Abdixhiku: Plani franko-gjerman nuk është ai që po qarkullon në media

Prishtinë, 11 nëntor 2022 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se plani franko-gjerman, për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë i është prezantuar në takimin e fundit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Ai ka thënë se plani franko-gjerman i është prezantuar si kopje e veçantë e tij dhe se ishte kopja e vetme që Kurti e kishte.

“Ka qenë një dokument kopje e veçantë e tij, me shënime të tij, e kam lexuar në tërësi dhe e kam kthyer prapa te kryeministri. Ishte kopja e vetme që e kishte dhe është një dokument dyfaqësh si marrëveshje bazë edhe e kam kthyer mbrapa”, është shprehur Abdixhiku në një intervistë në TV Klan Kosova.

Abdixhiku ka thënë se ai ka pasur informacione për këtë plan edhe gjatë kohës së mohimit të ekzistimit të këtij plani nga ana e kryeministrit.

Sipas tij, plani franko-gjerman nuk është ai që është publikuar në media. Por, ai ka refuzuar të japë komente në lidhje me planin.

“Nuk do të jap shumë komente për këtë plan, sepse është në fazën e përpunimit dhe komentimit dhe kjo s’do t’i bënte nder as Kosovës e as përpjekjeve të institucioneve të vendit për të arritur një marrëveshje përballë një kundërshtari politik të përbashkët, që është Serbia”, është shprehur Abdixhiku.

“Plani franko-gjerman nuk është marrëveshje finale, është marrëveshje fillestare dhe pastaj do të ketë bisedime drejtë marrëveshjes finale pas një kohe tjetër”.

“Është një bazë drejtë marrëveshjes finale dhe besoj se ky është dëmi më i madh që është bërë në këtë periudhë sepse deri më tani ne e kemi pasur parimin e ‘asgjë s’është pranuar derisa gjithçka pranohet dhe gjithçka pranohet kur pranohet njohja’ dhe ky besoj se ka qenë suksesi më i madh që Kosova e ka bërë ndonjëherë”, është shprehur Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka thënë se është përgjegjësi e Qeverisë Kurti që gjatë dy viteve të fundit formati i dialogut është ridizajnuar, duke u shndërruar nga dialog që e kishte njohjen e ndërsjellë si pikë të veçantë në diskutimin se a është njohja de-facto apo de-juro.

(r.m.)