Abdixhiku takon Escobarin e Lajçakun, përsërit qëndrimet e LDK-së për dialogun

Prishtinë, 1 shkurt 2022 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, sot është takuar me të të dërguarin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

LDK, përmes një njoftimi për media, bëri të diturse Abdixhiku i ka njoftuar dy diplomatët e lartë me qëndrimet e LDK-së lidhur me zhvillimet  aktuale politike, me theks të veçantë për procesin e dialogut me Serbinë.

Në njoftim thuhet se Abdixhiku, edhe me këtë rast, ka thënë se LDK-ja e mbështet procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë. Ai ka theksuar se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe me normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës.

LDK mbetet partnere kredibile e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në proceset e rëndësishme të vendit, thuhet në njoftimin e LDK-së.

LDK është shprehur vazhdimisht për vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, i cili duhet të përmbyllet me një marrëveshjes juridikisht obliguese që përfshin njohjen reciproke të të dy vendeve.

LDK, sikurse  edhe të gjitha partitë politike shqiptare të Kosovës,  është shprehur kundër formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që do të cenonte tërësinë territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës.

(r.m.)