“Adem Demaçi ishte busulla e lirisë për shqiptarët në Jugosllavi”

Prishtinë, 26 korrik 2023 – “Gazetar dhe shkrimtar me profesion, guximtar dhe patriot në drejtim, aktivist dhe politikan në veprim, disident dhe i pathyeshëm në metodë, i ditur në mendje dhe njerëzor në zemër, ky ishte Adem Demaçi”.

Kështu e portretizoi kryeministri Albin Kurti simbolin e rezistencës politike në Kosovë, Adem Demaçin, në Akademinë Përkujtimore që u mbajt në Prishtinë, të mërkurën, në pesëvjetorin e vdekjes.

Kurti e krahasoi Demaçin me fituesin e çmimit “Nobel” për paqe, Nelson Mandela, dhe me shkrimtarin e intelektualin e shquar izraelit Amos Oz.

“Për ata që nuk e kanë pasur fatin ta njohin nga afër, besoj që porta e duhur për t’u futur në botën e Adem Demaçit është duke e lexuar romanin e tij autobiografik ‘Dashuria kuantike e filanit’ ku ai rrëfen jetën e tij”, tha Kurti.

Ai kujtoi angazhimin politik të Demaçit, si kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, dhe si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Më 1996 ai u zgjodh kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, por figura e tij mbeti gjithmonë mbi atë. Më 1997 i mbështeti protestat e organizuara nga ne studentët nëpërmjet Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, e disa muaj më pas, më 13 gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e emëroi Adem Demaçin përfaqësues politik të UÇK-së”, tha ai.

Kurti tha se gjatë kohës që kishte qenë pranë Demaçit, kur ai kishte qenë përfaqësues politik i UÇK-së, kishte parë se Demaçi, “gjatë jetës, pafund herë e ka tallur vdekjen”.

“Gjatë kësaj kohe për më shumë se gjashtë muaj unë kisha fatin të isha sekretar i tij në Zyrën e UÇK-së, në lagjen ‘Tophane’ të Prishtinës e aty isha dëshmitar dhe nxënës i atij njeriu që gjatë jetës pafund herë e ka tallur vdekjen dhe ka qeshur me rrezikun, dhe që me gjithë qenien e tij është angazhuar për lirinë e Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai tha se Demaçi ka qenë “dera ku shoqëria e Kosovës drejtohej sa herë që shteti ishte në udhëkryq”.

“Edhe tash shqiptarët duhet ta pyesin veten e njëri-tjetrin se çka do të kishte bërë Adem Demaçi”, tha Kurti.

“Kurse për të marrë përgjigje duhet t’i kthehemi e rikthehemi veprës së tij të shkruar dhe veprës së tij të jetuar, e cila ende nuk është studiuar e kultivuar”, tha ai.

“Adem Demaçi ishte busulla e lirisë për shqiptarët në Jugosllavi sepse ai i kishte dëshmuar me trup dhe me mendje të tri Jugosllavitë. Kishte lindur në 1936 në Jugosllavinë e parë apo monarkiste, kishte kaluar 28 vjet burgim në Jugosllavinë e dytë apo të Titos dhe kishte luftuar aktivisht dhe fuqishëm Jugosllavinë e tretë apo atë të Millosheviqit”, tha Kurti.

Kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefki Sadiku, tha se Demaçi ka qenë inspiratori i pjesës dërmuese të të burgosurve politikë shqiptarë.

“Adem Demaçi ishte nxitësi, stimuluesi, faktikisht edhe mësuesi i gjeneratave të ardhshme”, theksoi ai.

 Sadiku theksoi se ëndrra e Adem Demaçit ishte bashkimi kombëtar.

“Duhet të respektojmë vullnetin e Adem Demaçit. Në këtë vlerësim është postulati i tij, është porosia e tij, është mesazhi i tij që duhet t’i vlerësojmë të gjitha vlerat e politikës nacionale, duke përfshirë edhe ata të cilët i bënë keq kombit sepse sikur të mos ishin ata, nuk do të ishim këtu, nuk do ta kishim Adem Demaçin”, tha Sadiku.

Bija e Demaçit, Abetarja, i falënderoi folësit dhe pjesëmarrësit në akademi për përkujtimin e babait të saj.

“Më lejoni të them se të gjithë ata që e vlerësojnë Adem Demaçin si udhërrëfyes se si duhet të fitohet liria dhe po ashtu të gjithë ata që i vlerësojnë njerëzit që sakrifikuan veten për të mbështetur idenë e tyre, do të jenë në gjendje ta shohin dritën në fund të tunelit. Sepse ata po e vlerësojnë sakrificën e popullit të vet”, tha ajo.

Ajo tha se idetë që i përfaqësonte Demaçi duhet t’u përcillen brezave të rinj.

“Për të ecur drejt të ardhmes është e domosdoshme njohja e së kaluarës. Kjo duhet patjetër të përcillet te gjeneratat e reja, në mënyrë që ta njohin historinë, si bazë për të shkuar përpara. Me punë të vazhdueshme dhe të bashkuar ne mund t’i përballojmë të gjitha sfidat dhe të arrijmë cakun tonë, që është sovraniteti i plotë dhe zhvillimi i vendit”, theksoi vajza e Demaçit.

Akademia Përkujtimore u mbyll nga sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, e cila i këndoi disa nga perlat e muzikës shqipe, në përcjellje të kompozitorit të shquar Valton Beqiri.

(r.m.)

One Response to ““Adem Demaçi ishte busulla e lirisë për shqiptarët në Jugosllavi””

Read below or add a comment...

  1. GEGE Kosova says:

    Bac Adem Demaç ishte Mesuesi yne i madh i sakrifices dhe trimerise per çështjen e clirimit te Kosoves dhe viseve te tjera shqiptare padrejtesisht te mbetura perseri ne Jugosllavi artificiale komuniste ,dhe bashkmin e tyre me shtetin e Shqiperise natyrale,londineze.Veprimtaria ilegale shqiptare nuk kishte qellime ideologjike po çlirimtare kombetare,,sepse komunizm per ishte edhe Jugosllavia,njesoj si edhe Shqiperia.Por, Shqiperia ishte atdheu yne i perbashket ndersa Kosova ishte ne dyfishin roberise,ate komuniste dhe ate sllave qe nga 1912?13.