Prishtinë, 8 prill 2025 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një takim konsultativ para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet më 15 prill.
Në një postim të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Abdixhiku ka theksuar se fjalët dhe qëndrimet politike të Vetëvendosjes ndaj LDK-së ndër vite janë të papajtueshme me një komunikim të tillë.
“Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. […] Sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka akuzuar Vetëvendosjen për përdorim të gjuhës përçarëse, ofenduese dhe etiketuese ndaj LDK-së, anëtarëve dhe votuesve të saj, “për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës”. Mes fyerjeve, Abdixhiku i përmend etiketimet si “hajvanat”, “bashkëpunëtorë të Serbisë” dhe “mbytje e LDK-së”.
“Mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, thekson ai.
Abdixhiku tha se LDK-ja “u qëndron besnike” bindjeve dhe vendimeve të saj.
“LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj”, theksoi ai.
Ai tha se LDK-ja nuk do ta pengojë procesin e konstituimit të Kuvendit më 15 prill, dhe se e njeh të drejtën legjitime dhe kushtetuese të Lëvizjes Vetëvendosje për tëaformuar qeverinë. Por, ai tha gjithashtu se LDK-ja ia njeh këtë të drejtë cilësdo parti që mund ta sigurojë shumicën në kuvend, në rast se Vetëvendosje dështon në këtë proces.
“Në rast të dështimit, LDK njeh të drejtën e çdo partie tjetër për të ndërtuar shumicën parlamentare. Qëndrimet tona janë të qarta”, ka shkruar Abdixhiku.
Pak orë më parë, Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë të vështirë ta formojë qeverinë e re pa koalicion me ndonjërën nga tri subjektet politike shqiptare që u renditën pas saj në zgjedhjet parlamentare.
(r.m.)