Tiranë, 8 prill 2021 – Aeroporti i Tiranës është zhbllokur të enjten për fluturimet esenciale, ndërsa të premten do të vazhdojnë edhe fluturimet komerciale.
Fluturimet në Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza” janë bllokuar prej të mëkurës në mëngjes, si pasojë e grevës së kontrollorëve ajrorë të kompanisë “Albcontrol”, e cila e menaxhon kontrollin e fluturimeve ajrore në Shqipëri.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka bërë të ditur se fluturimet esenciale, si fluturimet humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake do të nisin gjatë ditës së sotme.
“Ju njoftoj që kemi arritur që me një përpjekje shumë të madhe gjatë natës së mbrëmshme të ruajmë sasinë e vaksinave, të konsiderueshme që duhet të vinte dje në Shqipëri por që është bllokuar për shkak të kësaj greve të paligjshme dhe do të vijë sot rreth orës 3 pasdite ku më pas do të fillojë shpërndarja ashtu siç ishte planifikuar”, ka thënë ajo
Ministrja Balluku ka thënë se fluturimet komerciale do të fillojnë të premten në mëngjes.
“Nesër që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës do fillojmë të kemi operime normale në aeroportin e Rinasit për të gjithë udhëtarët e fluturimeve komerciale”, ka thënë ajo.
Ministria e Infrastrukturës ka bërë kallëzime penale ndaj disa prej kontrollorëve që konsiderohen si organizatorë të grevës, e cila cilësohet e paligjshme.
Prokuroria e Tiranës ka nisur menjëherë veprimet. Me urdhër të saj, të enjten janë shoqëruar në polici të paktën 28 kontrollorë. Shumica prej tyre janë lënë të lirë, ndërsa për tre prej tyre janë ndaluar, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Problemi i krijuar me menaxhimin e trafikut ajror në Shqipëri ka shkaktuar përplasje mes Presidentit të vendit Ilir Meta dhe kryeministrit, Edi Rama.
Presidenti Meta ka thënë se palët “duhet t’i respektojnë të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast”. Ai ka kërkuar që Kontrolli i Lartë i Shtetit të kryejë auditim në kompaninë “Albcontrol”.
Ndërkaq, kryeministri Rama ka thënë se problemi në menaxhimin e trafikut ajror është nxitur nga Presidenti Meta dhe nga opozita.
Rama i ka quajtur “dokrra” kërkesat e Metës.
Të mërkurën në Shqipëri u bllokuan të gjitha fluturimet në Aeroportin e Rinasit, pasi që më shumë se gjysma e kontrollorëve deklrauan “paaftësinë për të punuar në kushte të stresit” dhe hynë në grevë, duke kërkuar kthimin e pagave që kishin para shkurtimeve që u bënë për shkak të pandemisë.
Punonjësve u janë ulur pagat gjatë vitit 2020, për shkak të ules së numrit të fluturimeve për shkak të pandemisë.
Numri i fluturimeve në Aeroportin “Nëna Tereze” në Tiranë është ulur për 57 për qind.
(r.m.)