Podgoricë, 22 shkurt 2023 – Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka komentuar lidhur me videoregjistrimet e publikuara në rrjetet sociale, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke e keqtrajtuar fizikisht shtetasIn shqiptar Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë.
Ai ka thënë se videoregjistrimet e incidentit që ka ndodhur në kufi me Shqipërinë, i ka parë që më 15 janar, kur ndaj policëve të përfshirë në incident “janë ndërmarrë masa”.
Abazoviq ka thënë se incidenti i regjistruar në videon e publikuar, siç është shprehur, “e ka edhe një anë tjetër të medaljes”. Ai ka thënë se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion, gjë që nuk shihet në video.
“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe thjesht e ka nxjerrë nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, ka thënë ai.
Sipas Abazoviqit, shpërndarja e video-regjistrimit të këtij incidenti pas më shumë se një muaji lidhet me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi që do të mbahen më 19 mars. Sipas tij, është e pritshme të ketë edhe trajta të tjera të propagandës.
“Derisa i afrohemi 19 marsit, prisni shumë më shumë video, grafite, nacionalizëm, tensione, një atmosferë të keqe në raport me boshnjakët, shqiptarët, pakicat”, ka thënë Abazoviq.
Në videot që janë shpërndarë më 21 shkurt në platforma të ndryshme sociale shihet se ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, në Sukobinë.
Në video shihet se si një polic i Malit të Zi e nxjerr me forcë nga makina shtetasin e huaj (Petraq Milo), ndonëse ai nuk bën rezistencë, dhe e keqtrajton.
Policia malazeze konfirmoi se pamjet e “keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar”, të publikuara më 21 shkurt, janë të një ngjarjeje qëka ndodhur më 15 janar në pikën kufitare të Sukobinës.
Incidenti ka nxitur reagime të furishme në Mal të Zi, sidomos nga partitë shqiptare.
(r.m.)