Administrata e Bajdenit planifikon 106 milionë dollarë ndihma për Ballkanin Perëndimor

Uashington, 29 maj 2021 – Në projektin e buxhetit për Departamentin Amerikan të Shtetit për vitin 2022 janë parashikuar 106.2 milionë dollarë për ndihmë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në arsyetimin e projekt-buxhetit, i cili i është dërguar Kongresit, thuhet se ndihmat për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi kanë për qëllim mbështetjen e reformave për procesin e integrimit të kjëtyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe për përballimin e ndikimit të Rusisë.

Ndihma përfshin fuqizimin e rendit e ligjit, luftën kundër korrupsionit, fuqizimin e shoqërisë civile dhe mbështetjen e medies së pavarur në vendet e rajonit.

Në programin e ndihmës  për vendet e Ballkanit Perëndimor parashikohen fonde edhe për realixzimin e zotimeve nga marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik midis Kosovës e Serbisë.  

“Në këtë program përfshihet fuqizimi i pushtetit lokal dhe i brezit të ri,  përshpejtimi i rritjes ekonomike, parandalimi i rrjedhjes së trurit dhe promovimi i pajtimit midis grupeve të ndryshme etnike. Financimi do të promovojë rritjen ekonomike përmes sektorit privat dhe sigurisë energjetike, përfshirë sigurimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, sigurinë kibernetike, krijimin e ambientit miqësor për investime dhe realizimi i zotimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, si edhe të marrëveshjeve të tjera për normalizim midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në dokument, transmeton Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.

(r.m.)