Me tetë vota për dhe asnjë kundër, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) emëroi sot gazetarin e njohur shqiptar Adi Krastën, si zëvendësdrejtor të Përgjithshëm në Radiotelevizionin e Kosovës. Ky votim, sipas njoftimit të Bordit, ka ardhur me rekomandim të drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.
“Për më shumë se tri dekada përvojë punë ne gazetarinë televizive dhe jo vetëm, Adi Krasta i cili këtë të shtunë mori pozitë drejtuese në transmetuesin publik të Kosovës, i bashkohet mediumit të vetëm publik në Kosovë në momente vendimtare të zhvillimit dhe përparimit të tij”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.
Adi Krasta, është prezantuesi i parë i postkomunizmit që hyri në shtëpitë e shqiptarëve me spektaklin e famshëm “ 12 vallëzime pa një të shtunë”, “Ethet e së premtes mbrëma” etj. Vitet e fundit, Krasta ia dedikoi karrierën e tij emisioneve politike. Tani këtë ndikim ai do e përcjellë në Kosovë, ku ka pasur përherë angazhime mediatike dhe akademike.