Abdixhiku kërkon drejtësi për vrasjen e Ahmet Krasniqit

Prishtinë, 21 shtator 2022 – Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe te varri i Kolonel Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, i cili ishte vrarë sot 24 vjet.

Abdixhiku ka thënë se vrasja e Kolonel Krasniqit është një humbje e madhe për Kosovën dhe ka kërkuar që drejtësi për vrasjen e tij.

“Vrasja e tij është humbje për popullin tonë por dhimbje e dyfishtë është mos zbardhja e fatit të kësaj vrasje të rëndë tash e 24 vite. Mbesim të përkushtuar që të kërkojmë drejtësi për të dhe familjen e tij dhe për të gjithë Kosovën”, ka thënë Abdixhiku.

Behxhet Krasniqi, vëllai i kolonelit Krasniqi, ka shfaqur shpresën se vrasja e vëllait të tij do të zbardhet më në fund.

“Ky është përvjetori i 24-të me radhë i vrasjes së Ahmet Krasniqit, një vrasje makabër. Për ne është shumë e vështirë vrasja e tij, por ne po mundohemi të qëndrojmë të fortë me mbështetjen e miqve e bashkëpunëtorëve të vëllait tonë dhe të subjekteve politike. Ne po qëndrojmë pak më të fortë dhe po shpresojmë e po punojmë që vrasja e vëllait tonë të zbardhet njëherë e përgjithmonë”, ka thënë ai.

Kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, është vrarë më 21 shtator të vitit 1998, pranë banesës së tij, në Tiranë.

Heroi i Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi, ishte një ndër figurat më të respektuara ushtarake në Kosovë. Vrasja e tij ishte vlerësuar si një goditje e rëndë e përpjekjeve për unifikimin e forcave ushtarake që luftonin për çlirimin e Kosovës.

Autoritet e Shqipërisë, deri më sot, nuk kanë bërë asnjë përparim në drejtim të zbulimit dhe dënimit të autorëve të vrasjes së tij.

(r.m.)