
Gjatë seancës, përfaqësuesit e Fronti Demokratik kërkuan ndërprerjen e saj dhe propozuan, që partitë fituese të zgjedhjeve parlamentare të gushtit të vitit 2020, të formojnë përsëri një qeveri teknike, siç bënë dy vjet më parë.
Fronti Demokratik dhe partia tjetër, Demokratët, kanë kërkuar një seancë tjetër parlamentare më 2 shtator, për të debatuar një mocion tjetër mosbesimi, nëse qeveria e kryeministrit Abazoviq i mbijeton votimit të tanishëm.
Propozimi për votën e mosbesimit në shtator, është paraqitur nga 32 deputetët e këtyre dy partive, duke përmendur si arsye “humbjen e kapaciteteve funksionale dhe thellimin e krizës ekonomike”.
Parimet e iniciativës për ristrukturimin e Qeverisë së Malit te Zi:
- Qeveria dhe shumica parlamentare do të forcojnë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet.
- Qeveria dhe shumica parlamentare do të zbatojnë reformën zgjedhore dhe do të bëjnë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur.
- Qeveria do të intensifikojë reformat ekonomike me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës së popullsisë dhe drejtimin e fokusit politik të saj kryesisht drejt temave socio-ekonomike.
- Qasje e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së zgjedhjes së Këshillit Gjyqësor, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorit të Lartë të Shtetit dhe fillimin e një dialogu intensiv me opozitën parlamentare për këto çështje me qëllim të krijimit të konsensusit sa më të gjerë.
- Qeveria mbetet maksimalisht e përkushtuar për ruajtjen e kursit të politikës së jashtme, integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal, si dhe përafrimin e plotë të politikës së jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe kontratat e marra ndërkombëtarisht.
- Qeveria dhe shumica parlamentare shprehin gatishmërinë për të vendosur një moratorium për të gjitha çështjet identitare që përçajnë shoqërinë ose për të cilat nuk është e mundur të arrihet një konsensus më i gjerë shoqëror në këtë kohë, deri në zgjedhjet parlamentare.
(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)