Uashington, 9 nëntor 2024 – Autoritetet federale dhe shtetërore po hetojnë mesazhet raciste të dërguara në mënyrë anonime në celularët e afrikano-amerikanëve në të gjithë vendin këtë javë, ku u thuhej se duhet të skllavërohen, duke ngjallur kështu zemëratë dhe kritika.
Grupi i të drejtave civile NAACP tha se mesazhet u kërkonin marrësve në shumë shtete, përfshirë në Alabama, Karolinën e Veriut, Pensilvani dhe Virxhinia, të paraqiten në një plantacion për të mbledhur pambuk, një referencë fyese për skllavërimin që u është bërë në të kaluarën afrikano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara.
Mbetet e paqartë se cilët individë apo subjekte fshiheshin pas mesazheve të raportuara, apo se sa persona i kishin marrë ato.
Njerëzit në të paktën 21 shtete morën mesazhe të tilla, përfshirë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve, raportuan kanali televiziv CNN dhe agjencia e lajmeve Associated Press.
“Këto veprime nuk janë normale. Dhe ne refuzojmë t’i lejojmë të pranohen si normë”, tha presidenti i NAACP-së, Derrick Johnson në një deklaratë nga organizata e të drejtave civile, që mbron drejtësinë racore dhe të drejtat për afrikano-amerikanët.
“Këto mesazhe përfaqësojnë një rritje alarmante të retorikës së urrejtjes nga grupet raciste në të gjithë vendin”, tha ai.
Shumë në komunitetet e afrikano-amerikanëve thonë se parashikojnë një kthim prapa të të drejtave civile pasi republikani Donald Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të së martës ndaj demokrates Kamala Harris, do të marrë detyrën më 20 janar. Zoti Trump u zotua gjatë fushatës së tij t’i japë fund programeve federale të diversitetit dhe përfshirjes.
“Fushata e Presidentit Trump nuk ka absolutisht asnjë lidhje me këto mesazhe në celularë”, tha zëdhënësja e tij Karoline Leavitt në një deklaratë të premten.
Një anketim i bërë nga firma Edison Research në ditën e zgjedhjeve tregoi se zonja Harris fitoi 85% të votave të zezakëve në mbarë vendin ndërsa zoti Trump fitoi 13%, 1 pikë përqindje më shumë nga një anketim në vitin 2020 kur ai humbi zgjedhjet presidenciale përballë Joe Biden-it.
“Ne i dënojmë fuqishëm këto mesazhe urrejtjeje dhe këdo që sulmon amerikanët bazuar në përkatësinë e tyre etnike ose prejardhjen”, tha Robyn Patterson, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, në një deklaratë të premten duke konfirmuar hetimet.
“Racizmi nuk ka vend në vendin tonë. Pikë”.
Komisioni Federal i Komunikimeve tha të premten se është ndër agjencitë që po heton incidentet.
TextNow tha se një ose më shumë llogari në shërbimin e saj të mesazheve dërguan mesazhe fyese dhe u mbyllën brenda një ore, duke shtuar se mesazhet u dërguan nëpër operatorë të shumtë në mbarë vendin në atë që e quajti “një sulm”, duke u zotuar se do të bashkëpunonte me strukturat e zbatimit të ligjit.
Autoritetet lokale po hetojnë gjithashtu, me disa prokurorë të përgjithshëm të shtetit që po u bëjnë thirrje marrësve të raportojnë mesazhet tek divizionet e të drejtave civile në shtetin e tyre.
Disa drejtori arsimore qarkulluan paralajmërime dhe u kërkuan nxënësve dhe prindërve që të raportojnë mesazhe të tilla tek stafi i shkollës ose autoritetet lokale.
(Zëri i Amerikës)