Afërdita Suka është deputetja e parë shqiptare në Bundestagun gjerman.
Ajo garoi me Partinë e Gjelbër në Landin e Berlinit, që sipas exit-poll, ka arritur të fitojë një numër të konsiderueshëm ulësesh, 114 të tilla, apo 14.3% të votave.
Suka është nga Kosova dhe për shumë vite ajo është angazhuar në Gjermani në mbështetje të emigrantëve, duke u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme.
Ajo garoi në një lagje të banuar pak nga shqiptarët, e megjithatë mbështetja nga komuniteti për të ishte tepër e madhe.
Aferdita Suka kandidon për Dhomën e Përfaqësuesve të Berlinit, në zgjedhjet e 2021 në Gjermani. Aferdita është zhvendosur në Berlin që në moshën 12 vjeçare. Ajo prej shumë vitesh është aktive në politikën gjermane, dhe prej 5 vitesh kryeson komisionin për shëndetësi në Tempelhof-Schoneberg.
40-vjeçarja jeton në Berlin që nga viti 1992 pasi iku nga Kosova dhe ka studiuar për shkenca shoqërore në Universitetin Humbdolt të Berlinit ku dhe punoi ndër të tjera si këshilltare në Adminsitratën e Senatit në Berlin. Që nga viti 2011, nënë e një vajze, Afërdita ka qenë vullnetare si këshilltare në asamblenë e këshillit të rrethit të Tempelhof. Në vitin 2015 u nderua me çmimin “Helene Veber” për angazhimin e saj socio=politik dhe qytetar.
“Një nga çështjet e mia të përzemërta është që njerëzit në lagjen e tyre mund të jetojnë të shëndetshëm dhe të vetëvendosur për aq kohë sa të jetë e mundur. Kjo jo vetëm që kërkon apartamente dukshëm më të volitshme dhe të përshtatshme për moshën, por edhe një mjedis të përshtatshëm jetese, pa pengesa dhe furnizim lokal. Si një politikan shëndetësor, është qëllimi im që të gjithë të rriten, të jetojnë dhe të plaken në një mjedis të shëndetshëm dhe të mbrojtur. Kjo përfshin zhvillimin e qëndrueshëm urban, si dhe një politikë të shëndetshme transporti, miqësore me klimën. Politika gjithashtu mund të ketë një ndikim të fortë në atë se sa i shëndetshëm rritet një fëmijë përmes qasjes më të mirë në kujdes dhe parandalim. Kjo është arsyeja pse unë jam angazhuar, për shembull, në forcimin e shërbimit shëndetësor publik, i cili synon të përmirësojë ndjeshëm shëndetin e popullatës”, është shprehur vetë Afërdita në një intervistë dhënë në muajin prill për kandidimin e saj.
Në zonën elektorale të Tempelhof ajo është e vetmja grua mes kandidatëve. Përsa i përket faktit se ka shkuar në Gjermani si emigrantë dhe si mund të tërheqë politika njerëzit që kanë një sfond të tillë, Suka është shprehur më herët se kemi nevojë për modele që mund të arrihen.
“Sfondi im i emigracionit sigurisht ka nënkuptuar që unë kam një pamje të veçantë të efekteve integruese-politike të masave politike. Gjithmonë pyes nëse, për shembull, ofertat e mbështetjes arrijnë edhe te njerëzit me një sfond migrimi. Me mbi 20 vjet përvojë me kohë të pjesshme në punën sociale, në sektorin e shëndetësisë si ndërmjetësues i gjuhës dhe kulturës, unë e di shumë mirë që për fat të keq ata që kanë më shumë nevojë nuk marrin ndihmë dhe mbështetje të parë. Në biografinë time unë patjetër që kam përvojën e tmerrshme të asaj që mund të çojë në pabarazinë shoqërore, diskriminimin në bazë të përkatësisë etnike ose grupit tjetër në formën e tij më ekstreme. Ajo çon në urrejtje, luftë dhe humbje. Kjo sigurisht formoi angazhimin tim për të mbrojtur demokracinë, kohezionin dhe drejtësinë shoqërore”, ka thënë më tej Suka.
“Gazeta Diaspora Shqiptare”