Podgoricë, 3 maj 2023 – Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka deklaruar të mërkurën se vota pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk ishte votë kundër Serbisë.
Abazoviq ka thënë se e kishte thënë këtë edhe para votimit.
“Kam thënë se do të votojmë ‘pro’ dhe se ky veprim nuk është kundër Serbisë. Ne jemi një vend që e kemi njohur Kosovën. Jemi sjellë sikurse të gjitha vendet tjera që e kanë njohur, por ne i kuptojmë edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka deklaruar Abazoviq.
Ai ka thënë se as Serbia nuk mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, sepse kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit të cilën e kanë pranuar të dyja palët.
“Mali i Zi votoi së bashku me 33 vende të tjera. Neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit thotë se njëri vend nuk do të ndalojë tjetrin nëse dëshiron të anëtarësohet në një organizatë të caktuar ndërkombëtare’, ka thënë Abazoviq.
Ai ka shtuar se se stabiliteti rajonal është interes më madhor dhe Mali i Zi duhet të japë kontribut për zgjidhjen e problemeve në vendet e rajonit.
“Interesi i Malit të Zi këtu është më madhor. Kjo reflektohet në bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal. Ne nuk mund të japim një kontribut më të madh në zgjidhjen e këtyre çështjeve, por mund të jemi miqësorë dhe t’i ftojmë shtetet të gjejnë një gjuhë të përbashkët”, ka thënë ai.
Abazoviq i ka bërë këto komente në seancën e Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie Ndërkombëtare, të ftuar nga partitë pro-ruse dhe pro-serbe, për të sqaruar qëndrimin e Abazoviqit lidhur me votimin e përfaqësuesve të Malit të Zi lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në organizatën më të madhe të Bashkimit Evropian.
Ambasadorja e Malit të Zi në Këshillin e Europës, Bozhidarka Kruniq, ka mbështetur hyrjen e Kosovës në KE javën e kaluar, në takimin e Komitetit të Ministrave të KE-së. Zonja Kruniq ka votuar sipas udhëzimeve të qeverisë malazeze.
Seanca dëgjimore ndaj zotit Abazoviq, i cili është edhe ushtrues i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, është mbështetur nga deputetët e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Partisë Popullore Socialiste dhe Demokratëve, me sugjerim të kryetarit të komisionit, Miodrag Lekiq.
Zoti Lekiq ka thënë se seanca dëgjimore është e domosdoshme për të shpjeguar se si është vendosur të përkrahet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë me lehtësi, derisa mes Beogradit e Prishtinës po zhvillohen negociata të rëndësishme”, ka thënë Lekiq.
Kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviq, ka thënë se Mali i Zi do të vazhdojë të kultivojë marrëdhënie të mira me Kosovën. Ai ka thënë se Mali i Zi do të mbështesë edhe integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës pak pas shpalljes së saj, në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish presidentit, Milo Gjukanoviq.
(r.m.)