Uashington, 16 nëntor 2022 – Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka takuar senatorin Christopher Murphy dhe ekipin e tij politik.
Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe në rajon.
Sikurse në Shtëpinë e Bardhë, Abdixhiku e shtroi në Senat kërkesën për ngritjen e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe SHBA-ve, nëpërmjet ‘Kartës për Partneritet Strategjik’.
“Si anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Senatori Murphy ka qenë dhe mbetet gjithherë aktiv në rajonin tonë. Në këtë drejtim, kërkesat tona për mbështetje ndaj popullit të Kosovës, institucioneve të Republikës, e aspiratave tona për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s, ishin krejt të natyrshme. Po ashtu, në takim u theksua nevoja e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e politikës së jashtme, energjetikës e zhvillimit ekonomik”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Mbështetja e Senatit dhe Senatorëve nga të gjitha anët, ka prodhuar gjithherë momente historike për vendin tonë. Këtë mbështetje për shtetin tonë vazhdojmë ta kërkojmë në çdo kohë”, ka thënë ai.
(r.m.)