Uashington, 12 tetor 2024 – Admirali amerikan, Stuart B. Munsch, komandant i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrushme, por e brishtë, ndërsa theksoi se shqetësim kryesor përbën retorika politike nxitëse. Ai tha se kjo retorikë “mund të frymëzojë palët e pakënaqura që të ndërmarrin veprime të dhunshme”.
Gjatë intervistës, Admirali Munsch foli edhe për përpjekjet e Rusisë për ta destabilizuar rajonin, si edhe për planet e NATO-s për të krijuar qëndrueshmëri, përmes një korridori të ri të Aleancës, që kalon nga porti i Durrësit, nëpër Maqedoninë e Veriut, në Bullgari, deri në Detin e Zi. Sipas tij, kjo do t’i mundësojë Aleancës të përforcohet dhe të veprojë me shpejtësi.
Intervista e plotë:
Zëri i Amerikës: Admiral Munsch, në deklaratat tuaja të premten ju paralajmëruat qeverinë e Kosovës të përmbahet nga ato, që sipas jush, janë “vendime të njëanshme” që përshkallëzojnë tensionet dhe dëmtojnë reputacionin e një partneri të besueshëm ndërkombëtar. A mund të na sqaroni se çfarë nënkuptoni me këtë deklaratë?
Admirali Munsch: Në fakt, ajo që thashë vlen për të gjitha qeveritë. NATO-ja është neutrale sa i përket rrethanave këtu. Të gjitha qeveritë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të shfrytëzojnë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Është mënyra më e mirë për të zgjidhur dallimet dhe për të krijuar stabilitet të përhershëm.
Zëri i Amerikës: NATO-ja ka shtuar forcat e saj në terren, me trupa dhe pajisje, që pas incidentit në Banjskë vitin e kaluar dhe në pritje të tensionimit të mëtejshëm që vazhdoi gjatë tërë vitit të fundit. Cilat janë kërcënimet kryesore ndaj sigurisë në Kosovë?
Admirali Munsch: Ne shtuam numrin e forcave dhe gjithashtu të armëve dhe pajisjeve që ata i sollën me vete për të parandaluar raste të tjera dhune. Viti 2023 ishte viti më i dhunshëm në Kosovë në dy dekadat e fundit, bashkë me sulmin ndaj forcave të KFOR-it në muajin maj dhe pastaj me sulmin tjetër në shtator, gjatë të cilit u zbulua një sasi e madhe armësh. Shtuam numrin e forcave, në mënyrë që KFOR-i të jetë në gjendje të mbrohet dhe po ashtu të jemi të gatshëm të ndërhyjmë në raste të një lufte mes dy shteteve.
Aktualisht shqetësimi kryesor është retorika nxitëse politike në këtë periudhë, që mund të nxisë qoftë aktorë individualë apo aktorë joshtetërorë të ndërmarrin veprime të dhunshme, për të shfaqur pakënaqësitë e tyre.
Zëri i Amerikës: Për çfarë aktorësh e keni fjalën?
Admirali Munsch: Mund të jenë grupe kriminale, mund të jenë aktorë individualë, mund të jenë nga shtete të jashtme apo mund të jenë operativë të zonës gri, që mbështeten nga shteti.
Zëri i Amerikës: Ju iu referuat incidenteve në pjesën veriore të Kosovës dhe sulmit të armatosur të një grupi të armatosur serb në Banjskë vitin e kaluar. A keni një pasqyrë më të qartë se çfarë ka ndodhur atë ditë dhe për shtimin e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën, që u bë më pas? A jeni të shqetësuar për incidente të tilla?
Admirali Munsch: Ngjarja në Banjskë është çështje e organeve të rendit dhe hetimet për të po bëhen nga organet e rendit. Jemi në dijeni të gjetjeve të tyre, siç i kanë përcaktuar ata. Ndërkaq kur bëhet fjalë për shtimin e forcave në kufi ne vazhdojmë të mbajmë komunikim të afërt me të dy anët e kufirit, me autoritetet e forcave të armatosura. Ka transparencë, ka komunikim të qartë të qëllimeve. Ndërsa sa i përket grumbullimit të forcave ushtarake në këtë pikë, nuk përbën ndonjë shqetësim.
Zëri i Amerikës: Sa jeni të shqetësuar për situatën e sigurisë që rrethon misionin e KFOR-it, Kosovën dhe shtetet e rajonit?
Admirali Munsch: Situata është e qëndrueshme tani, por e brishtë. Është e qëndrueshme ngaqë i kuptojmë rrethanat dhe i kemi forcat në terren. Por brishtësia buron nga fakti që këtu dhuna mund të shpërthejë shumë shpejt. Sërish, shqetësimi kryesor aktualisht është retorika nxitëse politike që mund të frymëzojë palët e pakënaqura të ndërmarrin veprime të dhunshme.
Zëri i Amerikës: Shumë ekspertë kanë paralajmëruar vazhdimisht se Rusia mund të shfrytëzojë tensionet që ekzistojnë në rajon dhe ta përdorë Serbinë si një kanal për ta destabilizuar Ballkanin. A shihni përpjekje të tilla nga Rusia dhe cilat janë masat që po ndërmerrni për të luftuar këtë ndikim?
Admirali Munsch: Historikisht, Rusia synon të krijojë paqëndrueshmëri në vendet përreth, duke menduar se kështu është më e sigurtë. Kryesisht ajo vë në shënjestër vendet e vogla për të krijuar paqëndrueshmëri, pasi ato kanë më pak burime për t’iu kundërvënë aktiviteteve ruse. Aktivitetet ruse janë mjaft të përhapura në sferën kibernetike, por edhe në atë fizike. Kështu që vendet po punojnë së bashku për t’iu kundërvënë asaj që po bëjnë rusët. Kryesisht veprimet e tyre manifestohen në keqinformime, që i përhapin për të shfrytëzuar çdo dallim që ekziston, në përpjekje për të krijuar përshtypjen se dallimet janë shumë më të mëdha se sa janë në të vërtetë.
Zëri i Amerikës: A prisni tensione këtë vit apo në të ardhmen e afërt në Kosovë dhe në përgjithësi në rajon?
Admirali Munsch: Ne jemi gjithmonë gati të përballojmë çdo sfidë që mund të dalë. Ndonjëherë vendosim forca shtesë që të jemi të përgatitur për çdo rrethanë që mund të sjellë dhunë. Një shembull i kësaj është ‘Forca e Reagimit Aleat’, që NATO-ja e krijoi verën e kaluar dhe bëri dislokimin e parë në rajon për të ruajtur stabilitetin.
Zëri i Amerikës: A po planifikoni shtimin e trupave dhe mjeteve ushtarake për KFOR-in?
Admirali Munsch: E kemi mundësinë ta bëjmë këtë, nëse është e nevojshme. Për këtë vendosim sipas rrethanave.
Zëri i Amerikës: NATO-ja së fundmi inauguroi korridorin e tetë, që u mundëson trupave të NATO-s të dislokohen përmes tokës nga porti i Durrësit në Shqipëri deri në Detin e Zi. Si ndikon kjo tek struktura e sigurisë në rajon?
Admirali Munsch: Korridoret e transportit janë jetike për të siguruar qarkullimin e logjistikës, municioneve, karburanteve dhe furnizimeve të tjera. Natyra e fortë e korridoreve është në vetvete masë parandaluese kundër çdo agresioni ndaj NATO-s, thjesht sepse ne mund të përforcohemi dhe të veprojmë me shpejtësi.
Zëri i Amerikës: Ky korridor i ri kalon pranë aleatit të Rusisë (Serbisë) me të cilin NATO-ja ka patur një luftë. A është kjo një pengesë, apo një hap tjetër në konfrontimin me Rusinë?
Admirali Munsch: Synimi i korridorit është që të jemi gati për çdo mundësi. Duke qenë gati, kjo në vetvete nënkupton parandalim.
Zëri i Amerikës: Dëshironi të shtoni diçka tjetër?
Admirali Munsch: Dëshiroj të përgëzoj vendet për angazhimin e tyre 25 vjeçar për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. KFOR-i ka qenë me ne për 25 vjet me një sukses të jashtëzakonshëm. Ka përmirësuar rrethanat këtu, ka mundësuar zhvillimin ekonomik dhe pajtimin paqësor, duke e bërë Kosovën një vend shumë më të mirë.
(Zëri i Amerikës)