Shqipëria nuk ka arritur të forcojë themelin e shoqërisë, shtresën e mesme, e cila i siguron vendit jo vetëm prosperitetin ekonomik, por edhe cilësinë e demokracisë. Kombet e Bashkuara analizuan se, familjet e shtresës së mesme në Shqipëri më 2008 zotëronin vetëm 14.8% të konsumit në vend, por aplikimi i taksës progresive mbi pagat frenoi rritjen e mëtejshme më 2014, me së paku 2.5%.
Në dekadën e fundit, rritja e pabarazisë minoi mundësitë për përparim. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2008, rritja prej 1% e PBB-së e ulte të varfërinë me 0.9%. Midis 2014 dhe 2017, rritja prej 1% e PBB-së e uli varfërinë me vetëm 0.3%.
Paga mesatare mbeti në vendnumëro nga 2014-2022, teksa “truri” po emigron masivisht nga vendi. Krizat e fundit e kanë përkeqësuar më tej dhe barra fiskale në rritje për profesionet e lira nuk e përmirëson perspektivën.
Blerina Hoxha
Në vitin 1990, Shqipëria përmbysi regjimin diktatorial për të krijuar një rend demokratik, me rregullat e ekonomisë së tregut. Popullsia prej 3.3 milionë banorësh thuajse ishte e barabartë për nga niveli ekonomik (në një varfëri të skajshme).
Nga dhjetori 1990, kur nisi lëvizja demokratike, kanë kaluar 33 vite, por me gjithë përparimin, Shqipëria nuk ka arritur të forcojë themelin e shoqërisë, shtresën e mesme, e cila i siguron vendit jo vetëm prosperitetin ekonomik, por edhe cilësinë e demokracisë.
Përtej analizës si mbërritëm në këtë pikë, pasojat e mungesës së investimit te kapitali human tashmë po reflektohen te shpopullimi i shpejtë.
Shtresa e mesme jo vetëm mbeti minorancë, por krizat e fundit që nga Covid-19, inflacioni i lartë, barra fiskale, niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e një modeli ekonomik që gjeneron punë për profesionistët e kanë reduktuar edhe më tej shtresën e mesme.
Kombet e Bashkuara analizuan se, familjet e shtesës së mesme në Shqipëri zotëronin vetëm 14.8% të konsumit në vend më 2008, ndërsa pjesa tjetër zotërohej nga të varfrit, 30%, dhe shtresat e cenuara, 57%.
Nga viti 2008 në vitin 2014, shtresa e mesme zotëronte vetëm rreth 16% të konsumit, me një shtesë rreth 2% nga viti 2008, por aplikimi i taksës progresive mbi pagat frenoi rritjen e mëtejshme të kësaj shtrese me të paktën edhe 2% të tjera, referoi analiza e OKB-së.
Pas vitit 2014, mjedisi ekonomik nuk ka shkuar në favor të shtresës së mesme, si në drejtim të përfitimeve ekonomike, por edhe të infrastrukturës bazë (arsim, shëndetësi, infrastrukturë etj.).
Banka Botërore analizoi se rritja ekonomike e Shqipërisë në dekadën e fundit është bërë gjithnjë e më shumë joelastike, duke u bërë shkak për rritjen e pabarazisë. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2008, rritje prej 1% e PBB-së u shoqërua me ulje të varfërisë prej 0.9%. Midis 2014 dhe 2017, një rritje prej 1% e PBB-së rezultoi në rënie të varfërisë vetëm 0.3%.
Pas vitit 2014, përfitimet e rritjes nuk u ndanë në mënyrë të barabartë.
Kontributi i rritjes në uljen e varfërisë u ngadalësua gjatë krizës financiare të vitit 2008 dhe nuk është rikuperuar që atëherë. Banka Botërore referoi se, së bashku me Malin e Zi, Shqipëria ka nivelet më të larta të pabarazisë së të ardhurave në Ballkanin Perëndimor. Popullsia e vendit është polarizuar më tej dhe shtresa mesme nuk mori vendin që i takon.
Ekspertët e çështjeve fiskale mendojnë se, në dekadën e fundit, mjedisi ekonomik nuk ka gjeneruar mundësi për shtresën e mesme, por përkundrazi. Eduart Gjokutaj, ekspert fiskal, tha se shikimi i ecurisë së pagës, të ardhurat janë ose në vendnumëro, ose kanë filluar të bien për klasën e mesme, nëse marrim në konsideratë edhe inflacionin.
Treguesi i pagës mesatare në vitin 2013 ishte 52.150 lekë/muaj, ndërsa në vitin 2022, është 66.014 lekë në muaj (paga mesatare për sektorin publik dhe privat së bashku), me rritje prej 26% në 10 vjet. Inflacioni në këto 10 vjet është rritur në total me të paktën 26.6%.
Kjo rritje inflacioni tregon një rënie të nivelit të të ardhurave të kategorisë së mesme me 0.6% në këto 10 vite, që realisht është me ndikim kërcënues dhe rrudhës në të ardhurat e shtresës së mesme. Si rezultat i pakësimit real të të ardhurave dhe efektit negativ për të rritur kursimet, rreziku që klasa e mesme të mbetet prapa ekonomikisht po rritet.
Një klasë e mesme e dobët na dëmton të gjithëve, duke mbytur rritjen ekonomike të vendit tonë dhe duke minuar demokracinë tonë, thotë Gjokutaj.
Më herët, ekonomistët e njohur kanë theksuar se qeveritë kanë dështuar të ndërtojnë një model ekonomik që të krijojë punë të mirëpaguara që ushqejnë shtesën e mesme.
Eksperti Selami Xhepa mendon se rritja e të ardhurave është faktori vendimtar për të ndryshuar gjendjen sociale të popullsisë. Kjo do të thotë se të gjithë politikat publike, ato të taksimit në veçanti, duhen rifomatuar në funksion të arritjes së këtij objektivi.
Fokusi i investimeve të huaja duhet të jenë investimet në sektorët me vlerë të lartë të shtuar; lehtësitë të lidhen me përparimet teknologjike të çdo sektori dhe produkti ekzistues, si dhe punësimin cilësor. Masat përmirësuese të klimës së biznesit, të cilat diskutohen por asnjëherë nuk materializohen në politika dhe ligje reale, duhen marrë seriozisht.
Shqipëria, me shtresë të mesme të “varfër”
Literaturat në fushën e ekonomisë sugjerojnë se, definicioni për shtresën e mesme janë ata që kanë të ardhura nga 70 deri në 130% të pagës mesatare. Indikatorë të tjerë që klasifikojnë shtresën e mesme është pasuria, të pasurit e një makine, pronësia mbi shtëpinë, mundësia për të pushuar rreth dy javë në vit, mundësi për t’u shkolluar etj.
Zakonisht kjo shtresë përfaqësohet nga profesionistët, të tillë si mjekët, juristët, ekonomistët etj. Në vetvete, shtresa e mesme ndahet në nivelin e ulët dhe të lartë sa u përket të ardhurave, nën 30% e së ardhurës mesatare dhe mbi 30% e kësaj të ardhure. Banka Botërore në vitin 2014 klasifikoi si shtresë të mesme individët që përfitonin nga 10-50 dollarë në ditë.
Të dhënat e brendshme tregojnë se shtresa e mesme në Shqipëri, jo vetëm që është në minorancë, por anon më shumë nga kufijtë e ulët të klasifikimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportoi se për të plotësuar DIVA (Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave) ku klasifikohen personat me të ardhura të larta për vitin 2022 ishin në total 74,029 persona, nga të cilët 16,732 individë me të ardhura mbi 2 milionë lekë dhe 57,297 individë të dypunësuar.
Nga ana tjetër, personat e punësuar, që me pagë poshtë mesatares përbëjnë shumicën e të punësuarve në vend. Në fund të vitit 2022, paga mesatare në shkallë vendi arriti në 61 mijë lekë në muaj, po gati 61% të të punësuarve me pagë zyrtare kishin një nivel më të ulët page. Nga ana tjetër, inflacioni i pazakontë vitin e kaluar ka përkeqësuar gjendjen ekonomike të shtresës së mesme.
Ndonëse statistikat kombëtare për ndikimin e krizës në konsum, sipas shtresave të popullsisë mungojnë, të dhënat nga tregjet tregojnë mbi përkeqësimin e fuqisë blerëse në grupet e popullsisë me të ardhura mesatare.
Panajot Soko, i cili është një ekonomist me profesion që i përket shtresës së mesme, thotë se “Middle Class” në Shqipëri është vetëm një nocion teorik, pasi në të vërtetë, nuk ka një shtresë të tillë tashmë.
Ai thotë se, se PBB-ja e Shqipërisë për frymë arriti në rreth 6200 euro vitin e kaluar, nga rreth 5300 më 2019. Po të analizohet në detaje, kjo rritje është krijuar nga personat që fitojnë miliona euro Z. Soko thotë se pabarazia ekonomike është rritur dekadën e fundit dhe ky fenomen ka zhbërë tentativat për krijimin e shtresës së mesme në vendin tonë.
Si u reduktuan mundësitë
Mundësitë për të zgjeruar shtresën e mesme janë kufizuar në dekadën e fundit. Barra fiskale është shtuar, vlera e shtëpive është rritur më shumë se të ardhurat, duke ulur mundësitë në blerjen e shtëpisë nga profesionistët e rinj. Ndërkohë prej vitesh ekonomia nuk po gjeneron vende pune me paga të larta, në mënyrë që të sigurojë kalimin nga shtresa e varfër në nivelin e mesëm.
“Nëse analizojmë se sa ka ndikuar taksimi progresiv mbi kategorinë me paga të mesme (që fiton midis 67% deri në 200% të të ardhurave mesatare vjetore), nga llogaritjet rezulton se, barra e tyre është rritur me të paktën 25%, duke e krahasuar dinamikën e saj në këto 7 vite të fundit”, – thotë eksperti Eduart Gjokutaj nga qendra ALTAX.
Në lidhje me barrën fiskale që ato mbajnë është e dukshme se pesha e taksës ka rënë pikërisht mbi shtresën e individëve me paga të mesme. Pesha që mban tatimi mbi pagat në raport me totalin e tij në buxhet është sa 48.5% e tij.
Në tremujorin e parë të vitit 2023, të ardhurat tatimore arritën në 143 miliardë lekë, teksa të ardhurat mbi taksimin e punës (TAP + sigurimet shoqërore dhe shëndetësore) ishin 47 miliardë lekë, ose 38% e totalit të ardhurave tatimore.
Gjithashtu, mundësitë për të pasur pronësinë në banesa të profesionistëve të rinj janë ulur. Me çmimet e apartamenteve që pothuajse janë dyfishuar brenda një dekade dhe pagat që janë rritur me ritme shumë më të ulëta (të indeksuara me inflacionin) një shqiptar duhet të punojë sot rreth 2 dekada e gjysmë më shumë për të blerë një apartament në kryeqytet.
“Monitor” ka llogaritur se sa vite punë më tepër nevojiten për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90 metra katror, me supozimin se 70% e të ardhurave të individit me pagë mesatare mujore shkojnë për mbulimin e shpenzimeve të përditshme dhe pjesa e mbetur për shlyerjen e kësteve të kredisë (kur merr kredi në bankë, kjo e fundit kërkon që maksimumi 30% e të ardhurave të shkojnë për shlyerjen e këstit të huasë).
Përkeqësimi i aftësisë blerëse brenda një periudhe shtatëvjeçare (2015-2022) lidhet ngushtë me rritjen shumë më të ulët të të ardhurave, ose rënien e tyre në terma realë dhe rritjen e shumës që duhet të marrë hua për shkak të shtrenjtimit të ndjeshëm të çmimeve të apartamenteve.
Shtresa e mesme mund të vlerësohet edhe nga pasja në pronësi e një automjeti. Në fund të vitit 2021, në të gjithë vendin, ishin të regjistruara rreth 590 mijë vetura. Nga të dhënat e përgjithshme, 1 në 5 shqiptarë zotëron një makinë, por mungojnë të dhëna të detajuara, për shkak se shumë persona kanë në zotërim me shumë se një mjet.
Krahasimi me të dhënat e tjera të Eurostat tregon se Shqipëria e ka këtë tregues shumë më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku një në dy banorë ka një autoveturë (0.53 autovetura për banor).
Sondazhe të tjerë, që pasqyrojnë shtresën e mesme në Shqipëri, tregojnë se një pjesë e madhe e popullsisë nuk kanë mundësi të përballojnë pushimet vjetore. Barometri i Ballkanit për vitin 2023 tregoi se gati 35% e qytetarëve shqiptarë nuk kishin mundësi të bënin një javë pushime.
Emigracioni i “trurit”, tregues i dështimit
Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë në këto dekadat e fundit që është vënë nën presionin e vazhdueshëm të emigracionit të lartë. Përpos ikjeve, mbetet i frikshëm fakti se Shqipëria kryeson listën botërore për potencialet e larta të emigrimit.
Një sondazh nga Barometri i Ballkanit më 2022 gjeti se 42% e shqiptarëve duan të emigrojnë. Numri i atyre që duan të ikin shënoi rritje të mëtejshme në raport me 10 vite më parë, pavarësisht se një pjesë e madhe popullsisë ka emigruar tashmë.
Një anketë e INSTAT gjeti se periudhën 2011-2019, të gjitha familjet migrante përbënin 6,6% (47 669 familje) të familjeve shqiptare të numëruara nga Censi i fundit i vitit 2011 ose 6,5% të të gjithë popullsisë shqiptare (183 428 persona).
Për të njëjtën periudhë, 6,4% e popullsisë shqiptare (180 606) persona kishin migruar, vetëm pa familje. Pas vitit 2019, emigracioni pati një frenim gjatë vitit pandemik 2020, por është rritur me shpejtësi gjatë 2021-2022. Të dhënat e fundit zyrtare treguan se rreth 30 mijë persona nga Shqipëria janë regjistruar si emigrantë në Britaninë e Madhe dhe në BE.
Një studim i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, pak vite më parë, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.
Në vitin 2010 dhe 2011, u gjet se rreth 31.3% e popullatës shqiptare me arsim të lartë ishte në emigracion. Ikja e njerëzve me arsim të lartë është një problem i brendshëm i vendeve ku mungon ekonomia e shkallës dhe tregu i punës nuk paraqet potencial.
Sipas të dhënave të OECD-së, emigrimi i shqiptarëve të arsimuar në vitin 2010 dhe 2011 është rritur me 223% krahasuar me vitin 2000 dhe 2001. Kjo rritje ishte më e madhe se emigrimi për pjesë të tjera të popullatës me arsim të mesëm dhe të ulët.
Ekspertët Gëdeshi dhe King vërejtën disa arsye për këtë tendencë. E para është se shqiptarët dëshirojnë të sigurojnë një arsimim më cilësor për fëmijët e tyre. Hipoteza e dytë supozon se për t’u diplomuar në një universitet të BE-së, do të ishte më e lehtë për personin të gjejë një punë dhe të integrohet në vendin pritës.
Profesor Gëdeshi thotë se, pasojat socio-ekonomike të këtij fenomeni janë të qarta: çdo vit, burimet njerëzore dhe financiare të kualifikuara, ose më mirë elita rinore dhe financiare e Shqipërisë, e lënë vendin në mënyrë të pakthyeshme dhe kostot që lanë pas janë miliona euro, duke pakësuar shanset për rritjen e shtresës së mesme në vendin tonë.
Inflacioni i lartë po çon shtresën e mesme në varfëri
Me zgjatjen e luftës në Ukrainë dhe ndikimin negativ të ndryshimeve klimatike, zinxhirët e furnizimit janë dëmtuar më tej gjatë 2022, teksa inflacioni ka hyrë në një normalitet të ri dhe do të qëndrojë gjatë.
Në vendin tonë, shtresa e mesme, e cila zotëron fuqinë blerëse në njësitë e specializuara (supermarkete) po braktis blerjen e produkteve cilësore, duke bërë blerje në alternativat më të lira.
Për shembull, në produktet e vajit, makaronave, orizit dhe bulmetit, shiten seritë më të lira.
Zëvendësimi po ndodh më shumë te produktet e bulmetit dhe vajit. Çmimet e vajit dhe bulmetit, pas luftës në Ukrainë, janë rritur më shumë se dyfishi. Samiu, i cili ka një njësi shitje në zonën e Medresesë në kryeqytet, pohon se klientët që më parë blinin produkte të bulmetit të përpunuara nga fabrikat, tani kanë rritur kërkesën për qumësht nga fshatarët.
Ndërsa rritja e çmimit të vajit industrial zhvendosi konsumin te vaji i ullirit, çmimi i të cilit, për shkak të superprodhimit, gati u barazua me atë të vajit të lulediellit.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, thotë se mungesa e fuqisë blerëse, e cila është dëmtuar edhe më tej nga inflacioni, po orienton konsumin drejt prodhimeve më të lira. Sipas z. Jaka, kjo tendencë mbart rrezik, pasi edhe prodhimi nxitet të orientohet nga kërkesa.
Duke prodhuar mallra më të lira ka gjasa që ekonomia të shkojë në një spirale më të ulët të zinxhirit të vlerës, tha z. Jaka. Ai propozon që pagat duhet të rriten si në sektorin e biznesit, ashtu edhe në atë të administratës, në mënyrë që konsumi të mbahet në ekuilibër.
Kur çmimet ishin stabël, konsumatorët kishin prirje të blinin disa produkte importi, p.sh., mollë, portokaj ose zarzavate, duke besuar në cilësinë e tyre. Por rritja e çmimeve i ka zhvendosur preferencat në prodhimet e vendit.
“Tani konsumatorët e shtresës së mesme po orientohen nga çmimi dhe jo cilësia”, – pohoi një nga pikat më të mëdha të shitjes me pakicë të zarzavateve në Komunën e Parisit, një nga zonat me nivel ekonomik mbi mesataren në kryeqytet. Tregtarët e pakicës pohojnë se orientimi drejt produkteve më të lira është i dukshëm në të gjithë artikujt e shportës.
Epoka e çmimeve të larta është një fenomen global. Konsumatorët po shfaqin sjellje të ngjashme kudo në botë. Një anketë e “Euromonitor” vërejti se kriza e kostos së jetesës ka shkaktuar zhvendosje në përparësitë e konsumatorëve.
Gjithnjë e më shumë njerëz po i japin përparësi vlerës dhe nuk po i qëndrojnë besnik markës. Anketa tregoi se 24% e konsumatorëve globalë kërkuan në mënyrë sistematike mallra me kosto të ulët në vitin 2022, nga 18% në 2021 dhe kjo tendencë është në rritje në vitin 2023.
Barra fiskale për profesionet e lira do të rritet më tej
Barra fiskale për profesionistët që janë themeli i shtresës së mesme do të rritet më tej. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Projektligji i rishikuar mban të pandryshuar zbatimin e tatimit progresiv te profesionet e lira në normat 15 deri në 23%, që nis zbatimin nga 1 janari 2024.
Ligji i rishikuar parashikon se të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të tatohen me normat progresive 15 deri në 23%. Do të tatohen 15% për qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë.
Ndërsa për subjektet me xhiro mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit do të jetë 23%. Kontabilisti Sotiraq Dhamo pohoi për “Monitor” se drafti i rishikuar s’ka bërë ndryshime për profesionet e lira nga varianti që është diskutuar në dhjetor 2022.
- Dhamo tha më herët se drafti prek profesionet e lira që do të paguajnë tatim nga 15 deri në 23%, duke nxitur informalitetin për shkak të diferencimit të tatimit. Zbatimi i ligjit, sipas tij, rrezikon të kthehet në bumerang edhe për biznesin e vogël.
Ligji parashikon hyrjen në fuqi për të vetëpunësuarit dhe entitetet në janar të vitit 2024. Ndërsa për individët tregtarë me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi të ardhurat do të aplikohet deri më 31 dhjetor 2029.
Edhe në draftin e rishikuar parashikohet se individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të tatohen mbi të ardhurat nga biznesi, pasi t’u njihen shpenzimet nga 30% deri në 90%, sipas llojit të biznesit.