Abdixhiku: Albin Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë, nuk ka plan për veriun

Prishtinë, 19 dhjetor 2022 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me ngjarjet e fundit në veri të vendit.

Abdixhiku, në një shkrim në Facebook, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka rënë “në kurthin e Serbisë” dhe tani nuk ka asnjë plan shtetëror për t’u ballafaquar me gjendjen e krijuar në veri të vendit.

“Albin Kurti tashmë ka rënë në kurthin e Serbisë. Ai s’mund as të krijojë stabilitet e as të ushtrojë sovranitet në veri. Ai sot nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri. Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim”, ka shkruar Abdixhiku.

“Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë nga aleatët e kosovës dhe të koordinojë veprimet me ta.

“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë”, ka theksuar Abdixhiku.

Shkrimi i plotë:

Normalizimi i jonormales

Albin Kurti tashmë ka rënë në kurthin e Serbisë. Ai s’mund as të krijojë stabilitet e as të ushtrojë sovranitet në veri. Ai sot nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri.

Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim. Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani.

Fjalimet e kota e populliste nga foltoret në Prishtinë sot humbasin përbrenda thatësisë. Sot humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’i shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim.

Prandaj koordinimi është mençuri e maturi. Ecja me aleatë ka qenë gjithnjë interes kombëtar i Kosovës. Ai shpërfaqet si servilitet vetëm përpara politikanëve të turmave e ideologëve anti-perëndim që për qëllim të hapur mbajnë rrënimin zhbërjen e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë.

(r.m.)